Adresimi i kryeministrit Kurti në mbledhjen e Qeverisë

Prishtinë, 14 tetor 2026

Të nderuar zëvendëskryeministra, ministra dhe zëvendësministra,
Të nderuar punonjës të kabinetit qeveritar dhe të mediave,
Të dashur qytetarë,

Mirë se vini në mbledhjen shtatë të Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Nga janari i vitit 2025, kur filloi fushata pas një mandati të plotë qeverisës, praktikisht tërë kohën ishim nëpër fushata të pandërprera zgjedhore ngaqë mandati që merrnim nga qytetarët nuk merrte jetë me konstituim të plotë të institucioneve të Republikës. Fillimisht bllokadë Kuvendi, pastaj Qeveria e në fund Presidenti.

Por, më në fund u zgjodh edhe kjo nyje. Javën e kaluar pas shumë përpjekjesh që nga certifikimi i rezultateve Kuvendi i Kosovës në legjislaturën e XI zgjodhi Presidentin e shtatë të Republikës së Kosovës, akademiken, Justina Shiroka Pula. Zgjedhja e Presidentes shënon edhe përmbylljen e konsitutimin të plotë të institucioneve pas konstituimit të Kuvendit e formimit të Qeverisë së re pas zgjedhjeve të 7 qershorit të këtij viti. Urime të gjithë qytetarëve të Republikës!

Vendi ynë pas shumë kohësh ka kohën dhe mundësinë të merret me punë e projekte, zhvillim e punësim e t’i kthehet arsyes pse ekziston, shërbimit ndaj qytetarëve.

Të dashur qytetarë,

Pasnesër bëhen një muaj prej aktgjykimit në Hagë ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi, e që mbështetej mbi themele të pasakta, si nga pikëpamja historike, ashtu edhe ajo faktike. Siç kemi bërë prej fillimit të këtij procesi, Qeveria do të vazhdojë, me mjetet që i ka në dispozicion, t’i mbështesë të akuzuarit në procesin e apelit, ku presim korrigjimin e kësaj padrejtësie.

Për mbrojtjen e ish-krerëve të UÇK-së dhe për vendin tonë, duhet një strategji e mirëmenduar. Fillimisht duhet një analizë e thellë, pas Aktgjykimit në formën e tij të plotë, që të veprojmë përpara. Në apel na duhet suksesi e për këtë gjë nevojitet organizim dhe strategji shtetërore e kombëtare. Prandaj sot do të marrim një vendim përkatës të rëndësishëm.

Kolegë të nderuar,

Pas kësaj mbledhje do të marrë pjesë në ceremoninë e ndërrimit të komandës së KFOR-it, me ç’rast dua të shpreh falënderim të veçantë për bashkëpunimin e mirë dhe korrekt të komandantit të deritashëm, i pari që kishte dy mandate, Gjeneralmajor Ulutaş sikurse padyshim që pres bashkëpunim të ngjashëm edhe me komandantin që sot e pranon detyrën, Roberto Vergori.

Ju faleminderit e tash po vazhdojmë me rendin e ditës.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors