Prishtinë, 20 prill 2026
Të nderuar zëvendëskryeministra, ministra e zëvendësministra,
Të nderuar punonjës të medieve dhe të kabinetit qeveritar,
Të dashur qytetarë,
Javën që shkoi e mbyllëm me një seri lajmesh të mira për Republikën dhe qytetarët.
Pas miratimit në Qeveri dhe ratifikimit në Kuvend, Komisioni Evropian nisi transferimin e mjeteve në vlerë prej 61.8 milionë euro, si parafinancim për Republikën e Kosovës në kuadër të Planit të Rritjes. Tashmë në buxhetin e shtetit janë bartur 28.74 milionë euro në formë kredie. Ndërkaq, pjesa tjetër e parafinancimit në vlerë prej 33.04 milionë euro do të kalojë nëpërmjet Kornizës Investuese për Ballkanin Perëndimor apo WBIF, siç njihet me shkurtesë, e prej tyre, 17.73 milionë euro janë grante, ndërkaq 15.31 milionë euro të tjera janë kredi.
Pra, krahas mbështetjes direkte buxhetore, këto mjete do të investohen në projekte konkrete infrastrukturore nëpërmjet kësaj Kornizës Investuese për Ballkanin Perëndimor. Projekti në vlerë prej 9.3 milionë euro për rrjetin e transmisionit, së bashku me Bankën Gjermane për Zhvillim, është nga të parët, të cilat do të financohen.
Por, parafinancimi përbën vetëm 7% të totalit prej 882.6 milionë euro, të cilat Bashkimi Evropian i ka vënë në dispozicion për Kosovën në kuadër të Planit të Rritjes.
Në hapin e radhës, pas përmbushjesh së disa veprimeve dhe reformave përfitojmë deri në 90 milionë euro, por duhet bërë miratimi para fundit të muajit qershor i disa prej ligjeve, që veçse i kemi proceduar dhe të tjerëve që do t’i procedojmë në Kuvend sot dhe në mbledhjet e radhës.
Andaj, teksa falënderojmë deputetët për angazhimin dhe kontributin e tyre, kërkojmë që pa humbur kohë të vijojnë me trajtimin me prioritet të lartë dhe miratimin e projektligjeve, të cilat përveçse e përmirësojnë infrastrukturën ligjore, i sjellin vendit dhe qytetarëve edhe përfitime financiare me projekte tejet të rëndësishme.
Të dashur qytetarë,
Miratimi në shqyrtim të parë i Projektligjit për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, pa dyshim që përbën një lajm shumë të mirë për vendin tonë dhe drejtësinë. Për këtë falënderojmë të gjithë deputetët, të cilët në seancën plenare votuan për.
Por, që institucioni përkatës, pra Byroja, të jetësohet e të nisë punën, është i domosdoshëm miratimi i këtij projektligji edhe në shqyrtim të dytë, përkatësisht në lexim të dytë.
E dimë që emri i ligjit ka trazuar shumëkë, prandaj kundërshtimet kanë qenë të mëdha, madje edhe të mbështjellura si ankesa në Gjykatën Kushtetuese, vazhdojnë të jenë ende të mëdha, por ne nuk mund dhe nuk do të ndalemi. Do ta jetësojmë këtë zotim. Byroja do të bëhet, sepse me të përfundimisht merr fund ajo parulla që kurrë nuk do të duhej të na përsëritej në të ardhmen, “Rroga e vogël, fitimi i madh”. E kemi thënë edhe më herët: Pasuria e fituar në mënyrë të paligjshme, kurrë nuk është as private e as legjitime, sepse ajo kurrë nuk është fituar.
Të dashur qytetarë,
Me vendosmëri, angazhim, përkushtim e sakrificë, në qeverisjen tonë edhe në këto ditë të mandatit të tretë, kemi shpartalluar bandat kriminale e paraushtarake, që shërbenin si struktura paralele ilegale të Serbisë në veri të vendit tonë, Republikës së Kosovës. Kemi shtrirë sovranitetin dhe kemi vendosur rend e ligj, përkundër skepticizmave e mosbesimit.
Fatkeqësisht, fqinji ynë verior nuk është tërhequr nga përpjekjet destabilizuese, por fatmirësisht prania vigjilente e shtetit në çdo cep të Republikës po sjellë rezultate në betejën ndaj çrrënjosjes së të gjitha celulave terroriste dhe të armatimeve të tyre.
Në këtë kontekst, përshëndesim aksionet e institucioneve tona përkatëse të sigurisë, të cilat gjetën dhe konfiskuan sasi të konsiderueshme armatimi e municioni në lokacione të ndryshme në veri të Republikës.
Gjithashtu, mirëpresim arrestimin e Stefan Raduloviq, i lidhur me sulmin terrorist paramilitar në Banjskë të Zveçanit, në shtator të vitit 2023, që kishte për qëllim aneksimin e veriut të vendit tonë dhe ku u vra rreshteri i Policisë së Kosovës, heroi Afrim Bunjaku.
Ky është vetëm një hap përpara. Drejtësia behet e plotë vetëm kur bashkëpunëtori i Raduloviq, krye-terroristi Milan Radojqiq dhe grupi i tij në tërësi vihen para drejtësisë në Republikën e Kosovës, ku do të kenë gjykim të drejtë e fer.
Se luftimi i krimit të organizuar është i pa kompromis dhe shtrihet anekënd, dëshmojnë edhe aksionet e suksesshme anti-drogë në Pejë dhe ato anti-bixhoz në disa qytete të vendit tonë.
Të nderuar anëtarë të kabinetit qeveritar,
Të dashur qytetarë,
Kemi hyrë në pjesën e fundit të muajit prill dhe para vetes, siç e dinë të gjithë kemi një afat kushtetues, i cili po afron. Shkuarja në zgjedhje të parakohshme parlamentare, unë besoj që nuk është opsion. E zgjedhja e presidentit është detyrë kushtetuese e të zgjedhurve të popullit.
Kjo kërkon vullnet për zgjidhje, gatishmëri për kompromis dhe vendime jo të lehta.
Ne e dimë që nuk ka parti që mund të pretendojë se i fiton 80 e më shumë deputetë. Andaj, duhet të pranohet rezultati i zgjedhjeve dhe nga ato pozicione të zhvillohen diskutime të sinqerta e të arsyeshme në interesin më të mirë për vendin tonë. Ne jemi të hapur për zgjidhje, e cila i përgjigjet vullnetit qytetar.
Vendi ka nevojë për stabilitet institucional, veçmas në këtë kohë të trazuar nga zhvillimet e tensionet gjeopolitike. Por, përtej kësaj ka nevojë për stabilitet dhe parashikueshmëri, sepse qytetarët kanë bërë zgjedhjen e tyre më 28 dhjetor, pra para vetëm 113 ditësh. Qytetarët votuan për katër vjet dhe në përputhje me vullnetin e tyre së shpejti do sjellim për miratim programin qeverisës 2026-2030.
Jemi të bindur që një cikël i ri zgjedhor nuk sjellë ndryshime të mëdha në rezultat, por mund t’i vonojë punët e mira dhe të na humbasë mundësi e fonde, si dhe të krijojë shpenzime të tjera të panevojshme, duke filluar nga së paku 10 milionë euro për KQZ-në.
Të nderuar kolegë nga kabineti qeveritar,
Sot në rend dite kemi plot 24 pika, përfshirë procedimin për ratifikim në Kuvend të disa marrëveshjeve ndërkombëtare dhe amendamentimin e atyre ekzistuese, si dhe miratim të nismave për lidhje të marrëveshjeve të reja ndërkombëtare. Kemi edhe disa projektligje tejet të rëndësishme, nga të cilat, siç thashë edhe më herët, përfitimi është i dyfishtë: infrastrukturë ligjore me standarde të Bashkimit Evropian dhe mjete financiare nga Plani i Rritjes.
Duke mos dashur që t’ju marrë kohë edhe më shumë meqenëse kemi një ditë të ngjeshur me takime e aktivitete, ju ftoj që ta nisim menjëherë rendin e ditës, në mbledhjen e 11-të të Qeverisë sonë të paraparë për sot.
Ju faleminderit!

