Prishtinë, 18 shtator 2014
Në organizim të Zyrës për Komunikim me Publikun të Zyrës së Kryeministrit të Republikës së Kosovës, me mbështetjen e Misionit të OSBE-së në Kosovë, sot në Prishtinë është mbajtur Konferenca Rajonale: Liria e Informimit – zhvillimi i praktikave në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Në hapje të konferencës, zëvendëskryeministrja e Qeverisë së Republikës së Kosovës, Edita Tahiri, pasi përgëzoi organizatorët për idenë e mbajtjes së kësaj konference për lirinë e informimit, theksoi:
“Të gjitha institucionet e Kosovës janë duke punuar në mënyrë sistematike në mënyrë që të kemi mundësi që standardin e qasjes në dokumente publike, ta arrijmë në nivelin e duhur tashmë. Të dhënat e përfshijnë jo vetëm qasjen demokratike në këtë proces, por edhe klasifikimin e dokumenteve, lehtësimin edhe për qytetarët edhe për media, ajo që është me ligj e lejuar, të jetë publike, do të jetë menjëherë publike në uebsajtet dhe për këtë po punohet në të gjitha sektorët. Dhe, në ndër kohë po bëhet klasifikimi i dokumenteve, në mënyrë që me të vërtetë të jemi në gjendje që në një kohë të afërt të kompletojmë kornizën që quhet standard për zbatimin e ligjit në qasje të dokumentet publike” – tha zëvendëskryeministrja Edita Tahiri.
Shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, ambasadori Jean-Claude Schlumberger, duke vlerësuar rëndësinë e lirisë së informimit në shoqëritë demokratike, potencoi:
“Qasja në informata për media dhe për shoqërinë civile është bazë e një demokracie pjesëmarrëse, pa të cilën publiku nuk mund të merr pjesë dhe as nuk mund ta mbajë qeverinë përgjegjëse ose llogaridhënëse për shpenzimet që bëhen. Ky takim duhet të na ndihmojë të gjithëve që të mësojmë për praktikat më të mira rajonale dhe do t’iu mbështesë në zbatimin dhe miratimin e proceseve dhe e ligjeve në institucionet, të cilat i përfaqësoni” – theksoi ambasadori Schlumberger.
Drejtori i Zyrës për Komunikim me Publikun në Zyrën e Kryeministrit, Arianit Bytyçi duke folur në sesionin e hapjes së konferencës, theksoi rëndësinë e shkëmbimit të përvojave mes vendeve të rajonit, në mënyrë të veçantë të praktikave të suksesshme të Kroacisë dhe Sllovenisë, vende anëtare të Bashkimit Evropian dhe zbatimit të këtyre praktikave në Republikën e Kosovës.
“Zyra e Komunikimit me Publikun e Kryeministrit, pas një pune mbi 3 vjeçare në fushën e lirisë së informacionit, vlerëson se ligji aktual për qasje në dokumente publike duhet të ridraftohet, me përfshirjen e akterëve kryesor, siç janë Qeveria, Kuvendi, Presidenca, institucionet e pavarura, komunat, mediat, shoqëria civile dhe qytetarët. Praktika e Kroacisë dhe Sllovenisë, ku funksionon Zyra e Komisionerit për lirinë e informacionit, një institucion i pavarur, që ekskluzivisht merret me garantimin e së drejtës për qasje në informacion të karakterit publik, është një praktikë e mirë që mund të zbatohet në Kosovë” – tha z.Bytyçi.
Në kuadër të 3 paneleve të konferencës, përfaqësues të Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë, Malit të Zi, Bosnje dhe Hercegovinës, Kroacisë dhe Sllovenisë, prezantuan përvojat e vendeve të tyre në kuadër të temave.
Në kuadër të temës: Vështrim i përgjithshëm i situatës aktuale në rajon: organizimi institucional, legjislacioni dhe zbatimi i kuadrit ligjor; prezantuan panelistët: Albulena Sylaj-Zeqiri, zyrtare e lartë për komunikim dhe trajtimin fillestar të kërkesave për qasje në dokumente publike në Zyrën e Kryeministrit të Kosovës; Maja Lubarda, Këshilltare ligjore në Zyrën e Komisionerit Slloven të informacionit; Anamarija Musa, Komisionere e Informacionit në Kroaci; Slavka Alagiç, drejtuese e Departmentit të Admistratës Publike në Ministrinë e Drejtësisë të Qeverisë së Bosnje dhe Hercegovinës; Šefko Crnovršanin, President i Këshillit të Agjencisë për mbrojtjen e të dhënave personale të Malit të Zi; Arben Shkëmbi, komisioner në Institucionin e Avokatit të Popullit në Shqipëri, dhe Blerim Hyseni, Zëvendës komisioner në Komisionin për mbrojtjen e së drejtës për qasje të lirë në informata publike të Maqedonisë
Në kuadër të panelit: Llogaridhënia dhe monitorimi i qeverisë në përputhje me legjislacionin për lirinë e informimit, prezantuan përvojat e tyre: Tafil Rrahmani, Drejtor i Departamentit të Hetimeve në Institucionin e Avokatit të Popullit të Kosovës; Blerim Hyseni, Zëvendës komisioner në Komisionin për mbrojtjen e së drejtës për qasje të lirë në informata publike të Maqedonisë; Maja Lubarda, Këshilltare ligjore në Zyrën e Komisionerit Slloven të informacionit; Dubravka Bevandiç, Udhëheqëse e Departamentit për lirinë e informacionit në Zyrën e Komisionerit Kroat të Informacionit.
Ndërsa, në panelin e tretë: Të dhënat personale dhe mbrojtja e privatësisë, panel ky i moderuar nga Ismet Cakiqi, koordinator në Zyrën për Komunikim me Publik të ZKM-së, prezantuan:
Ruzhdi Jashari, Mbikqyrës Kryesor Shtetëror në Agjencinë Shtetërore për Mbrojtjen e të Dhënave Personale të Kosovës; Besnik Dervishi, Komisioneri për Mbrojtjen e të Dhënave Personale në Shqipëri; Šefko Crnovršanin, President i Këshillit të Agjencisë për mbrojtjen e të dhënave personale të Malit të Zi; dhe Sofije Kryeziu, Koordinatore e Projekteve në Qendrën e Kosovës për Studime të Sigurisë.
Në përmbyllje të konferencës, përfaqësuesit që merren me lirinë e informimit dhe mbrojtjen e të dhënave personale në vendet e Ballkanit Perëndimor, në Konferencën Rajonale: Liria e Informimit Publik – Zhvillimi i Praktikave në rajonin e Ballkanit perëndimor, janë pajtuar si në vijim:
1. Nevoja e bashkëpunimit dhe shkëmbimit të përvojave është e domosdoshme dhe në funksion të avancimit të realizimit të së drejtës së lirisë së informimit;
2. Duke ditur që e drejta e informimit publik është e drejtë themelore e njeriut, angazhohemi për realizimin e plotë të saj;
3. Është e domosdoshme nisja e zbatimit të Direktivës së Komisionit Evropian nr.2013/37/EU për ri-përdorimin e informacioni të sektorit publik;
4. Praktikat e vendeve të rajonit dëshmojnë se organi që mbikëqyrë zbatimin e ligjeve të lirisë së informimit publik duhet të jetë i pavarur dhe me fuqi ekzekutive;
5. Bashkëpunimi në fushën e lirisë së informimit publik do të vazhdojë në mënyrë intensive edhe në të ardhmen;
6. Pajtohemi për krijimin e një forumi të veçantë të përfaqësuesve që merren me lirinë e informimit publik në vendet e Ballkanit Perëndimor, me qëllim të shkëmbimit të përvojave dhe avancimin e realizimit të së drejtës për qasje në informacione me karakter publik;
7. Të shikohen mundësitë që konferenca rajonale mbi lirinë e informimit publik, të jetë vjetore;
