Prishtinë, 29 gusht 2009
Me ftesë të ministrit të Jashtëm të Sllovenisë, Samuel Zbogar dhe drejtorit ekzekutiv të Qendrës për Perspektivë Evropiane, Elvin Klobas, zëvendëskryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Hajredin Kuçi do të marrë pjesë në Formun Strategjik të Bledit në Slloveni.
Forumi do të mbahet në datat 30 dhe 31 gusht 2009, nën moton “Politikat e krizave ekonomike: Ridefinimi i peisazhit ekonomik dhe gjeopolitik në Evropë dhe Euroazi”.
Zëvendëskryeministri i Republikës së Kosovës, Hajredin Kuçi në Forumin Strategjik të Bledit do të prezantojë të arriturat e institucioneve të Kosovës, pas shpalljes së pavarësisë, përkushtimet për qeverisjen e mirë, efektive dhe transparente, për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik, sundimin e rendit dhe ligjit, si dhe vizionin për thellimin e bashkëpunimit rajonal dhe fqinjësisë së mirë.
Konferenca bashkëorganizohet nga Ministria e Punëve të Jashtme e Sllovenisë dhe Qendra për Perspektivë Evropiane dhe adreson shumë nga çështjet ekonomike dhe gjeostrategjike evropiane dhe më gjërë.
Në forum do të marrin pjesë personalitete udhëheqëse ndërkombëtare, si dhe përfaqësues nga sfera publike, private dhe akademike.
Zëvendëskryeministri Kuçi në këtë forum, shoqërohet nga zëvendësministri i Ekonomisë dhe Financave, Bedri Hamza.