Prishtinë, 30 korrik 2011
Zëvendëskryeministrja e Qeverisë së Republikës së Kosovës znj. Edita Tahiri ka pritur sot në një takim homologun e saj nga Turqia, z. Bekir Bozdağ.
Fillimisht Zëvendëskryeministrja Tahiri falënderoi z. Bozdağ për mbështetjen që Turqia i ka dhënë Kosovës që në kohën e ndërhyrjes së NATO-s më pas me njohjen e pavarësisë së Kosovës dhe bashkëpunimin e ngushtë në të gjitha planet, sidomos në planin diplomatik, ekonomik dhe kulturor.
Ajo më pas foli për përparimet në vend, ku theksoi reformat shumëdimensionale e të rëndësishme që i ka ndërmarrë Qeveria e Kosovës për fuqizimit të shtetit të pavarur dhe sovran dhe në veçanti në fushën e politikës së jashtme, forcimin e sundimit të ligjit, zhvillimin ekonomik, garantimin e të drejtave të pakicave.
Duke folur në rolin e udhëheqëses së dialogut teknik, Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri tha se dialogu teknik ndërshtetëror midis Republikës së Kosovës dhe Serbisë pati një fillim të mirë ku u arritën tre marrëveshjet e para por që më pas Serbia u tërhoq nga ky dialog duke u treguar jo e gatshme për marrëveshjet tjera siç ishte edhe ajo për tregtinë e lirë midis dy vendeve. Ajo më pas tha se Qeveria e Kosovës mori vendim për zbatim të plotë të reciprocitetit dhe forcimin e kontrollit shtetëror në kufirin verior të vendit dhe rivendosjen e ligjit dhe rendit në dy pikat doganore me qëllim të zbatimit të plotë të reciprocitetit.
Zëvendëskryeministrja Tahiri shtoi më pas së Kosova mbetet e përkushtuar për dialog dhe se kjo është një vlerë e dëshmuar për popullin e Kosovës i cili u përpoq që me mjete paqësore të arrij lirinë dhe lufta ishte mjeti i fundit që përdorën për çlirimin e vendit.
Kosova aspiron integrim në Bashkimin Evropian, NATO, OKB dhe mekanizma tjerë Euro-Atlantik dhe për këtë kërkon mbështetjen e Turqisë si një vend me ndikim i cili mund të kontribuoj në njohjen globale të pavarësisë së Kosovës, tha Zëvendëskryeministrja Tahiri.
Znj. Tahiri në fund tha se, komuniteti turk që jeton në Kosovë dhe shqiptarët në Turqi janë një vlerë shtesë në marrëdhëniet e mira mes Kosovës dhe Turqisë të cilat synojmë ti thellojmë edhe më shumë.
Nga ana e tij Zëvendëskryeministri turk z. Bekir Bozdağ, duke e falënderuar Zëvendëskryeministren Tahiri për pritjen fillimisht shprehu ngushëllime znj. Tahiri për vdekjen në ballë të detyrës së policit, Enver Zymberi dhe më pas foli për angazhimin e Turqisë për thellimin e marrëdhënieve bilaterale dhe miqësore me Kosovën. Ai tha se Turqia mbështetë plotësisht pavarësinë, sovranitetit dhe integritetin territorial të Kosovës si dhe mbështet Qeverinë e Kosovën në ruajtjen dhe mbrojtjen e sovranitetit, sundimin e ligjit dhe rendit në tërë territorin e Republikës së Kosovës.
z. Bozdağ shtoi se vendi i tij mbetet i gatshëm që ta mbështesë Kosovën në zhvillimin e vendit dhe se bashkëpunimi i ndërsjellë do të thellohet edhe më shumë në të ardhmen. Zëvendëskryeministri Bozdağ tha se inkurajon Kosovën që përsëri ti kthehet dialogut teknik për të zgjidhur çështjet praktike që rëndojnë marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë.
Turqia është e interesuar që të investoj më shumë në Kosovë ngase ky vend ka potenciale të shumta të cilat do ta bëjnë shtetin e Kosovës një vend shumë të zhvilluar ekonomikisht. z. Bekir Bozdağ tha se vendi i tij do ta ndihmojë aktivisht Kosovën për shtimin e numrit të njohjeve dhe anëtarësimin e saj në NATO, OKB dhe institucione tjera relevante.
