Zëvendëskryeministrja Tahiri: UNMIK-u ka lejuar që në një të tretën e Kosovës të kthehet Serbia me ndërhyrjet e saj ilegale – Marrëveshja e Brukselit po synon të heq ndërhyrjen e Serbisë nga Kosova


Image


Image

Prishtinë, 13 nëntor 2014

Zëvendëskryeministrja e Republikës së Kosovës dhe udhëheqja e delegacionit të Kosovës në negociatat me Serbinë, Edita Tahiri, mori pjesë në publikimin e raportit “Big Deal”, që është bërë me iniciativën e tri Organizatave Jo Qeveritare, BIRN Kosova, Qendra për Hulumtim, Transparencë dhe Llogaridhënie me seli në Beograd, dhe Internews Kosova.

Raporti “Big Deal” është një mbikëqyrje e zbatimit të marrëveshjeve të arritura në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve në mes të shtetit të Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian. Iniciativa e këtyre tri OJQ-ve synon që të nxjerrë Raport të tillë në lidhje me avancimin e zbatimit të marrëveshjeve çdo gjashtë muaj.

Në diskutimet në panel të organizuara me këtë rast, kanë marrë pjesë edhe Dejan Paviçeviq, zyrtar i ndërlidhjes së Serbisë në Prishtinë, Ian Cliff, Ambasador i Britanisë së Madhe në Kosovë, dhe Haki Abazi, Drejtor i Programit për Ballkanin Perëndimor në “Rockfeller Brothers Fund”.

Gjeni të plotë fjalën e zëvendëskryeministres Edita Tahiri në këtë tryezë:

Më lejoni të falënderoj tri organizatat për këtë punë të rëndësishme, në jo vetëm në publikimin e këtij raporti periodik, por sa kam mundur të kuptoj nga raporti juaj, keni një plan që të jepni raporte të rregullta, për një kohë aq sa jeni të financuar, dhe unë shpresoj se do të jeni shumë më shumë të financuar duke marrë parasysh kualitetin e Raportit që e keni prodhuar.

Përshëndes sidomos praninë e z. Paviçeviq, përfaqësues diplomatik të Serbisë në Republikën e Kosovës, i cili ka qenë pjesë e dialogut të Brukselit që nga viti 2011, pra është në këtë proces që nga fillimi. Dhe më lejoni të vlerësoj lartë kontributin e tij, në çuarjen përpara të këtij dialogu.

Unë po i jap të drejtë vetes të flas, sepse edhe unë jam pjesë e këtij dialogu tërë këto vite, pra jam në një mënyrë jo vetëm negociatore e këtij procesi, por kam  të drejtë edhe të analizoj edhe personalitetet që marrin pjesë në këtë dialog dhe me çfarë fryme janë duke dhënë kontributin.

Të gjithë e kemi parasysh që nuk është lehtë të jesh pjesë e një dialogu, i cili ka të bëjë me dy shtetet, që janë aspirantë për në Bashkimin Evropian, por kanë një histori negative dhe që ajo histori në këtë rast, në këtë dialog të Brukselit, nuk u lejua që të bëhet pengesë që ne të arrijmë marrëveshje, të nënshkruajmë marrëveshje, por natyrisht që ne si shtet dhe si popull këtë histori asnjëherë nuk mund ta harrojmë, sepse ka të bëjë me historinë e një gjenocidi që Serbia e ka bërë në Kosovë, dhe përkundër faktit që opinioni publik nuk ishte pro këtij dialogu, ne si udhëheqje gjithë institucionet u përcaktuam pro, sepse me këtë rast kishim parasysh që, e para, mund të përmirësohet jeta e qytetarëve në Kosovë, Serbi por edhe në rajon.

Dhe besoj se ky dialog po i arrin këto qëllime, dhe jam e bindur se qytetarët po e përjetojnë çdo ditë e më shumë atë që marrëveshjet e dialogut teknik dhe dialogut për normalizim, i kanë sjellë si rezultate konkrete në teren. Po ashtu ky dialog po ndihmon që shteti i Kosovës të afrohet më shumë me Bashkimin Evropian, por kjo e njëjta vlen edhe për Serbinë.

Tani mund them lirisht pas katër vitesh, Kosova ka marrë marrëveshjen Stabillizm Asoocim, e ka përafruar, pritet nënshkrimi së shpejti. Serbia ka nisur negociatat për anëtarësim, ndonëse ende nuk po zhvillohen negociatat me Serbinë, pasi që janë në një proces  që kushtëzohet me zbatimin esencial të Marrëveshjeve të Brukselit. Por me rëndësi është që të dyja shtetet po shkojnë drejt Bashkimit Evropian, dhe unë besoj se jo vetëm Qeveria e Republikës së Kosovës dhe politika e shtetit tonë, gjithnjë angazhohet që i gjithë Ballkani Perëndimor dhe vendet e Ballkanit Perëndimor sa më shpejt të bëhen anëtare të Bashkimit Evropian dhe NATO-s, por ne e kemi shprehur qartë se Integrimi i Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian është faktor esencial në forcimin e paqes dhe stabilitetit në rajon.

Prandaj edhe ne si shtet, në gjithë këtë vizion euroatlantik që kemi, e kemi pranuar dialogun për fqinjësi të mirë me Serbinë përmes Brukselit, pikërisht për t’i arritur këto qëllime.

Sot mund të them se fuqia e Bashkimit Evropian, për të ndihmuar transformimin e marrëdhënieve në mes dy shteteve, Kosovës dhe Serbisë, është dëshmuar konkretisht, pavarësisht se asnjëri nuk jemi të kënaqur me të gjitha arritjet. Por unë them dhe pajtohem edhe me z. Paviçeviq se ka pasur shumë arritje, por ende mbeten edhe shumë punë për t’u bërë në të ardhmen.

Madje nëse do të referohesha në vlerësimet që i ka bërë projekti “Big Deal”, t’iu them të drejtën unë ju shoh juve më pesimist se sa që ka arritje në këtë dialog.

Por, sigurisht që pritjet kanë qenë shumë më të mëdha. Në anën tjetër, ne si politikanë me përvojë, që kemi kaluar të gjitha fazat e rënda, pra unë vetë, që nga periudha e okupimit, pastaj periudha e protektoratit dhe tash pavarësia, unë nuk e kam pritur që do të shkojnë kaq shpejt proceset.

Pra unë po e shoh rezultatin në këtë dialog në krahasim me historinë që e kemi pasur, duke mos harruar që Serbia as në Rambuje e as në Vjenë nuk e ka nënshkruar marrëveshjen. Pra kemi të bëjmë me një përparim nga ana e Serbisë, që për herë të parë në vitin 2011, dhe për herë të parë në vitin 2012 madje u ul dhe nënshkroi marrëveshjen, siç ishte Marrëveshja e IBM-it, se tjerat janë marrëveshje pa nënshkrim, por të dakorduara me garancitë e Bashkimit Evropian.

Besoj se jeni duke pritur se ku i kam vërejtjet unë që ju jeni më pesimist se sa që duhet. E para, lëvizja e lirë, unë e them se mund të quhet komplete. Pse komplete? Komplete në raport me atë që jemi marrë vesh.

Ndërsa besoj që ju e keni bërë këtë vlerësim, në raport me atë se çfarë do të thotë standard evropian për lëvizjen e lirë. Nëse e shikojmë nga standardi, marrëveshja nuk i jep ato kualitete , sepse ende kalohet në Serbi me tabela që , disa prej tyre pranohen, e disa duhet të mbulohet. Por esenca është që Kosova ka pranuar dokumentet e shtetit të Kosovës, sepse Letërnjoftimet si regjim për kalim, janë Letërnjoftim të shtetit të Kosovës me logon e shtetit të Kosovës. Pra janë këto gjëra shumë të rëndësishme që kanë ndodhur.

Pastaj tek IBM. IBM-i për mendimin tim është njëra nga marrëveshjet më të suksesshme dhe nuk mund të quhet “i pakompletuar”. IBM-i plotësisht funksionon. Ajo që duhet të mbërrijmë është që të ndërtojmë ndërtesat e përhershme, për të cilat jemi marrë vesh tash në shtator, por ndërtesat e përkohshme tash për tash ofrojnë kushte të mjaftueshme. Dhe unë them se IBM-i është shumë mirë duke shkuar.

Vazhdojmë tutje. Regjistrat civil janë kryer në mars të këtij viti, por janë vonuar mbi një vit e gjysmë. Sipas Planit të Veprimit është dashur të kryhen shumë më herët.

Bashkëpunimi rajonal, pajtohem se është “pjesërisht i zbatuar”, sepse ende sot e kësaj dite, Serbia vazhdon të paraqesë pengesa për anëtarësimin e Kosovës në organizata të ndryshme rajonale. Nuk po i listoj tash sepse i keni në Raportin, edhe të “Big Deal”, por edhe në raportin tonë, të Qeverisë së Kosovës, raportin 9 mujor që ia kemi dorëzuar Bashkimit Evropian dhe e keni edhe në ueb sajtin e Qeverisë.

Të dalim tek kadastrat. Kadastrat është një ngecje që ne e kemi krijuar, Kosova, sepse ligji për krijimi i një agjencioni teknik, që do të bënte krahasimin e dokumenteve që do të kthehen nga Serbia, që janë marrë gjatë luftës dhe të dhënave të Agjencionit të Kadastrave të Kosovës, është dashur të formohet përmes një ligji, të cilin Parlamenti i Kosovës asnjëherë nuk e miratoi.

Pra, këtu është mangësi e jona dhe këtë duhet pasur parasysh.

Ndërkohë, Serbia u ballafaqua me disa probleme të Gjykatës Kushtetuese, se shumica e marrëveshjeve të Brukselit përfunduan në Gjykatën Kushtetuese.

Pra, ky është problemi me kadastrat.

Ndërsa, njohja reciproke e diplomave universitare, është në zero progres, sepse Serbia asnjë nga rreth 400 aplikime që janë vërtetuar nga Asociaconi i Universiteteve Evropiane të Diplomave, nuk e ka pranuar, është zero zbatim.

Për telekomin dhe energjinë. Tek energjia ka më shumë përparime. Jemi në fazën e zbatimit praktik.

Desha të korrigjoj z.Paviçeviq. Ai foli se është vendosur tashmë një marrëdhënie ndërshtetërore në fushën e transmisionit energjetik mes dy shteteve. Është e vërtetë,  kjo marrëveshje e specifikon. Po ashtu, kjo marrëveshje specifikon shuarjen e të gjithë operatorëve ilegalë, por ai përmendi që gjoja do të formohet një kompani për distribucion. Nuk është e vërtetë.

Marrëveshja thotë, që do të formohet një kompani e regjistruar në Kosovë, e cila në bashkëpunim me KEDS-in, do të mund të ketë detyra të shërbimeve të distribuimit, e këto detyra janë: kontrollimi i njehsorëve, përgatitja e faturave dhe mbledhja e pagesave, që nuk bëhet në pjesën veriore tash e pesëmbëdhjetë vjet dhe, hapur e them, atje ka humbje, sepse atje japim energji dhe nuk marrim pagesa.

Serbia ka dashur që të ketë një kompani për distribuim, por ne e kemi refuzuar, sepse me ligjet tona ka vetëm një distributor publik, këtë rast është KEDS.

Ndërsa, sa i takon mundësive që të hapim tregun për furnizim, kjo nuk ka të bëjë vetëm me shtetin e Kosovës. Në bazë të Traktatit të Athinës i tërë tregu për furnizim me energji i Evropës Juglindore duhet të fillojë të hapet me 1 janar 2015.

Marrëveshja për Normalizimin e Marrëdhënieve ka krijuar një fazë të re të marrëdhënieve mes dy shteteve. E para, fakti që është nënshtruar nga niveli i dy kryeministrave dhe znj. Ashton. E dyta, sepse ka adresuar një çështje shumë të rëndësishme, ka adresuar një dilemë: A do të vazhdojë Serbia të ndërhyjë në punë të brendshme të Kosovës me struktura paralele, apo do të merr vendim që t’i shuaj ato. Pra, kjo është esenca e Marrëveshjes për Normalizim.

Tani mund t’jua jap vlerësimin tim.

Në disa fusha Serbia tashmë po tërhiqet nga ndërhyrja, ndërsa në disa tjera i mungon vullneti politik për t’u tërhequr nga ndërhyrjet, sidomos në pjesën veriore të vendit dhe, derisa flitet se mos krijimi i Qeverisë së Kosovës po e vonon dialogun, them se mos krijimi i Qeverisë mund t’a vonojë dialogun në nivelin politik të kryeministrave, por në nivelin e zbatimit të marrëveshjeve, ne jemi plotësisht aktivë, sepse ne kemi qeveri. Në asnjë shtet nuk ka vakum të qeverisë, ka qeveri derisa vjen e reja.

Por më lejoni të bëj një krahasim. Ku dhe prej çka varet plotësimi më i mirë dhe më i shpejt i mirë i marrëveshjeve. Varet nga vullneti politik i Serbisë. A dëshiron plotësisht të tërhiqet nga logjika e strukturave paralele dhe ndërhyrja. Ndërhyrjen nuk  kemi bërë ne. Unë e kam bërë doktoratën në Problemin e Ndërhyrjes së Serbisë në Punët e Brendshme të Kosovës duke e lidhur me shkeljen e të drejtës ndërkombëtare.

UNMIK-u ka qenë ai, edhe pse ka qenë i autorizuar plotësisht t’a qeverisë gjithë Kosovën, ka lejuar që në një të tretat e Kosovës të kthehet Serbia me ndikimet e saj apo ndërhyrjet e saj ilegale.

Marrëveshja e Brukselit po synon të bëjë korrigjimin e kësaj situate politike, pra, të heq ndërhyrjen e Serbisë nga Kosova.

Natyrisht, ka pasur përpjekje edhe në bisedimet e Vjenës që të ndodhë kjo, por Serbia dështoi në nënshkrim dhe, mund t’ju them për ata që nuk po e kuptojnë se pse ky dialog?

Ky dialog po provon që të zgjidh ato që i la procesi i Vjenës. Është vazhdim në përpjekje të përmbyllim çështjet që i la procesi i Vjenës dhe shpesh po dëgjoj kritika nga aktorët e procesit të Vjenës, që deri tani nuk ua kam thënë: Ato që nuk i kryet në Vjenë, jemi duke i bërë në Bruksel.

Shumë pak i keni dhënë rëndësi paramilitarëve, as këtu nuk e keni madje (në raport të BIRN).

Një prej çështjeve që po e lë peng  normalizimin e gjendjes në veri, është zhbërja e të ashtuquajturës mbrojtjes civile, apo strukturë paramilitare, e cila është edhe e armatosur.

Keni folur edhe për çështje të sigurisë, keni të drejt ku thoni se nuk janë të plotësuara. Por, duhet një pikë e veçantë, shikoni strukturat paramilitare, sepse ato po mbajnë peng madje në shumë aspekte procesin. Por, është një përparim i madh dhe atë, në saje të bashkëpunimit të dialogut edhe të Kosovës dhe të Serbisë, zhbërja e strukturave policore dhe integrimi i tyre në institucionet e Policisë së Kosovës deri te rangimet e suksesshme.

E suksesshme është edhe pjesëmarrja e komunave të zgjedhje dhe tani, veprimi i tyre deri tani de jure duke respektuar sistemin dhe legjislacionin e Kosovës. Këto janë suksese, por a janë të mjaftueshme? Sigurisht që jo, por janë trende pozitive, që besoj që nëse vazhdon kështu do t’i japim një mundësi integrimi të plotë serbëve të pjesës veriore në institucionet dhe realitetin e shtetit të Kosovës; do ta mundësojnë Serbinë që të përparojë në Bashkimin Evropian, duke e respektuar fqinjësinë e mirë dhe duke e ndalë ndërhyrjen ilegale në Kosovë dhe, do t’i japin mundësi Kosovës që të funksionojë normalisht dhe problemet apo trashëgimitë negative të pasluftës t’i mbyllë dhe të hapë marrëdhënie paqësore dhe ndërfqinjësore me Serbinë.

Faleminderit.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors