Prishtinë, 08 shkurt 2013
Zëvendëskryeministrja e Republikës së Kosovës Edita Tahiri, priti në takim ministren e Kulturës të Maqedonisë, Elizabeta Kançeska-Mileska, të cilës fillimisht i uroi mirëseardhje në Republikën e Kosovës.
Zëvendëskryeministrja Tahiri shprehu përkushtimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për thellimin e marrëdhënieve bilaterale me Republikën e Maqedonisë në fushat e interesit të përbashkët. Zëvendëskryeministrja Tahiri mes tjerash tha se vizioni euro-atlantik është synim strategjik i shtetit të Kosovës dhe në këtë drejtim bashkëpunimi dhe këmbimi i përvojave është interes për të dyja shtetet. Ajo po ashtu theksoi rëndësinë e bashkëpunimit kulturor mes të dyja vendeve, që duhet të shërbej në të mirë të shoqërive duke u pasuar me shumë me vlera etnike dhe vlera evropiane.
Zëvendëskryeministrja Tahiri gjithashtu tha se vendet e Ballkanit duhet të kultivojnë politika evropiane dhe të respektojnë parimin e multietnicitetit në të gjitha aspektet. Ajo theksoi se Kosova pret përparime më të shpejta në zbatimin e plotë të marrëveshjes së Ohrit, e cila ofron garanca kushtetuese për të drejtat e shqiptarëve etnik në Maqedoni dhe njëherit është kontribut për paqe dhe rrugë të drejt euroatlantike.
Nga ana tjetër, ministrja e Kulturës se Maqedonisë, Elizabeta Kançeska-Mileska, duke shprehur kënaqësinë për vizitën e saj në Republikën e Kosovës, shprehu gatishmërinë për rritjen e bashkëpunimi mes të dyja shteteve duke potencuar veçanërisht fushën e kulturës. Sipas saj, kjo vizitë sot është kontribut në forcimin e bashkëpunimit përmes marrëveshjeve të bashkëpunimit bilateral dhe programeve konkrete. Ajo vlerësoi marrëveshjen për Bashkëpunim Kulturor mes Ministrisë së Kulturës të Kosovës dhe Maqedonisë të nënshkruar sot mes dy ministrave.
