Prishtinë, 10 tetor 2012
Zëvendëskryeministrja e Republikës së Kosovës Edita Tahiri priti në takim Lida Rragami, Presidente e Rrjetit Global të Grave Shqiptare me seli në Londër, me të cilën bisedoi për forcimin e lidhjeve me diasporën shqiptare.
Më këtë rast zëvendëskryeministrja Tahiri vlerësoi rëndësinë e rritjes së bashkëpunimit mes diasporës shqiptare dhe mëmëdheut në dobi të fuqizimit të kombit shqiptar dhe gruas shqiptare. Në këtë kuadër u vlerësuan rezultatet e kongresit “Gruaja shqiptare dhe udhëtimi i saj në 100 vite pavarësi” që u mbajt në Prishtinë, me rastin e 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë. Ishte konstatim i përbashkët se zbatimi i rekomandimeve të kongresit i kontribuon qëllimeve të përbashkëta për një pozitë më të mirë të grave në shoqërinë shqiptare.
Zëvendëskryeministrja Tahiri vlerësoi lartë kontributin e diasporës shqiptare në të gjitha fazat e çlirimit dhe pavarësisë së Kosovës, duke theksuar se në këtë fazë diaspora mund të luaj një rol të rëndësishëm në forcimin ekonomik dhe prosperitetin e shtetit të Kosovës dhe Shqipërisë si dhe të kombit shqiptar, me qëllim të përshpejtimit të integrimeve euro-atlantike.
Nga ana e saj, znj. Rragami falënderoi Qeverinë e Kosovës për mbështetjen që e jep në forcimin e lidhjeve me diasporën.
