3 shtator 2014
Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri, kryenegociatore për implementim në dialogun e Brukselit udhëton sot për Bruksel që të marrë pjesë në takimet e organizuara nga Bashkimi Evropian për çështjet e Menaxhimit të Integruar të Kufirit, Lëvizjes së Lirë dhe çështjet nga fusha fitosanitare. Takimet janë paraparë të mbahen më 4 dhe 5 shtator 2014.
Zbatimi i protokollit teknik të IBM-së i nënshkruar nga Republika e Kosovës dhe ajo e Serbisë tashmë ka arritur në fazën e fundit të zbatimit, me ç ‘rast priten të dakordohen projeksionet finale për ndërtimin e ndërtesave të përhershme të IBM-it në të gjashtë pikë kalimet kufitare në mes të Republikës së Kosovës dhe Serbisë.
Në agjendën e këtyre takimeve në Bruksel është paraparë të diskutohet edhe për avancimin e zbatimit të marrëveshjes për Lëvizjen e Lirë dhe për çështjet e bashkëpunimit ndërshtetëror në fushën fitosanitare. Gjatë qëndrimit në Bruksel Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri do të ketë edhe takime bilaterale me përfaqësuesit e BE-së më qëllim të përshpejtimit të procesit të zbatimit të Marrëveshjeve të Brukselit.
