Prishtinë, 4 maj 2011
Zëvendëskryeministrja e Republikës së Kosovës, Edita Tahiri, priti zëvendësministren e Punëve të jashtme të Republikës së Shqipërisë, znj. Edit Harxhi, me të cilën bisedoi për forcimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Shqipërisë, mbështetja e Shqipërisë për integrimet euroatlantike të Kosovës dhe dialogu teknik.
Zëvendëskryeministrja Tahiri fillimisht falënderoi Qeverinë e Shqipërisë si dhe personalisht, znj.Harxhi për përkrahjen e fuqishme e të vazhdueshme për shtet-ndërtimin e Kosovës, duke e njoftuar atë për programin e ri të Qeverisë se Republikës se Kosovës duke thënë se Qeveria angazhohet për një Kosovë moderne dhe euroatlantike. Këtë vizion jemi duke punuar me përkushtim për reformat e gjithanshme siç janë çështjet e zhvillimit ekonomik, sundimit të ligjit, përmasimit të mirëqenies sociale ndërsa në politiken e jashtme angazhohemi për integrim sa me të shpejtë të Kosovës, në BE, NATO, OKB dhe institucione tjera ndërkombëtare, theksoi zëvendëskryeministrja Tahiri.
Zëvendëskryeministrja Tahiri më tutje vlerësoi dialogun teknik ndërshtetëror midis Kosovës dhe Serbisë, duke thënë se ka pasur përparime të rëndësishme dhe se shpejti mund të priten edhe marrëveshje konkrete në çështje të caktuara.
Ndërkaq zëvendësministrja Harxhi shprehu kënaqësi për takimin dhe u angazhua që bashkëpunimi midis dy vendeve të intensifikohet në të gjitha planet. Shqipëria mbështet një Kosovë të prosperuar dhe mbështet integrimet euroatlantike për Kosovën.
Të dyja bashkëbisedueset vlerësuan rëndësinë e integrimeve kombëtare e ndërkombëtare si zhvillime demokratike të epokës së pas luftës së ftoftë dhe demokratizimit të kësaj pjese të Evropës.