Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri: Me këtë marrëveshja Serbia ka njohur shtetin e Kosovës në fushën e doganave


Image

Prishtinë, 19 janar 2013

Pas takimit të katërt në Bruksel në mes të kryeministrit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi dhe atij të Serbisë, Ivica Daçiq, zëvendëskryeministra Edita Tahiri ka prezantuar marrëveshjen e arritur për doganat para medieve, në një konferencë për shtyp.

Gjeni më poshtë të plotë fjalën e zëvendëskryeministres Tahiri

Të nderuar përfaqësues të mediave

Ju përshëndes të gjithëve dhe ju uroj në vitin e ri, qoftë një vit i mbarë për të gjithë.

Kam kënaqësinë t’ju informoj për rrjedhat dhe rezultatet e takimit në Bruksel, më 17 janar 2013, në mes të Kryeministrit të Republikës së Kosovës z. Hashim Thaçi dhe atij të Serbisë z. Daçiq me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, përkatësisht të  Baroneshës Ashton.

Siç jeni njoftuar, në këtë takim është biseduar për  zhbërjen e strukturave ilegale të sigurisë së Serbisë në Kosovë, për përmbylljen e zbatimit të plotë të marrëveshjes së IBM-it në veçanti në fushën e doganave, si dhe për veprimet që do të ndërmarrë Qeveria e Republikës së Kosovës për vendosjen e rendit dhe ligjit në pjesën veriore të vendit tonë.

Qeveria e Republikës së Kosovës vlerëson se në këto bisedime janë shënuar përparime të theksuara në vendosjen e raporteve normale ndërshtetërore mes Kosovës dhe Serbisë si dhe në heqjen e pengesave dhe ndërhyrjeve ilegale nga ana e Serbisë.

Qeveria e Kosovës dhe Kryeministri Thaqi në këto bisedime ka mbrojtur interesat nacional dhe të qytetarëve, ka mbrojtur Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe ligjet e sajë, Rezolutën e Kuvendit si dhe parimet evropiane për fqinjësi të mirë dhe stabilitet rajonal.

Përparimet dhe rezultatet e këtij takimi mund të përmblidhen në pikat vijuese:

•    pala serbe ka marrë obligime për zhbërjen e strukturave ilegale të sigurisë në Kosovë,
•    Kemi arritur marrëveshjen në fushën e doganave, sipas të cilës vendoset rendi dhe ligji në këtë fushë sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës, ligjeve tona dhe sistemit unik doganor të Kosovës
•    Kemi prezantuar angazhimet tona si qeveri për përmirësimin e gjendjes ekonomiko sociale të qytetarëve në tanë në veri të vendit tonë.

Qeveri e Kosovës vlerëson se dialogu për normalizimin e marrëdhënieve ndërshtetërore mes Kosovës dhe Serbisë është në funksion të paqes dhe stabilitetit në rajon, në të mirën e qytetarëve si dhe do të mundësojë integrimin më të shpejtë të shtetit tonë me Bashkimi Evropian.

Ne kemi përkrahjen e plotë të Bashkimit Evropian, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, shteteve të Kuintit dhe në veçanti të Gjermanisë dhe jemi të bindur se angazhimi për fqinjësi të mirë dhe bashkëpunimi rajonal i shërben vizionit euro-atlantik për shtetin tonë.

Më lejoni që në vazhdim t’iu flas për marrëveshjen e arritur në fushën e doganave.

Marrëveshja për doganat  është në përputhje të plotë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe ligjet e sajë
Kjo marrëveshje mbron parimin se Kosova është një zonë unike doganore, ku në tërë vendin ka aplikim të njëjtë të ligjeve shtetërore që rregullojnë këtë fushë.

Me këtë marrëveshje vendoset rendi dhe ligji në fushën e doganave në pjesën veriore të vendit dhe ndalen parregullsitë që kanë ekzistuar një kohë të gjatë.

Marrëveshja parasheh funksionimin e Administratës Doganore, njësoj sikurse ne pjesët tjera te vendit.

Marrëveshja mundëson inkasimin e  plotë  të të  gjitha detyrimeve doganore, përfshirë akcizën dhe TVSH-në dhe mjetet e grumbulluara derdhen në Buxhetin e Kosovës.

Me këtë marrëveshje zhbëhen strukturat paralele në fushën e doganave, normalizohen aktivitetet doganore si dhe sigurohet një evidencë e plotë mbi aktivitetet tregtare dhe ekonomike.

Kjo marrëveshje mundëson ndalimin e plotë të kontrabandës në vendkalimet kufitare në veri, mundëson stabilizimin e tregut të vendit, ruajtjen e konkurrencës së lirë dhe ofrimin e mbrojtjes institucionale për tregtinë e ligjshme.

Me fjalë tjera, kjo marrëveshje mundëson normalizimin e marrëdhënieve tregtare mes dy shteteve, sipas kritereve të BE-së

Në aspektin politik, me këtë marrëveshja Serbia ka njohur shtetin e Kosovës në fushën e doganave.

Gjatë konferencës, zëvendëskryeministrja Tahiri është përgjigjur edhe në interesimin e medieve.

1.    Kosova Sot: Tek çështja e Fondit, duket se ka ende shumë paqartësi. Kryeministri serb thotë se ky fond bëhet më qëllim që mjetet të mos derdhen në buxhetin e shtetit të Kosovës, të cilët e kontestojnë qytetarët serb. A mund të na thoni më konkretisht se si do të menaxhohet Fondi dhe kush do ta ketë rolin vendimmarrës, apo do të ketë mundësi të bllokimit të vendimmarrjes nga përfaqësuesit e komunitetit serb.

Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri: Marrëveshja për doganat është në përputhje të plotë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe ligjet e Kosovës si dhe në harmoni me parimin se Kosova është një zonë unike doganore. Ne si Qeveri kemi vendosur të themelojmë Fondin për Zhvillim për këtë pjesë të vendit, duke marrë parasysh se për një kohë të gjatë gjendja nuk ka qenë e mirë, dhe këto janë në fakt edhe konfirmimet tona si Qeveri se për ne të gjithë qytetarët e vendit janë të njëjtë dhe ne me këtë rast duam të kontribuojmë për zhvillimin socio-ekonomik të vendit. Fondi themelohet nga Qeveria e Kosovës, për bordin ju fola, ndërsa të gjitha mjetet e grumbulluara nga doganat derdhen në buxhetin e Kosovës. Pra kjo është linja. Buxheti i Kosovës është ai që vë në dispozicion mjete për Fondin Zhvillimor.

2.    Top Channel: Prej kur do të filloj të zbatohet taksimi i të gjitha mallrave në veriun e Kosovës, sepse 3.5 tonëshi është lejuar të hyjë pa doganë disa ditë? Dhe pyetja tjetër,  në komunikatën e zonjës Ashton thuhet se “është arritur një marrëveshje e përkohshme”. Çfarë do të thotë kjo “e përkohshme” në këtë fushë?

Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri:
Zbatimi i kësaj marrëveshje fillon menjëherë, sepse ka qenë një kohë e gjatë siç e dini, në veçanti pas deklaratës së pavarësisë në 2008, ka pas shmangie të qytetarëve serb të pjesës veriore nga detyrimet doganore. Me këtë marrëveshje kjo rregullohet plotësisht dhe konform ligjeve dhe Kushtetutës së Republikës së Kosovës, sepse Kosova është një zonë unike doganore, jo vetëm sepse e përcakton Kushtetuta e vendit tonë, por edhe për faktin se vendimet ndërkombëtare, përfshirë edhe vendimin e Bashkimit Evropian të vitit 2000, Kosova është një zonë unike doganore, prandaj edhe e gjithë veprimtaria duhet të zhvillohet brenda konceptit të sistemit unik doganor dhe obligimet për të gjithë qytetarët apo për aktorët ekonomiko-tregtar janë të njëjta në të gjithë vendin.
Porsa i takon asaj se është e përkohshme, ju siç e dini, ne po ecim drejt procesit të normalizimit të marrëdhënieve mes dy shteteve, dhe pikërisht ky dialog është i konceptuar që  shpejt të vendosen marrëdhënie normale, në kuadër të kësaj, sigurisht që nuk do të ketë nevojë për të ritheksuar gjëra përmes marrëveshjes.
Marrëveshja e mundshme në të ardhmen, do të nënkuptoj që dy shtetet funksionojnë me raporte normale mes vete. Me fjalë të tjera, Serbia tërheq ndërhyrjen ilegale në Kosovë dhe zhbëhen strukturat ilegale paralele. T’iu them edhe njëherë, nga ky takim në nivel kryeministrash, pala serbe ka marrë obligime që të zhbëj strukturat ilegale të sigurisë që veprojnë në Kosovë ilegalisht.

3.    RTV 21: Mjetet e derdhura në Fond nga të hyrat e doganës, a do të shfrytëzohen të gjitha në këtë fond, apo do të mbetet ndonjë pjesë edhe në buxhetin e Kosovës për t’u shfrytëzuar për nevojat tjera të vendit?

Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri: Në bazë të ligjeve të Kosovës është e definuar se si ndodh derdhja e mjeteve në Buxhetin e Kosovës. dhe poashtu me ligjet tona do të përcaktojmë se sa do të kontribuojmë në këtë Fond.  Sa i takon përkushtimit, mund t’iu siguroj me të vërtetë se si Qeveri jemi të përkushtuar që të ofrojmë mbështetje për zhvillimin shoqëror-ekonomik të asaj pjese të vendit.

4.    Kosova Sot:  sipas ligjeve, mjetet gjithsesi duhet të derdhen në buxhet, e më pas të derdhen në Fond. Por, sa do të jetë ajo për qindje, 70 për qind i TVSH-së të grumbulluara në ato dy pika, apo sa do të ndahet?

Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri: Ne si Qeveri do të vlerësojmë mundësitë që kemi, por ajo që është më e rëndësishme është që kemi përkushtim për zhvillimin e asaj pjese të vendit.

5.    Top Channel: Përveç Zubin Potokout, Zveçanit, Leposaviqit dhe Mitrovicës, do të jetë edhe ndonjë komunë tjetër që përfshihet në Fond? Është përfolur se do të jetë Vushtrria.

Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri: Mund t’iu them se Fondi për Zhvillim është një masë e rritjes së mirëbesimit, masë që ne si Qeveri e Republikës së Kosovës dëshmojmë se jemi të gatshëm të japim shërbime të mira dhe të barabarta për të gjithë qytetarët e vendit.
Mbi këtë parim, do të vazhdojnë proceset për zbatimin e qëllimeve të këtij Fondi, natyrisht, qytetarët mund të hartojnë projekte infrastrukturore,  aplikojnë për Fonde, e më pas në bazë të arsyeshmërisë së kërkesave, do të kenë edhe përgjigjen pozitive.

6.    Kosova Sot: Kur do të mund të jenë të matshme rezultatet e tërheqjes apo zhbërjes së strukturave paralele serbe në veri të Mitrovicës?

Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri : Në këtë takim pala serbe ka marrë zotime për zhbërjen e strukturave ilegale të sigurisë në Kosovë. Në këtë proces të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, ne nuk jemi vetëm, jo që kemi ndërmjetësues dhe garantues Bashkimin Evropian, por ky proces garantohet edhe me faktin se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë mbështetje të fuqishme të këtij dialogu.
Ndërkohë, unë mund t’iu siguroj që në partneritet me faktorin ndërkombëtar në Kosovë, ju e dini se ne bashkëpunojmë shumë mirë me EULEX-in dhe KFOR-in, ne do të realizojmë të gjitha obligimet implementuese. Dhe siç e dimë të gjithë, ky dialog për normalizimin e marrëdhënieve, e ka edhe një qëllim edhe më madhor që të dyja vendet të afrohen me Bashkimin Evropian. Besoj se para palës serbe është një situatë e qartë, që duhet të plotësoj të gjitha obligimet, me fjalë të tjera të ndërpres njëherë e përgjithmonë ndërhyrjet ilegale në Kosovë dhe të vendos që ky është realiteti në Ballkan dhe se shteti i pavarur dhe sovran i Kosovës është realitet bashkë me shtetet tjera. Shtatë shtete kanë lindur nga procesi i zhbërjes së ish-Jugosllavisë. Edhe pse Serbia është vonuar për ta njohur këtë realitet, t’iu them të drejtën çdo ditë e më shumë po shihet se ata jo vetëm që po e njohin, por edhe po e pranojnë realitetin e shtetit të pavarur dhe sovran të Republikës së Kosovës.

7.    RTV21: A do të vazhdohen bisedat për telekomunikacionin dhe energjinë, sepse disi ka mbetur pezull kjo çështje?

Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri: Keni të drejtë. Kjo çështje në fakt ka qenë e paraparë që gjatë muajit janar, kur u takuam për bisedimet e çështjes së marrëveshjes në fushën e doganave, në agjendë e kemi pasur edhe energjinë dhe telekomin. Por pala serbe në moment të fundit hoqi dorë nga to.  Tani është caktuar që në fillim të shkurtit të vazhdojnë bisedat për këto çështje. Sepse, siç e dini nga dialogu teknik janë arritur shtatë marrëveshje, por këto dy çështje dhe disa të tjera kanë mbetur të hapura.

Faleminderit shumë.

 

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors