Prishtinë, 23 Tetor 2014
Zëvendëskryeministrja e Qeverisë së Republikës së Kosovës, Edita Tahiri, ka pritur sot në takim delegacionin e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), të përbërë nga anëtarë të bordit drejtues dhe drejtor të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim. Delegacioni kryesohej nga z. Evren Dilekli, përfaqësues i Turqisë dhe anëtarë i bordit drejtues dhe në përbërje kishte përfaqësues dhe drejtor edhe nga SHBA-të, Japonia, Franca, Britania e madhe, Danimarka, Lituania, Holanda, Irlanda, Turqia, Bullgaria, Armenia, Azerbajxhani, Mongolia dhe Kosova. Delegacioni shoqërohej edhe nga Drejtuesi i Zyrës së BERZH-it në Kosovë, z. Anton Kobakov dhe z. Holger Muent, drejtor i BERZH-it për Ballkanin Perëndimor.
Zëvendëskryeministrja Tahiri vlerësoi lartë bashkëpunimin mes Kosovës dhe BERZH-it duke theksuar se anëtarësimi i Kosovës në BERZH ka hapur perspektiva të reja për zhvillimin ekonomik të Kosovës. Ajo shprehu përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për një zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik, duke marrë parasysh potencialet e mëdha ekonomike të vendit të tonë dhe kapitalin njerëzor, ku roli dhe përkrahja nga BERZH ka vlerë të veçantë.
Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri po ashtu në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe të Kryeministrit Thaçi e ka falënderuar Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për mbështetjen e dhënë që Kosova të bëhej anëtare me të drejta të plota. Po ashtu, znj.Tahiri falënderoi edhe shtetet anëtare, si dhe për ndihmën që po jep kjo bankë në sektorë të ndryshëm, duke i siguruar ata që Qeveria e Kosovës është e angazhuar me kapacitetet e saja institucionale për të realizuar projektet zhvillimore të vendit, që ndikojnë direkt në përmirësimin e jetës së qytetarëve dhe krijimin e klimës për investime të jashtme.
Znj.Tahiri më pastaj foli për vizionin euro-atlantik të Kosovës duke theksuar se Qeveria e Kosovës angazhohet për zbatimin e reformave dhe vlerave euro-atlantike dhe në këtë proces politikat tona janë të qarta dhe përkushtimi i jonë është i plotë. Znj.Tahiri potencoi se përparimet e Kosovës në rrugën e realizimit të reformave evropiane janë substanciale si në fushën e sundimi i ligjit, mbështetja për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik, qeverisjen e mirë, rendin dhe ligji, zhvillimin e kapaciteteve njerëzore si dhe për rritjen e mirëqenies sociale të popullatës. Ajo vuri në pah rëndësinë e partneritetit strategjik me bashkësinë euro-atlantike dhe mbështetjen në rrugën e integrimeve evropiane dhe euro-atlantike për shtetin e ri të Kosovës.
Duke folur për stabilitetin dhe sigurinë rajonale, ajo tha se shteti i Kosovës është një faktor i rëndësishëm për paqen dhe stabilitetin në rajon me politikat e saja për fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim rajonal, të cilën e ka dëshmuar edhe në dialogun e Brukselit për fqinjësi të mirë me Serbinë.
Delegacioni i BERZH-it shprehu vlerësimet për bashkëpunimin me Kosovën dhe u zotua se BERZH do të vazhdojë përkrahjen për shtetin e Kosovës në fushat që janë me interes për zhvillimin ekonomik, zhvillimin e kapitalit njerëzor, dhe shtimin e këmbimit të përvojave në fusha të interesit të përbashkët duke e bërë Kosovën një vend edhe më shumë atraktivë për investime të jashtme në të mirën e gjithë qytetarëve.
