Prishtinë, 3 nëntor 2016
Zëvendëskryeministri i Republikës së Kosovës, Ramiz Kelmendi vizitoi sot Komunën e Podujevës, ku u prit nga kryetari i Komunës, Agim Veliu, me bashkëpunëtorë.
Gjatë takimit, zëvendëskryeministri Kelmendi i shoqëruar nga zëvendësministri i Ministrisë së Administrimit dhe Pushtetit Lokal, Bajram Gecaj, është njoftuar nga kryetari Veliu për zhvillimet aktuale në Komunë, por edhe për sfidat me të cilat përballet komuna në hapjen e bizneseve.
“U informova nga kryetari për planet zhvillimore strategjike të komunës, njëkohësisht shpreha interesim se çka duhet të bëjë Qeveria e Republikës së Kosovës për planet hapësinore të komunës, në mënyrë që investitorët e brendshëm, sidomos investitorët e vegjël të kenë hapësira në kuadër të komunës për zhvillimin e veprimtarive të tyre. Meqenëse e kemi afër planin për pakon e dytë fiskale, të shohim se çka mund të bëjmë që të stimulojmë zhvillimin e bizneseve të vogla në komunën e Podujevës dhe komunat tjera”, tha zëvendëskryeministri Kelmendi.
Kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu, tha se me zëvendëskryeministrin Kelmendi ka biseduar për orientimet kryesore të Komunës së Podujevës, por edhe për punën që ka bërë Komuna në hartimin e strategjive për zhvillim ekonomik.
Më tej, kryetari i Komunës Veliu, theksoi se një nga vështirësitë me të cilat ballafaqohet Komuna është mungesa e hapësirave të nevojshme për zhvillimin e bizneseve.
“E informova zëvendëskryeministrin se ne si komunë jemi të përgatitur për të pritur investime zhvillimore, sepse i kemi të hartuara të gjitha strategjitë edhe për sa i takon zhvillimit ekonomik lokal, edhe dokumentet tjera strategjike. Natyrisht e informova edhe për disa vështirësi që i ka komuna sa i takon hapjes së bizneseve për shkak të mungesës së hapësirave të nevojshme, pasi që sipërfaqet më të mëdha të komunave janë nën autoritetin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit dhe të Agjencisë së Pyjeve të Kosovës”, tha kryetari Veliu, i cili theksoi se në takim është biseduar edhe për mundësitë dhe përparësitë që ofron kjo trevë për zhvillimin e bizneseve.
