Zëvendëskryeministri Limaj i quan heronj prodhuesit vendorë


Image


Image


Image


Image

Podujevë, 20 dhjetor 2017

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj, ka vizituar fabrikën “S/Sprint”, e cila merret me prodhimin e veshjeve sportive. Me këtë rast ai është zotuar se Qeveria e Kosovës do të vazhdojë t'i mbështesë edhe më fuqishëm prodhuesit vendorë.

Madje, zëvendëskryeministri Limaj i ka quajtur heronj prodhuesit vendorë dhe i ka ftuar qytetarët t’i kthejnë sytë nga prodhuesit vendorë.

“Qeveria e Kosovës e ka vendosur si prioritet mbështetjen e prodhuesve vendorë. Në këtë drejtim ne kemi marrë edhe disa masa të cilat kanë për qëllim krijimin e lehtësirave për bizneset vendore. Kosova përfundimisht do ta rregullojë tregun e brendshëm. Askush nuk na ndalon që t'i mbështesim prodhuesit vendorë”, ka thënë zëvendëskryeministri Limaj.

Limaj është impresionuar me punën që po bëjnë punonjësit e kësaj fabrike, duke shtuar se produktet e fabrikës ”S/Sprint” nuk dallojnë asgjë për nga cilësia me produktet e fabrikave të vendeve evropiane.

Sami Sopa, drejtor i kësaj fabrike, e ka njoftuar zëvendëskryeministrin Limaj me punën që bën kjo fabrikë.
Ai ka falënderuar Qeverinë për masat e ndërmarra së fundi për mbështetjen e prodhuesve vendorë. Në të njëjtën kohë ai ka ngritur si shqetësim mungesën e energjisë elektrike.

Fabrika “S/Sprint” ka rreth 70 punëtorë, kryesisht të gjinisë femërore. Produktet e kësaj fabrike eksportohen edhe jashtë vendit.

Zëvendëskryeministri Limaj në këtë vizitë u shoqërua nga ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi dhe drejtuesit e Klubit të Prodhuesve Vendorë.
 

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors