Zëvendëskryeministri Kuçi: Vendimet tona kanë qenë të fuqishme dhe të vendosura, por natyrisht edhe sfiduese


Image

Prishtinë, 28 shtator 2011

Në konferencën për media të mbajtur pas takimit të radhës të Bordit për Sundimin e Rendit dhe Ligjit, zëvendëskryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës Hajredin Kuçi  ka thënë se:

Ne shprehëm qëndrimin në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës për zhvillimet e pas 25 korrikut në veriun e Kosovës, për vendimet tona që kanë qenë të fuqishme dhe të vendosura, por natyrisht edhe sfiduese.

Ne falënderuam dhe shprehëm admirimin tonë për koordinim të plotë dhe të mirë që kemi me EULEX-in dhe KFOR-in në planin operacional.

Natyrisht që presim që mozaiku për rendin dhe ligjin të plotësohet edhe me heqjen e barrikadave, në funksionalitetin e plotë të gjykatave në veri të Kosovës, në vendosjen para drejtësisë të të gjithë atyre që kanë shkelur rendin dhe ligjin dhe me kthimin normal të asaj pjese të territorit të Republikës sonë.

Biseduam edhe për zhvillimet tjera jashtë veriut, në veçanti për prezantimet tona për kodin penal që shumë shpejt do ta dërgojmë në Kuvendin e Kosovës, një kod modern, i standardeve ndërkombëtare dhe, për zhvillimet tjera që kanë të bëjnë me raportin e progresit, por ne do t’i identifikojmë të arriturat tona, por duhet t’i identifikojmë edhe sfidat që do të dalin nga ai raport, por do të ulemi bashkërisht para përfundimit të këtij viti dhe do të zhvillojmë vizionin për rendin dhe ligjin në Republikën e Kosovës.

Qeveria e Kosovës është e kënaqur me zhvillimet pozitive për rendin dhe ligjin, por pret mbështetjen edhe më të madhe, përkushtimin edhe më të lartë për rend dhe ligj në gjithë territorin e Republikës së Kosovës

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors