Prishtinë, 7 tetor 2009
Në vazhdim, po e japim të plotë fjalën e zëvendëskryeministrit Kuçi:
Biseduam për bashkëpunimin ndërmjet dy qeverive tona dhe për vullnetin e mirë që kemi si Qeveri e Republikës së Kosovës për marrëdhënie të mira me Kroacinë.
E falënderova për gjithë mbështetjen që ka dhënë Republika e Kroacisë në gjithë procesin e lirisë dhe pavarësisë së Kosovës dhe shpreha gatishmërinë për bashkëpunim bilateral, por edhe në mekanizmat ndërkombëtar.
Kemi një vullnet të dy anshëm edhe në fushën e sigurisë. Mendojmë se luftimi i dukurive negative, krimit të organizuar dhe dukurive tjera, duhet të bëhet me një bashkëpunim të plotë mes dy vendeve tona dhe vendeve në rajon.
Kosova ka vullnet të mirë të bashkëpunoj me Kroacinë, por edhe me vendet tjera fqinje, përfshirë Malin e Zi, Maqedoninë, Shqipërinë, por dhe Serbinë. Besoj se Republika e Kroacisë ka një traditë të mirë në ndërtimin e shtetit, në rrugën e integrimit në NATO dhe në Bashkim Evropian.
Të gjitha fushat e bashkëpunimit janë të hapura në mes të dy shteteve, që kanë një të kaluar përafërsisht të përbashkët, por mbi të gjitha kanë vullnet të njëjtë për të ardhmen.
