Prishtinë, 23 tetor 2009
Në kuadër të Forumit të nivelit ndërkombëtar “Ditët e Zhvillimit të Evropës”, që po mbahet në Stokholm të Suedisë, zëvendëskryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Hajredin Kuçi ka zhvilluar takime me personalitete të larta të shtetit suedez.
Sot zëvendëskryeministri Kuçi ka zhvilluar takime me ministren për Çështje Evropiane të Suedisë, Marina Osenius, me sekretarin e Departamentit për shtetet e Ballkanit në Ministrinë e Jashtme të Suedisë, Kersin von Hedenberg. Në orët e pasditës zëvendëskryeministri i Republikës së Kosovës ka takuar ministren për Zhvillim dhe Bashkëpunim me shtete e BE-së, Gunilla Carlson.
Në takimet e zëvendëskryeministrit Hajredin Kuçi me autoritetet e larta të Suedisë është diskutuar rreth rreth forcimit dhe thellimit të bashkëpunimit bilateral në mes të dy shteteve.
Zëvendëskryeministri Kuçi me këtë rast falënderoi qeverinë dhe popullin suedez për përkrahjen e vazhdueshme dhënë deri për Republiken e Kosovës dhe në të njejtën kohë mirëpriti gatishmërin e vazhdimësisë së mbështetjes suedeze për avancimin e të gjitha proceseve pozitive në Kosovë.
Në të gjitha takimet e sotme zëvendëskryeministrit Kuçi në Stokholm, është ngritur edhe çështja e mbështetjes dhe lehtësimeve rreth liberalizimit të vizave, mundësia e mbështetjes suedeze për ngritjen e kapaciteteve investive në fushat me prioritet për zhvillimin e Kosovës, me theks të veçantë në fushën e ekonomisë, edukimit dhe mjedisit.
Zëvendëskryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Hajredin Kuçi gjatë takimeve me autoritetet e shtetit të Suedisë, po ashtu mori mbështetjen e plotë të qeverisë suedeze për rritjen e numrit të njohjeve për shtetin e Kosovës.
Nga ana e tyre, anëtarët e kabinetit qeveritar suedez, ministrja për Çështje Evropiane të Suedisë, Marina Osenius, ministrja për Zhvillim dhe Bashkëpunim me shtete e BE-së, Gunilla Carlson, si dhe sekretari i Departamentit për shtetet e Ballkanit në Ministrinë e Jashtme të Suedisë, Kersin von Hedenberg, gjatë takimeve me zëvendëskryeministrin Kuçi theksuan përparimet që janë bërë viteve të fundit në Kosovë, duke potencuar në këtë kuadër investimet në edukim, infrastrukturë, në integrimin e komuniteteve dhe respektimin afirmativ të të drejtave të tyre, me theks të veçantë integrimin e komunitetit serb.
Autoritetet e larta të qeverisë suedeze, morën njoftime nga ana e zëvendëskryeministrit Kuçi edhe rreth përgatitjeve që është duke i bërë Qeveria e Republikës së Kosovës, për themelimin e Ministrisë së Integrimeve, si një hap substancial që dëshmon që për Kosovën dhe institucionet e saj Agjenda Evropiane është prioriteti kryesor i zhvillimit të gjithmbarshëm të vendit.
Nesër, zëvendëskryeministri Kuçi do të takohet me Bjorn von Sydow, deputet në Parlamentin e Suedisë dhe Raportues Special për Kosovën në Asamblenë Parlamentare të Keshillit të Evropës.
