Prishtinë, 10 qershor 2009
Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi ka falënderuar z. Almhofer për punën dhe angazhimin që po bënë Misioni i OSBE-së në Kosovë. Gjatë takimit është diskutuar për veprimet konkrete që duhet bërë për një përmirësim të gjendjes në të gjitha fushat që ka kompetencë OSBE-ja, por janë prioritete edhe të Qeverisë, si për rendin dhe ligjin, për të drejtat e minoriteteve si dhe të drejtat e njeriut, por edhe aspektet të tjera që kanë të bëjnë edhe me lirinë e shtypit, medieve, si dhe shumë aspekte që kanë të bëjnë me një demokratizim të tërësishëm të shoqërisë sonë.
“Në veçanti diskutuam edhe për çështjen e organizimit të zgjedhjeve lokale këtë vit.
Qeveria e Kosovës fton OSBE-në që të punojmë bashkërisht, që të jemi në bashkëpunim të plotë dhe të kemi një ndihmë në organizimin sa më të mirë të zgjedhjeve lokale në këtë vit”, ka thënë zëvendëskryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Hajredin Kuçi.
Z. Kuçi shprehu bindjen se zgjedhjet do të jenë të lira dhe demokratike. OSBE-ja do ta luajë rolin e vet, së bashku me mekanizmat e tjerë ndërkombëtarë që do të jenë në Kosovë, por edhe ato që do të ftohen enkas për atë proces zgjedhor.
