Prishtinë, 26 gusht 2009
Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi ka falënderuar z. Almhofer për punën dhe angazhimin që po bënë Misioni i OSBE-së në Kosovë.
Gjatë takimit është diskutuar për përgatitjet që po bëhen për mbarëvajtjen e zgjedhjeve lokale të 15 nëntorit, me ç’rast zëvendëskryeministri Kuçi ftoi OSBE-në për të punuar bashkërisht në organizimin sa më të mirë të këtyre zgjedhjeve.
Ndërkaq, ambasadori Almhofer, shprehu edhe njëherë gatishmërinë, që OSBE-ja ka për të ndihmuar procesin e zgjedhjeve dhe theksoi se ajo do ta ketë vetëm rolin këshillëdhënës, si dhe do t’i ofrojë asistencë teknike Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në organizimin sa më të mirë të tyre.
Në këtë takim është biseduar edhe rreth zhvillimeve në procesin e decentralizimit dhe integrimit të pakicave në institucionet e Republikës së Kosovës, për forcimin e bashkëpunimit në mes të gjithë faktorëve në përpjekjet e vazhdueshme për sundim të ligjit, të drejtat e minoriteteve si dhe të drejtat e njeriut, por edhe aspektet të tjera që kanë të bëjnë edhe me lirinë e shtypit, medieve, si dhe shumë aspekte që kanë të bëjnë me një demokratizim të tërësishëm të shoqërisë sonë.
