Prishtinë, 29 qershor 2010
Zëvendëskryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Hajredin Kuçi, ka takuar sot përfaqësuesit e disa fshatrave të komunës së Pejës dhe të Deçanit dhe ka biseduar me ta dhe u ka sqaruar detaje të marrëveshjes ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Malit të Zi, për lehtësimin e shfrytëzimit të pronave në kufi.
Takimi është mbajtur në Kuvendin Komunal të Pejës dhe kanë marrë pjesë edhe kryetari i komunës Ali Berisha, dhe drejtues të Policisë kufitare të Kosovës.
“Qeveria e Kosovës ka arritur një marrëveshje me Qeverinë e Malit të Zi lidhur me shfrytëzimin e pronave në brezin kufitar e cila ka qenë një prej problemeve të kësaj ane dhe presim mirëkuptimin e banorëve”, ka thënë z. Kuçi, duke shtuar se Marrëveshja me Qeverinë e Malit të Zi, krijon mundësi të shfrytëzimit të pronave dhe kullosave për gjithë qytetarët që i kanë shfrytëzuar edhe më herët në këtë rajon dhe njëkohësisht do të ketë lehtësira në qarkullim, por edhe në taksa.
Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi më tutje ka pohuar se Qeveria e Kosovës është duke punuar dhe është duke bërë përpjekje të vazhdueshme edhe për demarkacionin e vijës kufitare me Malin e Zi. “Ajo çka mund të them në emër të Qeverisë, është se ne jemi të kënaqur me arritjen e kësaj marrëveshje për kufirin me Malin e Zi”, theksoi z. Kuçi.
Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi siguroi përfaqësuesit e këtyre fshatrave të Pejës dhe Deçanit se Qeveria e Kosovës do ta respektojë në tërësi këtë marrëveshje dhe pritet që të njëjtën gjë ta bëjë edhe Mali i Zi .
“Raportet Kosovë-Mali i Zi janë raporte të shkëlqyera dhe nuk ka pika kontestuese në këtë drejtim”, pohoi zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi.
