Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi: Kosova po ndërton një administratë moderne dhe efikase e cila synon të përkojë me standardet evropiane


Image

Prishtinë 16 dhjetor 2009

Nën drejtimin e zëvendëskryeministrit të Qeverisë së Republikës së Kosovës, Hajredin Kuçi është mbajtur sot takimi i radhës i Komisionit të Reformës së Administratës Publike. Merrnin pjesë ministra të Qeverisë së Kosovës, përfaqësues të ambasadës së Britanisë së madhe, FRIDOM-it, DFID-it etj.

Në hapje të takimit zëvendëskryeministri Kuçi theksoi se procesi i ndërtimit të institucioneve të pavarura dhe demokratike të Republikës së Kosovës, kishte determinuar dinamikën dhe efikasitetin e ndërtimit të administratës kosovare. Ky proces i përshpejtuar i instalimit të administratës publike me pavarësimin e institucioneve të vendit, ndikoi në cilësinë e funksionimit të administratës kosovare.

Më tutje z. Kuçi tha se Qeveria e Republikës së Kosovës në Programin e saj qeverisës ka identifikuar Reformën në Administratën Publike si një nga prioritetet kryesore në kuadër të mandatit të saj qeverisës me qëllim të përmirësimit të performancës së mëtutjeshme të institucioneve qeveritare. Mbi bazën e politikës së qeverisjes së mirë, ky Komisioni Ndërministror gjatë gjithë kësaj periudhe të funksionimit kishte për qëllim të bëjë rishikimin funksional të Administratës Publike.

“Qeveria e Kosovës në bashkëpunim me ministritë përkatëse dhe me përkrahje të vazhduar të Projektit FRIDOM të mbështetur nga Departamenti për Zhvillim Ndërkombëtar (DFID) i Mbretërisë së Bashkuar, ka bërë një analizë të problemeve kryesore në organizimin e Qeverisë së Kosovës dhe ministrive të saj.

Nga gjetjet preliminare është vërejtur se ekziston nevojë imediate e rishikimit të përgjegjësive dhe kompetencave të Ministrive, organizimit të brendshëm strukturor të tyre dhe nevojën e rishikimit të alokimit të burimeve njerëzore”, theksoi z. Kuçi, duke shtuar se Qeveria e Republikës së Kosovës, është duke punuar në kompletimin e infrastrukturës ligjore, avancimin e sistemit të pagave, lansimin e qeverisjes elektronike dhe sigurimin e infrastrukturës së nevojshme fizike për një funksionim efikas të institucioneve të Republikës së Kosovës.

Në takimin e sotëm Komisioni i Reformës së Administratës Publike ka miratuar Planet Zhvillimore Strategjike të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe të Ministrisë së Administratës Publike, të cilat do të miratohen më pas nga Qeveria e Kosovës.

Po sot janë miratuar edhe rekomandimet nga rishikimet funksionale të Ministrisë së Shëndetësisë, Ministrisë së Kulturës , Rinisë dhe Sporteve, Ministrisë për Kthim dhe Komunitete. Në takimin e ardhshëm Komisioni i Reformës së Administratës Publike pritet të miratojë edhe rekomandimet për rishikimin funksional edhe të ministrive tjera.  

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors