Prishtinë, 29.08.2013
Zëvendëskryeministret e Republikës së Kosovës, znj. Edita Tahiri dhe znj. Mimoza Kusari-Lila, morën pjesë në ceremoninë me rastin e inaugurimit të Memorialit të dëshmorëve dhe martirëve në Çabrat të Gjakovës.
Kjo ceremoni u mbajt nën përkujdesjen e Kryeministrit Hashim Thaçi, me rastin e Ditës ndërkombëtare të të zhdukurve.
Përfaqësueset e Qeverisë së Kosovës vlerësuan kontributin e rëndësishëm të të gjithë atyre që u flijuan për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
“Të nderosh dëshmorët dhe martirët e kombit është nderim i atdheut dhe respektim i së ardhmes. Rënia e martirëve dhe dëshmorëve në Gjakovë ishin themel i fortë për shtetin e Kosovës dhe për realizimin e ëndrrës shekullore të shqiptarëve. Çështja e të pagjeturve është çështje e drejtësisë dhe humanitetit dhe një plagë e thellë e luftës, andaj Qeveria e Kosovës do të ketë angazhim maksimal deri në ndriçimin e plotë të fatit të të pagjeturve” – tha zëvendëskryeministrja Tahiri
Në emër të Qeverisë së Kosovës, zëvendëskryeministret Tahiri dhe Kusari-Lila vendosën kurora lulesh në memorialin e dëshmorëve dhe martirëve në Çabrat.
