Prishtinë, 11 tetor 2013
Qeveria e Republikës së Kosovës, e drejtuar nga kryeministri Hashim Thaçi, në mbledhjen e saj të rregullt, ka aprovuar projektligje, rregullore dhe vendime tjera të fushave të saja të përgjegjësive kushtetuese dhe ligjore.
Në hapje të mbledhjes, kryeministri Hashim Thaçi ka shprehur falënderimin për gjithë spektrin politik kosovar për fillimin e një fushate të qetë, korrekte, konstruktive, të standardeve perëndimore, me një pjesëmarrje aktive dhe dinamike të qytetarëve të vendit.
“Ajo që shihet në këto ditë të fushatës, është se të gjithë janë të zotuar për të punuar për komunën, sa më afër qytetarit, për të punuar edhe më tepër për të ardhmen evropiane të vendit, të standardeve perëndimore, për të punuar për një fushatë të mirëfilltë, për një fushatë me mesazhet më të mira të mundshme në interesin e të gjithë qytetarëve.
Shpresoj dhe besoj fuqishëm që kësaj radhe edhe në veri do të marrin pjesë edhe pjesëtarët e komunitetit serbë, për çka i ftoj që të angazhohen për pjesëmarrje në zgjedhje dhe integrimin e katër komunave në kornizën kushtetuese dhe ligjore të Kosovës, për të ushtruar autoritetin dhe sovranitetin në gjithë territorin e Republikës së Kosovës” ka thënë kryeministri Hashim Thaçi në hapje të mbledhjes së sotme” – theksoi Kryeministri Thaçi.
Kryeministri ka njoftuar kabinetin qeveritar për takimin me lidershipin e komunave të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanovcit.dhe ka vlerësuar se takimi ka qenë jashtëzakonisht i mirë.
“Ne urojmë lidershipin e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit që të vazhdojë ky dialogun me Qeverinë e Beogradit. Gjithmonë i kemi përkrahur dhe i mbështesim kërkesat legjitime, për afirmimin e të drejtave kombëtare, politike, demokratike të tyre. Në të njëjtën kohë, unë kam shqyrtuar kërkesën e lidershipit të shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, që janë kresa edhe të qytetarëve atje, për heqjen e taksave për veturat në vendkalimet kufitare për qytetarët e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit kur hyjnë në territorin e Kosovës. Këtë kompensim do ta bëjë Qeveria e Kosovës dhe ministria e Financave duhet të angazhohet që ta implementojë këtë vendim.
Prandaj, ju ftoj sot që Qeveria e Kosovës të aprovojë vendimin për heqjen e taksave për veturat e qytetarëve të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanovcit që hyjin në territorin e Republikës së Kosovës nga 21 tetori i këtij muaji” ka thënë kryeministri në fjalën e tij ndërsa kabineti qeveritar ka aprovuar vendimin për heqjen e taksave për veturat e qytetarëve të Preshëvës, Bujanovcit dhe Medvegjës që hyjnë në Kosovë” – theksoi kryeministri Thaçi.
Në vazhdim Qeveria ka miratuar projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të komuniteteve dhe pjesëtarëve të tyre në Republikën e Kosovës është miratuar sot nga Qeveria e Republikës së Kosovës. Ky projektligj rregullon përbërjen dhe përfshirjen në Këshillin Konsultativ për Komunitete, i cili funksionon pran presidencës së Kosovës, me përfaqësuesit e komuniteteve dhe institucioneve në të.
Në mbledhjen e sotme është miratuar Projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes për hua të financimit për vazhdimin e ndërtimit të rrugës Prishtinë- Mitrovicë, që është lidhur në mes të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Fondi I OPEC për Zhvillim Ndërkombëtarë. Shuma e huas është 20 milion dollar shlyerja e të cilës do të fillojë në gusht të viti 2018 dhe do të përfundojë në shkurt të viti 2033.
Kabineti qeveritar ka miratuar r=Rregulloren për Aditivët ushqimor që përcakton lejueshmërinë e përdorimit të aditivëve ushqimorë me qëllim të sigurimit të funksionimit efikas të tregut me nivel të lartë të mbrojtjes së shëndetit të njerëzve, interesave të konsumatorëve, sipas nevojës për mbrojtjen e mjedisit dhe me qëllim të sjelljes korrekte ne tregun e ushqimit.
Rregullorja për ndryshimin dhe plotësimin e rregullores për organizimin e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës, e miratuar sot nga kabineti qeveritar, përcakton qëllimin organizimit të kësaj agjencie dhe detyrat e përgjegjësitë organizative të saj.
Strategjia kombëtare e Republikës së Kosovës për menaxhimin e integruar të kufirit, pasqyron vizionin e qartë të Republikës së Kosovës, për sigurinë dhe përafrimin e Republikës së Kosovës me bashkimin Evropian, lëvizjen e lirë të njerëzve dhe mallrave, parandalimin e krimit duke respektuar standardet më të larta të të drejtave të njeriut
Zbatimi i konceptit të Menaxhimit të Integruar të Kufirit është gjithashtu një tregues i qartë për partnerët ndërkombëtarë që Republika e Kosovës është e gatshme të kontribuojë për sigurinë rajonale dhe më gjerë, duke u bërë një partner i besueshëm si për BE-në dhe të tjerët, në sferën e kontrollit të kufijve të saj.
Në procesin e zhvillimit të një Strategjie Kombëtare për Menaxhimin e Integruar të Kufirit, Qeveria e Republikës së Kosovës ka marr në konsideratë situatën socio-politike dhe sistemit juridik të Republikës së Kosovës dhe të rajonit, duke krahasuar përvojat e vendeve të tjera në këtë fushë.
Strategjia dhe Plani i Veprimet për Menaxhimin e Integruar të Kufirit, janë dokumente fleksibile të cilat mund të plotësohen dhe ndryshohen në vazhdimësi në aspektin e zbatimit gradual të parametrave, objektivave, veprimeve dhe proceseve të punës, në sferën e bashkëpunimit dhe bashkërendimit të aktiviteteve duke iu përshtatur rregullave dhe mundësive në përputhje me gjendjen në terren, interesat strategjike të Republikës së Kosovës dhe ndryshimeve brenda standardeve të BE-së.
Strategjia kombëtare për riintegrimin e personave të riatdhesuar në Kosovë, është edhe një dokument tjetër i politikave të Qeverisë së Republikës së Kosovës në fushën e migracionit dhe riintegrimit të personave të riatdhesuar, paraqesin një aspekt të rëndësishëm në marrëdhëniet e Republikës së Kosovës me shtetet anëtare të Bashkimit Evropian, në kuadër të angazhimeve të Qeverisë së Republikës së Kosovës për liberalizimin e vizave dhe për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Synim i përgjithshëm i Strategjisë së Riintegrimit është fuqizimi i mekanizmave të strukturuar mirë, të pavarur, plotësisht funksional dhe profesional për riintegrimin e qëndrueshëm të personave të riatdhesuar, në nivelin qendror dhe lokal.
Për të arritur qëllimin e përgjithshëm, Qeveria do të:
• Hartojë dhe zbatoj kornizën ligjore gjithëpërfshirëse;
• Fuqizojë strukturat ekzistuese institucionale në nivelin qendror dhe lokal;
• Fuqizojë dhe zbatoj mekanizmat efektiv të koordinimit dhe bashkëpunimit horizontal dhe vertikal;
• Funksionalizojë sistemin për Menaxhimin e Rasteve ( SMR);
• Decentralizojë kompetencat dhe resurset në nivel lokal;
• Sigurojë kapacitetet e burimeve njerëzore adekuate;
• Sigurojë mjete të mjaftueshme dhe mekanizma funksional për shpërndarjen e tyre;
• Sigurojë shmangien e diskriminimit pozitiv, ndërsa shërbime specifike ofrohen vetëm për kategori të caktuara në harmoni me legjislacionin në fuqi;
• Fuqizojë bashkëpunimin mes strukturave publike dhe shoqërisë civile për hartimin dhe zbatimin e programeve specifike në ndihmë të riintegrimit të personave të riatdhesuar;
• Ngrit vetëdijesimin përmes fushatave publike informuese;
• Sigurojë trajtim të barabartë për të gjithë personat e riatdhesuar duke marrë parasysh nevojat e tyre specifike;
• Fuqizojë sistemin e monitorimit dhe raportimit.
Në vazhdim të realizimit të projekteve kombëtare të ndryshme të infrastrukturës, Qeveria e Kosovës ka miratuar vendimet përfundimtare për shpronësimin e pronave të paluajtshme të pronarëve dhe të zotëruesve të interesit të cilat preken nga ndërtimet e rrugëve Prishtinë – Pejë, në zonat kadastrale Balincë, Llazicë, Mleqan dhe Kijevë të komunës së Malishevës; Për ndërtimin objektit administrativ të Agjencisë për Menaxhimin e Emergjencave në zonat kadastrale të Hajvalis dhe Qagllavicës në komunën e Prishtinës.
Edhe vendimi përfundimtarë i shpronësimeve të pronave që preken nga ndërtimi i autostradës Vërmicë-Merdar në zonat Banjë, Bellanicë, Carallukë, Tërpezë, Lladrofc, Shkarashnik, Temeqinë të komunës së Malishevës dhe Bllacë, Duhël dhe Sllapuzhan në Komunën e Suharekës, ëshhtëmiratuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës.
Gjithashtu edhe vendimi tjetër i Qeverisë së Republikës së Kosovës ka të bëjë me shpronësimet e pronave që preken nga ndërtimi i autostradës Vërmicë-Merdar dhe të rrugës Prishtinë – Mitrovicë, në zonat kadastrale të komunës së Obiliqit dhe Prishtinës.
Kryeministri i Kosovës ka kërkuar nga ministri i Arsimi, Shkencës dhe Teknologjisë që të përshpejtohen të gjitha procedurat për themelimin e Universitetit Publik të Ferizajt.
