Prishtinë, 2 prill 2014
Nën drejtimin e kryeministrit Hashim Thaçi, Qeveria e Republikës së Kosovës ka zhvilluar mbledhjen e rregullt. Në mbledhje ka shqyrtuar dhe miratuar dokumente të politikave qeveritare të fushës së përgjegjësive të saja kushtetuese dhe ligjore.
Dokumenti i parë i miratuar në mbledhjen e sotme të kabinetit qeveritar është Rregullorja për mënyrën e shkëmbimit të informacioneve dhe notifikimin e rregulloreve teknike, procedurave të vlerësimit të konformitetit dhe standardeve. Me këtë rregullore përcaktohet procedura e notifikimit, vlerësimit të konformitetit dhe standardeve në përputhje me marrëveshjet ndërkombëtare të nënshkruara nga Republika e Kosovës dhe me rregullat e Bashkimit Evropian. Rregullorja zbatohet për produktet industrial dhe bujqësore, duke përfshirë edhe produktet e peshkut, me përjashtim të atyre që u përkasin kryesisht mbrojtjes së punëtorëve kur përdoren si produkte.
Qeveria e Kosovës ka miratuar vendimin për ndryshimin dhe plotësimin e Planit të Dokumenteve Strategjike për vitin 2013. Në planin e dokumenteve strategjike për vitin 2014 të Qeverisë së Republikës së Kosovës do të përfshihen këto dokumente strategjike:
1. Projekt-strategjia për reformën rregullative 2014-2020
2. Projekt-strategjia për të drejtat pronësore
3. Projekt-strategjia për partneritetin publiko-privat
Me vendimin e aprovuar sot në mbledhje të Qeverisë së Kosovës është themeluar Këshilli për zbatimin e Strategjisë qeveritare për bashkëpunim me shoqërinë civile për vitet 2013-2017. Ky Këshilli është struktura kryesore përgjegjëse për sigurimin e zbatimit të Strategjisë qeveritare për bashkëpunim me shoqërinë civile. Këshilli për zbatimin e Strategjisë qeveritare për bashkëpunim me shoqërinë civile për vitet 2013-2017 në përbërjen e tij ka 29 anëtarë, nga të cilët 14 janë përfaqësues të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe 15 përfaqësues nga shoqëria civile dhe do të udhëhiqet nga: Fitim Krasniqi, Sekretar i Përgjithshëm në Zyrën e Kryeministrit, kryesues dhe përfaqësuesi i emëruar nga Platforma CiviKos bashkëkryesues.
Në mbledhje është aprovuar vendimi për ndryshimin dhe plotësimin e vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës për kompensimin e sekretarisë së Komisionit Qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të Dëshmorit të Kombit, Invalidit, Veteranit, pjesëtarit apo të internuarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Personeli i kësaj sekretarie ka gjashtë punëtorë administrativ që do të paguhen me treqindepesëdhjetë euro pagë bruto në muaj.
Vendimi i radhës, i aprovuar nga kabineti qeveritar ka të bëjë me plotësimi dhe ndryshimin e vendimit për themelimin e Grupit Punues Ndërministror për Ballafaqim me të Kaluarën dhe Pajtim. Sipas të cilit zëve3dëskryesuesi nga shoqëria civile zgjidhet nga anëtarët e grupit punues dhe grupi punues i paraqet raport vjetor Qeverisë së Kosovës dhe një kopje të raportit i dorëzon edhe Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë.
Qeveria e Republikës së Kosovës ka aprovuar rekomandimin e Këshillit për Pozitat e Nivelit të Lartë Drejtuese sipas propozimit të Komisionit të ankesave për zgjedhjen e kryeinspektorit të Inspeksionit të Tregut në Ministrinë e Tregtisë së Industrisë. Sipas vendimit është anuluar emërimi i Muharrem Pozhegut në pozitën e kryeinspektorit, sipas vendimit të mëhershëm të Qeverisë së republikës së Kosovës
Kabineti qeveritar ka aprovuar vendimin për aprovimin e Projekt-propozimeve për raundin e 11-të të Kornizës së Investimeve në Ballkanin Perëndimor. Ministria e Integrimeve Evropiane në Qeverinë e Republikës së Kosovës do të dorëzojë këto projekt-propozime:
1. Studimi i Fizibilitetit dhe azhurnimi i Dizajnit të Detajuar Teknik për ndërtimin e rrugës Prishtinë –Pejë, segmenti Kijevë-Klinë.
2. Azhurnimi i studimit të Fizibilitetit dhe azhurnimi i Dizajnit të Detajuar Teknik për Ndërtimin e autostradës, segmenti Prishtinë-Merdare.
Shuma e granitit të kërkuar për projekt-propozimin e parë është 0.8 milion euro, ndërsa për propozimin e dytë 0.5 milion euro.
Qeveria e Kosovës ka miratuar Udhërrëfyesin e Reformës së Administratës Publike për vitin 2014. Ku Udhërrëfyes ka dal edhe nga rekomandimet e takimit të parë të Grupit të Veçantë për Reformën e Administratës Publike, që është trup i përbashkët i institucioneve të Republikës së Kosovës dhe Komisionit Evropian.
Me vendimin e miratuar nga Qeveria e Kosovës është aprovuar nisma e Ministrisë së Forcës së Sigurisë për lidhjen e marrëveshjes ndërkombëtare për statusin e anëtarëve të Forcës së Sigurisë Së Kosovës dhe Forcave të Armatosura të Republikës së Maqedonisë gjatë qëndrimit të tyre të përkohshëm në territorin e shteteve përkatëse.
Qeveria e Republikës së Kosovës ka dhënë miratimin edhe për Strategjinë për Zhvillimin e Partneriteteve Publike-Private për Republikën e Kosovës 2014-2016. Kjo strategji identifikon pesë objektiva:
1. Për të lidhur planifikimin e Partneriteteve Publike-Private me Kornizën Buxhetore të Kosovës dhe me me planifikimin e politikave me prioritet;
2. Për të ngritur kapacitete të qëndrueshme për zhvillimin dhe implementimin e projekteve në Kosovë, duke planifikuar dhe themeluar mekanizmin e asistencës teknike për zhvillimin e projekteve;
3. Për të zhvilluar kapacitetet për iniciativën e financave private duke zgjeruar ndërgjegjësimin e tyre si një opsion i Partneriteteve Publike-Private;
4. Për të rritur komunikimin me sektorin privat duke zhvilluar dhe publikuar planin e transaksioneve të planifikuara të Partneriteteve Publike-Private;
5. Për të forcuar menaxhimin e kontratave të Partneriteteve Publike-Private duke krijuar sistemin e mbikëqyrjes bazuar në rrezik.
Në mbledhjen e sotme është aprovuar edhe Raporti Vjetor për Vlerësimin e Përshtatshmërisë së Sistemit të Financimit për Komuna për vitin 2013 dhe rekomandimin për Komisionin e Granteve.
Qeveria ka miratuar vendimin përfundimtar për shpronësimin për interes publik, të pronave të paluajtshme të pronarëve dhe zotëruesve të interesit, të cilat preken nga ndërtimi i rrugës ‘’Transiti i Shtimes’’që lidhë rrugët nacionale Prishtinë – Prizren, Shtime – Ferizaj dhe rrugët regjionale të segmentit rrugor Shtime- Suharekë dhe Lipjan- Shtime në zonat kadastrale Shtime, Davidoc Belincë, Petroviq dhe Godanc i Poshtëm të Komunës së Shtimes
Është aprovuar gjithashtu edhe vendimi përfundimtar për ndryshimin, plotësimin dhe anulimin pjesërisht te vendimit përfundimtar Nr.05/170 datë 14.02.2014. Vendimi anulon shpronësimet për ngastrat kadastrale në zonën kadastrale Dyz të Komunës së Podujevës. Ndërsa miratohet shpronësimi për interes publik i pronave të paluajtshme të pronarëve dhe zotëruesve të interesit të cilat preken nga ndërtimi i Pallatit të Drejtësisë, Zona Kadastrale Qagllavicë, Komuna e Prishtinës dhe shpronësimi i përhershëm dhe me vënien e të drejtës së servitutit për interes publik i pronave të paluajtshme të pronarëve dhe zotëruesve të interesit të cilat preken nga ndërtimi i largpërçuesit(shtyllave elektrike) për nevoja të Burgut të Sigurisë së Lartë, Zonat Kadastrale Batllavë, Dyz, Gërdovc dhe Tërnavë, Komuna e Podujevës, sipas tabelave bashkangjitur këtij vendimi.
Qeveria ka miratuar vendimin për dhënien e opinionit për Kuvendin e Republikës së Kosovës për rekomandimet e komisionit përzgjedhës të Bankës Qendrore për kryesuesin dhe anëtarët e Bordit Drejtues të Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës. Në Kuvendin e Republikës së Kosovës, për anëtarë të këtij bordi, janë përzgjedhur:
1. Lekë Zherka
2. Ardi Shita
3. Flamur Keqa
Qeveria ka miratuar vendimin që të mbështes financiarisht me manifestimet për nder të ditës memoriale të komunitetit turk në Kosovë, 23 prill 2014.
Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar vendimin që të mbështesë me 150 mijë euro, Qendrën e Mbrojtjes së Grave dhe fëmijëve, për vitin 2014.
Me propozimin kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar vendimin për zvogëlimin e pagesës së semestrit për studentët në nivelin bachelor dhe master të të gjitha universiteteve publike në Kosovë për pesëdhjetë për qind. Studentet do të paguajnë për pesëdhjetë për qind më pak edhe për strehim dhe ushqim në qendrën studentore.
