Prishtinë, 12 tetor 2026
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në ceremoninë e hapjes së Edicionit XII të Shkollës Diplomatike për diplomatë të rinj, organizuar nga Akademia Diplomatike e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës.
Në fjalën e tij, kryeministri Kurti tha se është kënaqësi e veçantë t’iu urojë mirëseardhje 39 diplomatëve nga e mbarë bota dhe të jetë sot me ta, duke theksuar se për më shumë se një dekadë ky program ka ofruar një hapësirë të rëndësishme për diplomatët e rinj që të takohen, të shkëmbejnë ide dhe të krijojnë lidhje në funksion të një të ardhmeje të përbashkët, të karakterizuar nga mirëkuptimi dhe bashkëpunimi.
Kryeministri Kurti theksoi se Kosova është vend i përshtatshëm për shkëmbim idesh, sepse shumë çështje të politikave ndërkombëtare sot, si paqja dhe siguria, sovraniteti dhe rritja, të drejtat e njeriut dhe sundimi i ligjit, e drejta ndërkombëtare, janë pjesë e përvojës së Kosovës si shtet.
Kryeministri tha se nëpërmjet diplomacisë, bashkëpunimit ndërkombëtar dhe dialogut, Kosova ka kaluar nga sfidat e shtetndërtimit drejt pjesëmarrjes gjithnjë e më aktive në çështjet rajonale dhe ndërkombëtare.
Ai tha se pavarësisht nëse përfaqësojnë shtete të vogla të Paqësorit, vende të Afrikës apo shtete evropiane, diplomatët kanë përgjegjësi të përbashkët që të ndërtojnë ura të bashkëpunimit ndërmjet shteteve dhe të afrojnë njerëzit përtej dallimeve kulturore, përmes dialogut dhe bashkëpunimit. Ndërsa, shtoi se lidhjet që krijojnë sot mund të hedhin themelet e partneriteteve të së nesërmes dhe të hapin rrugën për bashkëpunim të mëtejmë.
Fjala e plotë e Kryeministrit Kurti:
I nderuar z. Kreshnik Ahmeti, zëvendësministër i Punëve të Jashtme dhe Diasporës,
I nderuar z. Ilir Muçaj, sekretar i përgjithshëm i Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës,
E nderuar znj. Mirjeta Behluli, drejtoreshë e përgjithshme e Akademisë Diplomatike,
Shkëlqesi ambasadorë dhe përfaqësues të misioneve diplomatike në Kosovë,
Të dashur diplomatë të rinj,
Të nderuar të pranishëm,
Të nderuara zonja dhe zotërinj,
Është kënaqësi e veçantë t’ju uroj mirëseardhjen të gjithëve në Kosovë dhe të jem me ju sot, me rastin e hapjes së Akademisë Diplomatike për këtë vit. Për më shumë se një dekadë, ky program ka ofruar një hapësirë të rëndësishme ku diplomatë të rinj nga e gjithë bota mblidhen, shkëmbejnë ide dhe krijojnë lidhje drejt një të ardhmeje të përbashkët me më shumë mirëkuptim dhe bashkëpunim.
Fakti që ky program po organizohet tashmë prej 12 vjetësh pasqyron interesimin dhe përkushtimin e një brezi diplomatësh, të cilët janë të gatshëm të angazhohen përballë sfidave globale dhe të kontribuojnë në gjetjen e zgjidhjeve për to.
Kosova është një vend i shkëlqyer për këtë shkëmbim. Shumë nga çështjet kryesore që po formësojnë marrëdhëniet ndërkombëtare sot, si paqja dhe siguria, sovraniteti dhe zhvillimi, të drejtat e njeriut dhe sundimi i ligjit, e drejta ndërkombëtare dhe roli i shteteve të vogla në rendin botëror në ndryshim, kanë qenë vërtet përcaktuese për një pjesë të madhe të përvojës së Kosovës si shtet.
Përmes diplomacisë, bashkëpunimit ndërkombëtar dhe dialogut, kemi kaluar nga sfidat fillestare të shtetndërtimit drejt shndërrimit në një pjesëmarrëse aktive në çështjet rajonale dhe ndërkombëtare. Procesi i integrimit në Bashkimin Evropian është në zhvillim të plotë dhe tashmë prej dy vjetësh qytetarët e Kosovës udhëtojnë pa viza në vendet e zonës Shengen.
Procesi i sigurimit të njohjeve ndërkombëtare ka qenë i vështirë.
Megjithatë, nuk duhet ta humbim nga vëmendja rëndësinë që integrimi më i thellë ndërkombëtar do të kishte për qytetarët e Kosovës. Anëtarësimi në Këshillin e Evropës, për shembull, do t’u mundësonte të gjithë qytetarëve të Kosovës qasje në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ) dhe në sistemin më të gjerë evropian për mbrojtjen e të drejtave të njeriut.
Ndërsa anëtarësimi në Interpol do t’u mundësonte institucioneve të zbatimit të ligjit në Kosovë të shkëmbenin informacione dhe të bashkëpunonin në kohë reale me forcat policore në mbarë botën, duke forcuar aftësinë tonë për të parandaluar dhe për t’iu përgjigjur krimit ndërkufitar.
Pavarësisht këtyre sfidave, Kosova e ka konsoliduar vendin e saj në bashkësinë ndërkombëtare dhe është bërë gjithnjë e më shumë kontribuuese aktive në sigurinë ndërkombëtare. Kosova ka kontribuar në trajnimin e personelit ushtarak ukrainas dhe ka marrë pjesë gjithashtu në dislokime të përbashkëta ushtarake me partnerët ndërkombëtarë në pjesë të ndryshme të botës.
Të nderuara zonja dhe zotërinj,
Më lejoni të them disa fjalë për rendin ndërkombëtar në ndryshim dhe për atë që kjo nënkupton për rajonin tonë.
Ballkani Perëndimor mbetet i cenueshëm ndaj presioneve të jashtme që kërcënojnë paqen dhe stabilitetin rajonal, përfshirë ndikimin e dëmshëm të huaj, dezinformimin dhe përpjekjet për të minuar institucionet demokratike.
Në kontekstin e zhvillimeve aktuale globale dhe rajonale, Kosova mbetet e përkushtuar ndaj forcimit të institucioneve të saj demokratike dhe thellimit të partneriteteve ndërkombëtare. Në këtë drejtim, ruajtja e partneritetit strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe bashkëpunimi i ngushtë me aleatët që ndajnë vlerat tona dhe përkushtimin ndaj një rendi ndërkombëtar të bazuar në rregulla mbeten përparësi të kahershme të politikës së jashtme të Kosovës.
Partneriteti i Kosovës me NATO-n ka rëndësi të veçantë në këtë drejtim. Angazhimi përmes programeve dhe nismave të ndryshme të bashkëpunimit të Aleancës luan rol kyç në zhvillimin dhe konsolidimin e kapaciteteve tona të sigurisë. Njëkohësisht, prania dhe roli i NATO-s në Kosovë dhe në rajonin më të gjerë mbeten thelbësore për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit, parandalimin e përtëritjes së konfliktit dhe mbështetjen e aspiratave euroatlantike të vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Të nderuar diplomatë,
Si diplomatë të rinj që përfaqësoni vende nga rajone të ndryshme të botës, ju sillni në Akademinë Diplomatike të Kosovës këndvështrime të vlefshme, të formësuara nga përvojat e vendeve tuaja. Pavarësisht nëse përfaqësoni ishuj të vegjël të Paqësorit, vende të Afrikës apo shtete evropiane, të gjithë ndani një përgjegjësi të përbashkët: të ndërtoni ura ndërmjet shteteve dhe të lidhni njerëzit përtej kulturave përmes dialogut dhe bashkëpunimit.
Lidhjet që krijoni sot mund të hedhin themelet e partneriteteve të së nesërmes dhe të hapin rrugën për bashkëpunim në të ardhmen. Le të vazhdojmë të angazhohemi me respekt të ndërsjellë dhe me përkushtim të përbashkët ndaj një bote ku zëri i çdo vendi dëgjohet dhe çdo komb mund të kontribuojë për një të ardhme më të mirë.
Ju faleminderit dhe ju uroj shumë suksese në karrierën tuaj diplomatike.














