Takohen Grupet Tematike për Rishikimin Afatmesëm të Strategjisë Kombëtare për Zhvillim 2030

Prishtinë, 9 tetor 2026

Në zbatim të Vendimit të Qeverisë Nr. 10/03, të datës 30 shtator 2026, për themelimin e Grupeve Tematike për Rishikimin Afatmesëm të Strategjisë Kombëtare për Zhvillim 2030 (SKZH 2030), Zyra për Planifikim Strategjik në kuadër të Zyrës së Kryeministrit ka mbajtur takime me Grupet Tematike më 7, 8 dhe 9 tetor 2026. Gjatë këtyre takimeve është prezantuar dhe diskutuar me përfaqësuesit e institucioneve përgjegjëse për fushat përkatëse  drafti i propozimeve për përditësimin apo ndryshimin e qëllimeve dhe treguesve të Strategjisë.

Strategjia Kombëtare për Zhvillim 2030 është dokumenti kryesor strategjik i Republikës së Kosovës, i cili përcakton drejtimin dhe prioritetet e zhvillimit të vendit deri në vitin 2030. Strategjia mbështetet në katër shtylla kryesore: zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik, zhvillimin e barabartë njerëzor, sigurinë dhe sundimin e ligjit, si dhe qeverisjen e mirë. Ajo shërben si kornizë e përbashkët për orientimin e politikave publike dhe për harmonizimin e prioriteteve institucionale me objektivat afatgjata të zhvillimit të vendit.

Procesi i Rishikimit Afatmesëm ka nisur me Vlerësimin Afatmesëm të Strategjisë, i cili tashmë ka përfunduar. Vlerësimi është realizuar sipas kritereve të OECD-së për efektivitetin dhe relevancën, duke shqyrtuar progresin drejt objektivave të SKZH 2030, kontributin e Planit Kombëtar për Zhvillim (PKZH) dhe strategjive sektoriale, si dhe nëse qëllimet dhe treguesit e Strategjisë vazhdojnë t’u përgjigjen nevojave dhe prioriteteve të vendit. Gjetjet kanë nxjerrë në pah nevojën për qëllime më të qarta, shmangien e mbivendosjeve dhe harmonizimin e mëtejshëm me strategjitë sektoriale. Po ashtu, është evidentuar nevoja për tregues më të përshtatshëm, që matin progresin në mënyrë të besueshme dhe të qëndrueshme, si dhe për synime të realizueshme.

Bazuar në këto gjetje, janë hartuar propozimet për rishikimin e qëllimeve dhe treguesve të SKZH 2030. Takimet e Grupeve Tematike përbëjnë një hap të rëndësishëm në këtë proces, pasi mundësojnë shqyrtimin e propozimeve me institucionet përgjegjëse, adresimin e çështjeve të hapura dhe konsolidimin e ndryshimeve të propozuara para finalizimit të draftit.

Rishikimi Afatmesëm synon të forcojë rolin e SKZH 2030 si bazë për planifikimin dhe zbatimin e politikave publike, duke kaluar drejt qëllimeve më të qarta dhe treguesve që mundësojnë matjen më të besueshme të rezultateve dhe progresit. Rezultatet e këtij procesi do të ndihmojnë në lidhjen më të qartë të objektivave afatgjata të zhvillimit me prioritetet dhe masat konkrete të Qeverisë përmes Planit Kombëtar për Zhvillim (PKZH), duke mundësuar planifikim më të koordinuar, përcaktim më të qartë të rezultateve të synuara dhe monitorim më efektiv të zbatimit të politikave qeveritare.

Pas përfundimit të diskutimeve dhe konsolidimit të propozimeve, drafti i Rishikimit Afatmesëm të SKZH 2030 do të procedohet për shqyrtim dhe miratim në Qeveri.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors