Prishtinë, 23 janar 2015
Krerët e Qeverisë së Kosovës kanë zhvilluar të premten një takim me përfaqësuesit e sindikatave të punëtorëve dhe të bizneseve e të odave ekonomike të Kosovës.
Në takim kanë marrë pjesë kryeministri Isa Mustafa, zëvendëskryeministri Hashim Thaçi, ministrat përkatës, përfaqësuesit e Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, të Sindikatës së Minatorëve, të Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, të Odës Ekonomike të Kosovës, të Odës Ekonomike Amerikane, të Odës Ekonomike Gjermano-Kosovare dhe të Agjencisë Kosovare të Bizneseve.
Gjatë takimit, janë trajtuar me konstruktivitet zhvillimet kryesore të fundit në Kosovë.
Përfaqësuesit e sindikatave, odave ekonomike si dhe të Qeverisë së Kosovës janë dakorduar për vazhdimin e dialogut ndërmjet tyre, me qëllim të shqyrtimit dhe zgjidhjes së të gjitha çështjeve që lidhen me proceset ekonomike dhe sociale në Kosovë.
Poashtu, është shprehur besim i ndërsjellë për zgjidhjen adekuate të të gjitha çështjeve përmes dialogut, duke u pajtuar se rruga nuk është mjeti i duhur për zgjidhjen e vështirësive e problemeve që mund të hasen.