Prishtinë, 11 shtator 2017
Zyra e Kryeministrit të Republikës së Kosovës sqaron opinionin publik se lajmi i publikuar në portalin ‘Gazetaexpress’ me titull “Orenditë që i përdori Mustafa dalin në shitje, Haradinaj blen të reja” dhe në mediat tjera online, nuk e pasqyron të vërtetën.
Pajisjet dhe inventari që janë në shpallje publike, nuk i takojnë kabinetit të deritanishëm të ish-kryeministrit Isa Mustafa dhe nuk qëndron pohimi se do të blihen orendi të reja nga kryeministri Ramush Haradinaj.
Zyra e Kryeministrit sqaron opinionin publik se shpallja publike për shitjen e inventarit të dalë jashtë përdorimit me numër reference SH01/2017, është proceduar ditë më parë nga ana e zyrës së prokurimit, duke respektuar çdo procedurë ligjore, dhe duke e publikuar në KRPP konform legjislacionit.
– Inventari dhe pajisjet e TI-së, janë jashtë përdorimit muaj dhe vite më parë, dhe janë të dëmtuara tërësisht.
– Inventari dhe pajisjet e TI-së, janë të dërguara në depon qendrore të Qeverisë në Graçanicë.
– Inventari dhe pajisjet e TI-së kanë vlerën në librat e zhvlerësimit të ZKM-së, të gjitha së bashku 48.30 euro.
Më qëllim që vlera e tyre të mos bjerë, apo që mos të dëmtohen akoma më shumë, menaxhmenti i ZKM-së kohë më parë ka vendosur t’i shes përmes ankandit publik me qëllim që të kemi transparencë dhe vlerë sa më të lartë të ofertave.