Shënohet 24 Qershori, Dita Memoriale e Komunitetit Egjiptian

Prishtinë, 24 qershor 2026

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, organizoi pritje në Ballkonin e Hapur të Qeverisë me rastin e shënimit të 24 Qershorit, Ditës Memoriale të Komunitetit Egjiptian.

Në fjalën hyrëse, ai tha se ditët memoriale janë më emocionuese se ditët festive dhe janë më të veçanta se ditët e zakonshme, ngase ato janë rikujtim për rrugëtimin dhe ritheksimin për rëndësinë e rolin e komunitetit egjiptian, i cili ka ecur mes kohëve, mes stuhive dhe nuk ka lejuar kurrë që ta humbasë drejtimin.

Kryeministri në detyrë Kurti theksoi se në çdo hap të rrugëtimit tonë shtetndërtues, nga përpjekjet e hershme për liri e shpallja e pavarësisë e deri te funksionimi i institucioneve demokratike, komuniteti egjiptian ka qenë pjesë e pandarë e historisë sonë.

Fjala e plotë e Kryeministrit në detyrë Kurti:

E nderuara znj. Donika Gërvalla, zëvendëskryeministre dhe ministre e Drejtësisë,
I nderuar z. Fikrim Damka, zëvendëskryeministër dhe i ngarkuar për çështjet e pakicave dhe bashkëpunimin ekonomik,
Të nderuar ministra e zëvendësministra, zonja dhe zotërinj

Në ballkonin e hapur, sot jemi mbledhur në Ditën Memoriale të Komunitetit Egjiptian, andaj gëzuar të gjithëve!

Ditët memoriale janë më emocionuese se ditët festive dhe janë më të veçanta se ditët e zakonshme, ngase ato janë rikujtim për rrugëtimin dhe ritheksimin për rëndësinë e rolin e komunitetit egjiptian, për komunitetin, i cili ka ecur mes kohëve, mes stuhive dhe nuk ka lejuar kurrë që ta humbasë drejtimin.

Në çdo hap të rrugëtimit tonë shtetndërtues, nga përpjekjet e hershme për liri e shpallja e pavarësisë e deri te funksionimi i institucioneve demokratike, komuniteti egjiptian ka qenë pjesë e pandarë e historisë sonë.

Ju keni dhënë dhe vazhdoni të jepni një kontribut të çmuar në jetën shoqërore, politike, ekonomike dhe kulturore të vendit tonë.

Për këtë, në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, ju shpreh mirënjohjen time më të thellë.

Nga patriotët e shquar të këtij komuniteti si, dëshmori Xhevdet Hoti e deri te burrështetasit që vunë firmën në aktin themeltar të shtetit tonë si, Xhevdet Neziraj, komuniteti egjiptian ka lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e Kosovës. E shumë emra të tjerë në fusha të ndryshme të jetës sonë shoqërore, profesionale e institucionale, të cilët kanë dëshmuar përkushtim, integritet dhe dashuri për vendin.

Të nderuar të pranishëm,

Kosova është ndërtuar mbi parimet e lirisë, barazisë dhe respektit për dinjitetin e çdo njeriu.

Në themel të Republikës sonë demokratike, janë të drejtat e njeriut, të cilat i bëjnë bashkë barazinë dhe universalitetin. Pra, barazinë si pikënisje. Duhet të jemi të barabartë qysh në fillim, jo në fund të procesit, por qysh në fillim. Dhe, universalitetin, ta theksojmë atë që është e përbashkët midis nesh, pa mohuar asnjëherë dallimet, të vëmë në spikamë atë që është e përbashkët.

E këto parime nuk janë vetëm pjesë e Kushtetutës; ato janë themeli mbi të cilin ndërtojmë të ardhmen tonë. Prandaj, edhe dedikimi ynë për të garantuar të drejta të barabarta, mundësi të barabarta dhe përfaqësim dinjitoz për të gjitha komunitetet, pa dyshim që mbetet i palëkundur.

Ne nuk dëshirojmë që askush të diskriminohet dhe gjithashtu nuk dëshirojmë që dikush të privilegjohet, sepse privilegjimi për dikë, nënkupton më pastaj diskriminim për dikë tjetër.

E këto parime i shohim të mishëruara çdo ditë me njerëzit me të cilët punojmë bashkë, pra bashkëpunojmë.

Jam krenar që ndër bashkëpunëtorët, kolegët dhe miqtë e mi, kam njerëz nga komuniteti egjiptian, të cilët çdo ditë dëshmojnë ndershmëri, besnikëri, profesionalizëm dhe etikë të lartë pune. Këto cilësi i bëjnë më të forta institucionet tona dhe vetë Republikën e Kosovës. Pjesëmarrje aktive në jetën e vendit pasqyrohet edhe në përfaqësimi në Kuvendin e Republikës. Edhe në legjislaturën e 11-të, komuniteti egjiptian do të përfaqësohet nga dy deputetë, Elbert Krasniqi dhe Veton Berisha, të cilët kontribuojnë në proceset vendimmarrëse dhe në avancimin e interesave të qytetarëve, të cilët i përfaqësojnë.

Të dashur miq,

Gjatë mandatit tonë, ne jemi kujdesur që ky përkushtim të përkthehet në veprime konkrete:

• Kemi investuar drejtpërdrejt në ndërtimin dhe renovimin e shtëpive për familjet e komuniteteve joshumicë, si dhe kemi realizuar projekte madhore për renovimin e tërësishëm të njësive banesore për familjet në Plemetin.
• Kemi krijuar një fond të veçantë vjetor për infrastrukturë të dedikuar posaçërisht në lagjet ku jetojnë komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian. Përmes këtij angazhimi, kemi zgjidhur problemin jetik të sigurimit të ujit të pijshëm për lagjet në Fushë Kosovë dhe kemi eliminuar deponitë e mëdha të mbeturinave në rrugën “Ali Ibra” në Gjakovë, duke përmirësuar ambientin dhe shëndetin e banorëve.
• Kemi ndarë bursa të veçanta vjetore për studentët e komuniteteve në universitetet tona publike, duke u siguruar atyre mbështetje financiare që të ndjekin ëndrrat e tyre akademike e profesionale. Përveç kësaj, rreth 2,000 nxënës kanë përfituar mbështetje financiare në vlerë prej 625 mijë euro, ku shumica e përfituesve kanë qenë vajza. Ndërkaq, gjatë periudhës 2021–2025, janë afër 1 milion euro për qendrat mësimore, duke mbështetur rreth 2,000 fëmijë. Po ashtu, kemi vazhduar subvencionimin e rregullt të organizatave joqeveritare me bazë në komunitet. Dhe,
• Përmes fushatave të shënjestruara të punësimit në sektorin publik, kemi rritur ndjeshëm numrin e pjesëtarëve të komunitetit egjiptian që sot shërbejnë me nder dhe devotshmëri në Policinë e Kosovës dhe në administratën shtetërore. Gjatë mandatit tonë, gjithsej 20 kadetë egjiptianë kanë diplomuar në Policinë e Kosovës.

Synimi ynë i palëkundur është që mundësitë për arsimim, zhvillim dhe mirëqenie të jenë të qasshme për të gjithë, pa dallim. Por, natyrisht që puna jonë nuk përfundon këtu.

Për t’i dhënë kuptimin e plotë kësaj dite, ne duhet të bashkëjetojmë, të bashkëqeverisim dhe të bashkëveprojmë në secilën ditë të vitit, duke dëshmuar se Kosova është shtëpia e përbashkët e të gjithë qytetarëve të saj dhe se secili prej nesh ka vend të barabartë në të ardhmen, të cilën po ndërtojmë së bashku.

Urime Dita Memoriale e Komunitetit Egjiptian!

Ju faleminderit për pjesëmarrje dhe vëmendje.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors