Prishtinë, 8 dhjetor 2016
Konferenca e përbashkët për medie e kryeministrit të
Republikës së Kosovës, Isa Mustafa dhe ministrit të Punëve të Jashtme, Enver
Hoxhaj, lidhur me të arriturat evidente që janë shënuar në raportet e
Kosovës me organizatat ndërkombëtare.
Së bashku me ministrin e Punëve të Jashtme, z. Enver Hoxhaj, jemi para jush për të biseduar me ju lidhur me të arriturat evidente që janë shënuar në raportet e Kosovës me organizatat ndërkombëtare si dhe në fuqizimin ndërkombëtar të marrëdhënieve të Republikës së Kosovës me jashtë.
Fillimisht, më lejoni të ndaj me ju një lajm të rëndësishëm, i cili dje na erdhi nga NATO-ja, konkretisht nga Sekretari i Përgjithshëm i saj, Jens Stoltenberg.
Siç jeni të informuar, në cilësinë e Kryeministrit të Kosovës vitin e kaluar i kam dërguar një letër Sekretarit Stoltenberg, ku kam kërkuar zyrtarisht fuqizimin e bashkëpunimit të Kosovës me NATO-n, në disa dimensione të rëndësishme për Kosovën.
Si rezultat, dje pranova zyrtarisht një përgjigje shumë inkurajuese nga NATO-ja në letrën tonë
Duke marrë në konsideratë propozimet tona të arsyeshme, Sekretari i NATO-së në përgjigjen e tij na ka konfirmuar avancim substancial të bashkëpunimit dhe mbështetjen e Kosovës si dhe pjesëmarrjen e Kosovës në programet e ndryshme të NATO-s.
Më konkretisht, Këshilli i Atlantikut Verior është pajtuar për fuqizimin e bashkëpunimit të NATO-s me Kosovën brenda mandatit respektiv të KFOR-it dhe të Ekipit Këshillues Ndërlidhës të NATO-s, i bashkëpunim pritet të avancohet nga fillimi i vitit të ardhshëm.
Në letrën e NATO-s na kanë ofruar mundësi për aktivitete shtesë të dizajnuara për të fuqizuar bashkëveprimin me Kosovën.
Këto aktivitete përfshijnë:
– Rritjen e vizitave të Këshillit të Atlantikut Verior dhe takimet me Ekipin Këshillues Ndërlidhës të NATO-s si dhe autoritetet relevante të Kosovës, përmes të cilave do të zgjerohet dialogu politik.
– Pastaj dialogu për aktivitetet e bashkëpunimit praktik me NATO-n.
– Aktivitete shtesë të përshtatura për nevojat specifike të Kosovës, të cilat mund të përfshijnë mbrojtjen e rrjeteve informatike, edukim, trajnime dhe logjistikë.
– Zgjerim të aktiviteteve në kuadër të Programit “Ndërtimi i Integritetit” me qëllim të rritjes së kapaciteteve institucionale.
– Pjesëmarrje në disa prej aktiviteteve të Programit të NATO-s “Shkenca për Paqe dhe Siguri”, që ka të bëjë me mekanizmat që ofrojnë mundësitë për shkencëtarët dhe ekspertët e NATO-s dhe vendeve partnere të bashkëpunojnë në relacionet e shkencave civile, teknologjisë dhe të inovacionit.
– Konsiderimi i mënyrave që Forca e Sigurisë së Kosovës, në suaza të mandatit të saj, të marrë pjesë si vëzhguese në ushtrimet e Qendrës Koordinuese Euro-Atlantike për Reagim në Fatkeqësi (EADRCC).
– Eksplorimi i mënyrave që FSK-ja, në koordinim me Ekipin Këshillues Ndërlidhës, të marrë pjesë edhe në ushtrimet e KFOR-it, në përputhje me mandatin e saj.
– Ndërkaq, Divizioni për Diplomaci Publike i NATO-s do të konsideroj rrugët e për bashkëpunim dhe përkrahje të institucioneve relevante të Kosovës, OJQ-ve, Universiteteve, dhe akterëve tjerë të shoqërisë civile që merren me çështje të paqes dhe sigurisë, me komunikim dhe diplomaci publike.
Pra, Sekretari i NATO-s, Stoltenberg, na ka kthyer një përgjigje tejet kuptimplotë, e cila në esencë krijon mundësitë për bashkëpunim thelbësor ndërmjet Republikës së Kosovës dhe NATO-s.
Konsideroj se ky është ky është një lajm shumë i rëndësishme për Kosovën, pasi që hap një kapitull të ri të marrëdhënieve dhe mbështetjes së NATO-s dhe po ashtu e fuqizon rolin e Kosovës si faktor i stabilitetit në rajon dhe si një partner i besueshëm i NATO-s në përballimin e sfidave rajonale dhe globale të sigurisë.
Në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe të qytetarëve të saj, shpreh mirënjohje për NATO-n, shtetet anëtare, Sekretarin Stoltenberg dhe autoritetet tjera, duke theksuar kënaqësinë që kjo organizatë e cila para 17 vjetësh ndërhyri për të mbrojtur vlerat më të larta humanitare në Kosovë, tashmë i ka hapur udhë avancimit të raporteve të bashkëveprimit me shtetin e Kosovës.
Ashtu siç është nënvizuar edhe në Samitin e NATO-s në Varshavë, ku liderët e shteteve mirëpritën aspiratat e Kosovës për avancimin e aftësive për të ofruar siguri për të gjithë qytetarët e saj dhe për të kontribuar në sigurinë në rajon dhe më gjerë, më lejoni të shpreh përkushtimin e Kosovës që gradualisht të avancojë në procesin e anëtarësimit dhe që në një periudhë optimale të bëhemi anëtare e NATO-s.
Si Kryeministër i vendit, vlerësoj se Kosova ka bërë dhe po bën hapa të sigurt në ndërtimin e institucioneve shumë të afta dhe kredibile në fushën e sigurisë dhe të mbrojtjes. Kemi Policinë e Kosovës e cila është ranguar si shumë kredibile, e organizuar dhe e menaxhuar mirë, ashtu siç është edhe Forca e Sigurisë së Kosovës është e organizuar sipas standardeve më të larta ndërkaq pjesëtarët e saj janë të shkolluar dhe të trajnuar në qendrat elite amerikane dhe evropiane. Duhet përmendur edhe AKI-në e cila po tregohet shumë profesionale dhe e përgjegjshme në fushëveprimin e saj shumë të ndjeshëm.
Ne do të mbështesim fushën e sigurisë dhe do të bashkëpunojmë ngushtë me NATO-n për t’i kontribuar paqes dhe stabilitetit jo vetëm në këtë pjesë të Evropës por edhe në aspektet globale.
Fjala hyrëse e ministrit Enver Hoxhaj në konferencën për gazetarë
I nderuari z. kryeministër,
Të nderuar përfaqësues të mediave
Kryeministër urime juve dhe qytetarëve të Kosovës për këtë ditë të veçantë për Republikën tonë.
Republika e Kosovës ka hyrë sot në një fazë të re të marrëdhënieve me NATO-n. Letra e nënshkruar nga sekretari i përgjithshëm drejtuar kryeministrit të Republikës së Kosovës, z. Isa Mustafa e shpreh në fakt vullnetin e 28 shteteve anëtare të NATO-s për një etapë të re të integrimit euroatlantik të Kosovës.
Prej sot kemi shpejtësi tjetër. Prej sot fillojmë të lëvizim në mënyrë konkrete drejt integrimit të Kosovës në NATO. Siç e përmendi kryeministri letra ofron një raport të mirëfilltë mes NATO-s dhe Kosovës dhe një substancë të plotë të bashkëpunimit në mes të Kosovës dhe NATO-s.
Ju mund të pyesni pse ministri i Jashtëm flet për një temë të tillë.
Ju e dini që mbrojtja është pjesë e politikës së jashtme konceptualisht dhe kështu është e definuar edhe me Kushtetutë të Republikës së Kosovës. Në një gjendje aktuale të krizave në Evropë dhe në rajon, padyshim se është dëshmia më e mirë që Kosova ka mbështetje dhe mbrojtje të Aleancës më të fuqishme perëndimore dhe globale.
Nga dita e sotme Kosova shndërrohet nga një konsumues i sigurisë, pasi kemi qenë konsumues i sigurisë për një kohë të gjatë, për shkak të pranisë së madhe të trupave të KFOR-it, në një prodhues dhe eksportues të sigurisë rajonale dhe ndërkombëtare.
Përmes kësaj letre dhe përmes fazës së në të cilën kemi hyrë, do të bëjmë përpjekje maksimale që t’i përmbushim të gjitha kriteret, të gjitha kushtet, me qëllim që në një të ardhme të afërt t’i bashkohemi edhe Programit të Partneritetit për Paqe, si parakusht për anëtarësim drejt NATO-s.
Kjo marrëdhënie është si rezultat i punës së madhe të Qeverisë së Kosovës, Ministrisë së Forcës së Sigurisë dhe politikës së saj të jashtme, por mbi të gjitha është rezultat edhe i konkluzioneve të Samitit të Varshavës në verën e këtij viti, ku u mirëprit në këtë Samit dhe u nënvizua perspektiva atlantike e Kosovës.
Sa i takon takimit që kryeministri Mustafa ka pasur me zonjën Mogherini dhe me z.Hahn para dy javësh, takimin e Këshillit të Stabilizim Asociimit, mendoj që është prej viteve më të rëndësishme sa i takon të ardhmes tonë euroatlantike.
Ndërsa, ne kemi bërë përpjekje maksimale që ta rrisim dhe zgjerojmë sovranitetin e Kosovës përmes rritjes së numrit të njohjeve, që gjeografia e njohjeve të jetë globale.
Keni parë, që ka ardhur njohja nga Singapori dhe jemi në kontakt edhe me disa vende të tjera, por nuk është detyrë e Qeverisë tonë të bëjë shpallje për shtetet e tjera, por në ato momente kur merren vendime, ne do t’i bëjmë publike vendimet në koordinim me shtetet të cilat mund ta njohin Kosovën.
Qëllimi jonë është që jo vetëm ta rrisim gjeografinë e njohjeve, ta zgjerojmë sovranitetin, por edhe ta ushtrojmë sovranitetin dhe ushtrimi i sovranitetin ndodhë përmes anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare, gjë që do ta kem objektiv gjatë vitit të ardhshëm.
