Prishtinë, 17 qershor 2009
Në takimin e Grupit Ndër-Ministror për Decentralizim është theksuar se Republika e Kosovës është një vend i të gjithëve dhe vend i krijimit të mundësive të barabarta për të gjithë. Në takim është aprovuar edhe lista e anëtarëve të Ekipit Përgatitor Komunal për komunën e re Kllokot/Vërbovc.
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka përgëzuar për angazhimin dhe progresin e shënuar në avancimin e procesit të decentralizimit në Kosovë, dhe, ka theksuar, se kjo po shënohet pikërisht në prag të zgjedhjeve të para lokale në Kosovën e pavarur.
Kryeministri Hashim Thaçi ka ftuar pjesëtarët e të gjitha komuniteteve në Kosovë që të marrin pjesë në zgjedhje dhe të ndikojnë drejtë për drejt në procesin e krijimit të komunave të reja, që janë edhe komunat e tyre.
“Procesi i decentralizimit nuk është i lehtë, por është i domosdoshëm dhe do të vazhdojë”, ka thënë kryeministri Thaçi në fjalën e tij dhe ka vazhduar se “hezitimet ndaj këtij procesi do të tejkalohen, në mënyrë që ky proces të jetë i realizueshëm dhe në të mirë të qytetarëve të Kosovës”.
Procesi i decentralizimi e ka përkrahjen e të gjitha institucioneve dhe të gjithë spektrit politik në Kosovë, ka thënë kryeministri Hashim Thaçi dhe ka theksuar gjithashtu edhe nevojë që të gjithë qytetarëve të Kosovës, t’iu sqarohet ky proces, duke potencuar se kjo është edhe rruga e procesit të integrimeve euroatlantike.
Në takimin e Grupit Ndër-Ministrorë për Decentralizim ka folur edhe Përfaqësuesi Ndërkombëtarë Civil, Piter Feith, i cili ka ofruara mbështetjen e plot të këtij procesi në Kosovë. Z.Feith ka vlerësuar bashkëpunimin e mirë me institucionet e Kosovës në procesin e decentralizimit.
Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Sadri Ferati, ka theksuar interesimin e madh për reformën e pushtetit lokal dhe decentralizimin, që është edhe një dëshmi se ky proces është në interes të të gjithëve në Kosovë.
