Prishtinë, 22 tetor 2014
Qeveria e Republikës së Kosovës, e drejtuar nga kryeministri Hashim Thaçi, ka zhvilluar mbledhjen e saj të rregullt në të cilën ka miratuar vendime dhe dokumente tjera nga fushat e saja të përgjegjësive kushtetuese dhe ligjore.
Në hapje të mbledhjes, kryeministri Hashim Thaçi, ka vlerësuar se takimi i kryeministrave të vendeve të rajonit dhe përfaqësuesve të Bashkimit Evropian, që është zhvilluar në Berlin në fund të gushtit është vazhduar me aktivitete tjera në ndërtimin e bashkëpunimit midis vendeve të rajonit.
“Në kuadër të kësaj është mbajtur një takim në Budva, ndërsa sonte dhe nesër do të ketë një tjetër takim në Beograd, ku edhe anëtarët e Qeverisë së Republikës së Kosovës, përkatësisht dy ministra do të jenë prezent atje, z.Fadil Ismajli dhe z.Enver Hoxhaj, në cilësi të barabartë sikur të Qeverive të shteteve të tjera” ka thënë kryeministri Hashim Thaçi.
“Në këtë drejtim e vlerësojmë edhe gatishmërinë e dy kryeministrave, të Shqipërisë z. Rama dhe atij të Serbisë, z. Vuçiq që të ndodh takimi mes dy kryeministrave të dy shteteve, që nuk do të kishte efekt vetëm për këto dy vende, por do të kishte një efekt të qartë për paqen dhe stabilitetin në rajon, dhe për të ardhmen euroatlantike të gjithë rajonit” tha kryeministri Thaçi.
Kryeministri Hashim Thaçi ka theksuar se Kosova do të vazhdojë të luaj rolin e saj aktiv, dinamik, pozitiv dhe bashkëpunues me të gjitha vendet e rajonit, gjithmonë në frymën euroatlantike.
Në vazhdim të mbledhjes, Udhëzim administrativ për funksionimin e shërbimit shëndetësor të burgjeve është miratuar nga kabineti qeveritar. Ky Udhëzim Administrativ ka për qëllim të përcaktoj mënyrën e funksionimit, organizmit dhe ofrimit të kujdesit shëndetësor për të burgosurit që gjenden ne burgjet e Republikës së Kosovës.
Shërbimi i kujdesit shëndetësor në burgjet e Republikës së Kosovës organizohet dhe funksionon si pjesë integrale e sistemit shëndetësor të vendit. Shërbimi shëndetësor që funksionon në burgje organizohet dhe mbikëqyret nga Departamenti Shëndetësor i Burgjeve në kuadër të Ministrinë e Shëndetësisë.
Dokumenti i dytë i miratuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës është Rregullorja për mbrojtjen e kafshëve të cilat mbahen për qëllime blegtorale. Me këtë rregullore përcaktohen kushtet minimale për mbrojtjen e kafshëve të cilat mbarështohen ose mbahen ne fermë për qëllime blegtorale.
Dispozitat e kësaj rregullore nuk zbatohen për:
1. Kafshët që jetojnë të lira në natyrë
2. Kafshët e dedikuara për gara, panaire, aktivitete sportive dhe ngjarje kulturore;
3. Kafshët laboratorike dhe/ose eksperimentale;
4. Kafshët jo kurrizore.
Kjo rregullore zbatohet, pa i cenuar dispozitat e veçanta të akteve tjera e veçanërisht, dispozitat për mbrojtjen e pulave vojse, viçave dhe derrave. Rregullorja është në harmoni me Rregulloren e Këshillit Evropian për mbrojtjen e kafshëve të cilat mbarështohen për qëllime blegtorale. Rregullorja zbatohet në gjithë territorin e Republikës së Kosovës.
Në mbledhjen e sotme është miratuar vendimi për formimin e Këshillit Ndërministror për parandalimin e virusit Ebola në Kosovë. Këshilli do të ketë këtë përbërje:
1. Ferid Agani, ministër i Shëndetësisë – kryesues;
2. Isuf Dedushaj, Instituti Kombëtarë i Shëndetësisë Publike të Kosovës – anëtarë;
3. Salih Ahmeti, Qendra Klinike Universitare e Kosovës – Klinika Infektive – anëtarë;
4. Bajram Imeri, Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural – anëtarë;
5. Shaban Gallopeni, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës – anëtarë;
6. Sami Sinani, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor – anëtarë;
7. Ismet Ibishi, Ministria e Punëve të Brendshme – anëtarë;
8. Nazmije Fazliu, Ministria e Financave – anëtarë;
9. Avni Sahiti, Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal – anëtarë ; dhe
10. Xhevdet Tahiraj, Ministria për Forcën e Sigurisë së Kosovës.
11. Përfaqësuesi i Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë
