Prishtinë, 22 janar 2014
Qeveria e Republikës së Kosovës ka zhvilluar mbledhjen e saj të rregullt në të cilën ka miratuar vendime dhe dokumente tjera të politikave qeveritare të përgjegjësive të saja kushtetuese dhe ligjore.
Mbledhja është udhëhequr nga kryeministri Hashim Thaçi.
Qeveria ka miratuar vendimin për themelimin e Këshillit për zbatimin e Strategjisë qeveritare për bashkëpunim me shoqërinë civile. Këshilli përbëhet nga 25 anëtarë, 12 përfaqësues nga Qeveria e Republikës së Kosovës dhe 13 përfaqësues të shoqërisë civile. Këshilli kryesohet nga njëri nga zëvendëskryeministrat e Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe një përfaqësues i emëruar nga Platforma Civi-Kos si bashkëkryesues.
Kabineti qeveritar ka aprovuar Planin Hapësinor “Monumenti i Natyrës me rëndësi të Veçantë Ujëvarat e Mirushës”. Plani hapësinor i monumentit ka për qëllim që të trajtoj Monumentin e Natyrës në atë mënyrë që të sigurojë përmbushjen e rregullativës ligjore dhe kritereve ndërkombëtare. Kjo me qëllim që ai të jetë i kërkuar për vizitorët, turistët dhe studiuesit e ndryshëm.
Është miratuar edhe Plani Hapësinorë i Zonës së me Interes të Veçantë Mbrojtur “Beteja e Koshares”. Zona e Mbrojtur me Interes të Veçantë “Beteja e Koshares”, është shpallur për shkak të vlerave të veçanta dhe karakterit kulturor-historik të luftës së UÇK-së gjatë viteve 1998-1999.
Me qëllim të pengimit të zhvillimeve negative që janë duke ndikuar në degradimin e Zonës së Veçanet Parku Kombëtarë “Bjeshkët e Nemuna”, Qeveria ka miratuar vendimin për hartimin e Planit Hapësinorë për Zonën e Veçantë të Parkut Kombëtarë “Bjeshkët e Nemuna”.
Në mbledhjen e sotme, Qeveria e Republikës së Kosovës, ka ndryshuar vendimin e mëhershëm, në lidhje me Pakon Tenderuese të Projektit “TC Kosova e Re”, duke e hequr nga pakoja zhvillimin e minierës së Sibovcit; dhe ka ndryshuar edhe vendimin për propozimin e anëtarëve të Organit Shqyrtues të Prokurimit Publik, duke ja shtuar listës së të propozuarve edhe Bajram Zogianin.
Kabineti qeveritar ka ndryshuar vendimin e qeverisë për kushtet e hyrjes dhe regjimit të vizave për shtetasit e huaj në Republikën e Kosovës. Në listën e shteteve, qytetarët e të cilit do të kenë nevojë që të pajisen me viza kur të hyjnë në Republikën e Kosovës, është shtuar edhe Bosnja dhe Hercegovina.
Në mbledhjen e sotme, Qeveria e Kosovës ka ndarë 15 (pesëmbëdhjetë) mijë euro për mbështetje financiare për familjen dhe për mbulimin e shpenzimeve të varrimit të të ndjerit Dimitrije Janiqijeviq.
Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme ka miratuar vendimin për themelimin e Këshillit Organizativ për shënimin e 6 (gjashtë) vjetorit të shpalljes së pavarësisë. Këshilli do të jetë në përbërje:
1. Agim Çeku ministër i Forcës së Sigurisë, kryesues
2. Ministri i Kulturës;
3. Ministri i Punëve të Jashtme;
4. Ministri i Punëve të Brendshme;
5. Përfaqësues nga Zyra e Kryeministrit;
6. Përfaqësues nga Zyra e Presidentit;
7. Përfaqësues nga Kuvendi i Kosovës;
8. Përfaqësues nga Komune Prishtinës;
9. Përfaqësues nga Asociacioni i Komunave të Kosovës;
10. Përfaqësues i shoqatave të dala nga lufta e UÇK-së;
11. Përfaqësues nga shoqëria civile.
Qeveria ka aprovuar një buxhet për manifestimet që do të shënojnë gjashtë vjetorin e shpalljes së pavarësisë.
Me vendimin e aprovuar sot nga kabineti qeveritar është futur në Planin Legjislativ për vitin 2014, edhe hartimi i Projektligjit për Veteranët.
