Prishtinë, 18 tetor 2013
E drejtuar nga kryeministri Hashim Thaçi, Qeveria e Republikës së Kosovës ka zhvilluar mbledhjen e saj të rregullt, të 152-ën me radhë. Në mbledhje ka miratuar projektligje, rregullore, udhëzime administrative dhe vendime tjera nga fushat e përgjegjësive ligjore dhe kushtetuese.
Kryeministri Hashim Thaçi, në hapje të mbledhjes ka sqaruar opinionin dhe kabinetin qeveritar për çështjen po tenton të bëhet edhe objekt i fushatës elektorale dhe ka tërhequr edhe vëmendjen e opinionit publik në Republikën e Kosovës. Bëhet fjalë për vizitat e zyrtarëve të lartë të Serbisë në shtetin e Kosovës, dilemës se a do duhet lejuar ata për të vizituar Kosovën apo nuk duhet lejuar.
Në vazhdim po e japim të plotë deklarimin e Kryeministrit Thaçi në mbledhjen e qeverisë lidhur me këtë çështje:
“Së pari ne duhet të jemi shumë të hapur dhe të përgjegjshëm para opinionit publik, por duhet të jemi të hapur në të njëjtën kohë edhe shumë të përgjegjshëm edhe para obligimeve tona shtetërore që i kemi dhe para marrëveshjeve që kemi arritur në Bruksel. Ne kemi një Marrëveshje për Normalizimin e raporteve mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë, e cila është ratifikuar nga Parlamenti i Kosovës dhe e cila është në proces të zbatimit të saj, kemi në fuqi edhe marrëveshjen për lirinë e lëvizjes, e cila është vlerë fundamentale, njerëzore që duhet të respektohet si nga Kosova po ashtu edhe nga Serbia dhe gjitha vendet e rajonit. Dhe, Qeveria e Republikës së Kosovës ka në fuqi kriteret dhe procedurat që duhet të respektohen nga të gjithë zyrtarët e lartë të Serbisë, në rast se ata duan ta vizitojnë Republikën e Kosovës. Këto kritere lejojnë vizitat e zyrtarëve të lartë të Serbisë, të cilat kanë karakter strikt religjioz apo humanitar.
Ne si shtet modern dhe i civilizuar, asnjëherë nuk i kemi ndaluar vizitat e natyrës së tillë, përveç nëse zyrtarët e Serbisë i kanë keqpërdorur dhe nuk iu kanë përmbajtur rregullave dhe procedurave në fuqi, siç ka ndodhur në rastin e fundit që ka qenë ai i djeshmi nga një zyrtar i lartë i Serbisë, i cili është futur ilegalisht në Kosovë.
Më lejoni t’ju informoj se Qeveria e Republikës së Kosovës zyrtarisht ka pranuar kërkesën për një vizitë të karakterit religjioz, nga kryeministri i Serbisë, në Manastirin e Graçanicës, për ditën e nesërme. Kjo vizitë ka karakter religjioz.
Më lejoni të sqaroj të gjithë qytetarët e Kosovës, se kërkesa e kryeministrit të Serbisë paraqitet si kërkesë me karakter strikt religjioz. Prandaj, unë konsideroj se nuk ka asnjë arsye që të mos lejohet një vizitë e tillë.
Kosova është shtet modern dhe i pavarur dhe ne i ndajmë vlerat e përbashkëta civilizuese perëndimore. Prandaj, duke qenë një popull i civilizuar dhe i qytetëruar, ne duhet ët kemi mirëkuptim edhe për vlerat religjioze dhe ato humanitare edhe të popujve tjerë, në këtë rast edhe të qytetarëve serbë, të cilët janë pjesë e vlerave kulturore dhe religjioze të Kosovës.
Në të njëjtën kohë, unë jam shumë i vetëdijshëm se dikush në këtë proces elektoral do të mund ta shfrytëzojë për të sulmuar edhe Qeverinë, por edhe mua personalisht si kryeministër i vendit për lejimin e kësaj vizite me karakter religjioz të kryeministrit të Serbisë në Manastirin e Graçanicës.
Sidomos këto sulme mund të ndodhin tash në këto ditë të fushatës elektorale. Por unë si kryeministër i Republikës së Kosovës, e theksoj edhe njëherë, nuk do të ndikohem nga këto sulme elektorale që kanë qëllime ditore. Ne mbi të gjitha, mbi qëllimet elektorale, mbi politikën ditore, mbi politikën partiake, të interesave të ngushta, duhet të shohim interesin e shtetit dhe të gjithë qytetarëve të vendit.
Ne, duke respektuar parimet e qytetarisë dhe civilizimit, të lëvizjes së lirë, duke respektuar vlerat religjioze dhe ato humanitare, mund të jemi partner i denjë dhe i barabartë i vendeve tjera në perspektivën tonë për tu anëtarësuar në NATO dhe Bashkim Evropian.
Këtë objektiv nacional, të qytetarëve të Kosovës, të politikës kosovare, mund të arrijmë vetëm nëse dëshmojmë se kemi pranuar dhe përqafuar dhe po zbatojmë vlerat civilizuese njerëzore perëndimore. Edhe vendimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës për të lejuar vizitat e zyrtarëve të lartë të Serbisë në Kosovë, vizita që kanë karakter religjioz dhe humanitar, e dëshmon më së miri përcaktueshmërinë tonë për të ecur drejt anëtarësimit në NATO dhe Bashkim Evropian.
Jam i sigurt se vizioni i Qeverisë së Republikës së Kosovës është plotësisht në përputhje me interesat nacionale të Kosovës, është plotësisht në përputhje me interesat e së ardhmes, por edhe të sotmes. Në këtë rrethanë nuk kam asnjë dyshim.
Unë dëshiroj të falënderoj qytetarët e Kosovës për pjekurinë e tyre të lartë dhe tolerancën fetare dhe ndëretnike që kanë dëshmuar dhe po dëshmojnë vazhdimisht në këto procese.
Ne nuk mund të mbesim pengë, mbesim viktimë e politikave ditore, elektorale. Pavarësisht prej procesit elektoral, ne duhet të marrim vendime që janë në interesin e shtetit të Kosovës”
– ka thënë kryeministri Hashim Thaçi në fjalën e hapjes së mbledhjes së sotme të Qeverisë së Kosovës.
Në vazhdim të mbledhjes, Qeveria e Kosovës ka miratuar Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për dhomën e posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës për çështjet lidhur me Agjencisë Kosovare të Privatizimit. Ndryshimet dhe plotësimet në ligj rregullojnë të drejtën që kërkesat, ankesat dhe dokumentet përcjellëse në këtë dhomë mundë të paraqiten në cilëndo nga gjuhët zyrtare të Republikës së Kosovës.
Edhe Rregullorja për Organizimin e Brendshëm dhe sistematizimin e vendeve të punës në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, ka marr aprovimin në mbledhjen e sotme të Qeverisë së Republikës së Kosovës.
Udhëzim Administrativ për ndalimin, kufizimin ose kushtëzimin e aktiviteteve të caktuara përgjatë vijës së kufirit shtetëror, i cili përcakton procedurat në këtë fushë, është dokumenti radhës që është aprovuar në mbledhje nga kabineti qeveritar.
Në mbledhjen e sotme është aprovuar Strategjia Shtetërore për Migrimin si dhe plani i veprimit 2013-2018. Strategjia adreson zotimet e Qeverisë së Republikës së Kosovës për parandalimin e migrimit të parregullt dhe fuqizimin e migrimit të rregullt, përmes rregullimit ligjor dhe shndërrimit të migrimit në faktor pozitiv për zhvillimin ekonomik.
Realizimi i misionit të kësaj strategjie, synohet të arrihet përmes realizimit të objektivave strategjikë:
-Parandalimi dhe luftimi i migrimit të parregullt,
– Përmirësimi i menaxhimit të migrimit ligjor dhe qarkullues;
– Transformimi dhe zhvillimi i migracionit në faktor pozitiv ekonomik.
Kabineti qeveritar ka miratuar Raportin Vjetor për Performancën e Ndërmarrjeve Publike për vitin 2012. Ky raport në vete përmban edhe të dhënat krahasuese ndërmjet vitit 2011 dhe 2012, e që konkretisht tregojnë për performancën e Ndërmarrjeve Publike në vitin 2012. Raport fokusohet:
• Performancën operative (rezultatet e arritura, efikasiteti, kualiteti i shërbimeve),
• Performancën financiare (qarkullimi i arritur, efikasiteti i shpenzimeve, profitabiliteti),
• Qeverisjen korporative (Monitorimet e punës se bordeve, llogaridhënia, planifikimi i biznesit),
• Perspektivën nё të ardhmen (ndryshimet e tregut, investimet, rreziqet).
Ky raport përmbledh rezultatet operative dhe financiare të Ndërmarrjeve Publike pёr vitin 2012, i analizon ato rezultate duke bërë krahasime me vitin paraprak. Gjithashtu ky raport paraqet
Nga Raporti shihet se në krahasim me vitin paraprak ka progres në përformancën financiare në krahasim me vitin paraprak, ndonëse jo ai i prituri nga aksionari.
Në mbledhjen e sotme të kabinetit qeveritar është shqyrtuar Raporti Nëntëmujorë të Buxhetit. Sipas raportit, pranimet ose të hyrat janë gjithsej 1.071 miliard euro, ndërsa pagesat janë gjithsej 1.017 miliard euro.
Qeveria e Kosovës ka miratuar vendimin për dhënien e garancisë shtetërore për Fondin e Depozitave të Kosovës, për garantimin e linjës kreditore të ofruar nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim në shumën prej 10 milion eurove.
Me propozimin e Ministrisë së Mbrojtjen e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor është futë në programin legjislativ të Qeverisë së Kosovës për vitin 2013, plotësimi dhe ndryshimi i Ligjit për Shitjen e Banesave për të cilat ekziston e drejta banesore.
Në mbledhjen e sotme, Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar vendimin e propozuar nga Ministria e Financave për reduktimin dhe ndarjen e mjeteve financiare, në pajtim me nenin 13 të Ligjit për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2012.
Me vendimin e aprovuar sot nga Qeveria e Republikës së Kosovës, Gani Shabani është emëruar në pozitën e Sekretarit të Përgjithshëm në Ministrin e Shëndetësisë.
