Prishtinë, 1 tetor 2014
Nën drejtimin e Kryeministrit Hashim Thaçi, Qeveria e Republikës së Kosovës ka zhvilluar mbledhjen e rregullt, në të cilën janë miratuar dokumente dhe vendime nga përgjegjësitë e saja kushtetuese dhe ligjore.
Koncept Dokumenti për Pijet Alkoolike është dokumenti i parë që ka marrë miratimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës në mbledhjen e sotme. Ky Koncept dokument ka për qëllim krijimin e kornizës ligjore për parimet e përgjithshme që kanë të bëjnë me regjistrimin, prodhimin, përpunimin, treguesit gjeografik të mbrojtur, kualitetin, përshkrimin, prezantimin, etiketimin, importimin, eksportimin e pijeve të forta alkoolike në Republikën e Kosovës.
Objektivat e këtij koncept dokumenti synojnë përmirësimin e cilësisë dhe standardit të pijeve alkoolike dhe krijimin e kushteve për zhvillimin e këtij sektori me ndikim në zhvillimin e bujqësisë, punësimit në këtë sektor, rritja e efikasiteti dhe aftësisë konkurruese të prodhuesve të pijeve alkoolike në Republikën e Kosovës.
Me vendimin e aprovuar sot në mbledhjen e qeverisë, është vazhduar mandati edhe për tri vite i sekretarëve të përgjithshëm dhe pozitave të barasvlershme si në vijim:
1. Z. Ismail SMAKIQI, Drejtor i Përgjithshëm në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike në Ministrinë e Punëve të Brendshme;
2. Z. Rrahim RAMA, Kryeshef Ekzekutiv në Agjencinë për Administrim e Pasurisë së Sekuestruar ose të Konfiskuar /Ministria e Drejtësisë;
3. Z. Isa KRASNIQI, Kryeshef Ekzekutiv në Agjencinë e Statistikave të Kosovës;
4. Z. Hysni VESELI, Kryeshef Ekzekutiv në Institutin e Kosovës për Administratë Publike në MAP;
Me propozimin e Ministrit të Financave, Qeveria ka miratuar vendimin për rialokimin e 29 milionë eurove për Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe 500 mijë euro për Radio Televizionin e Kosovës.
Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri ka njoftar kabinetin qeveritar për procesin e dialogut në Bruksel ka pasur zhvillime pozitive në zbatimin e marrëveshjeve për Menaxhimin e Integruar të Kufirit (në ndërtimin e infrastrukturës së përbashkët në gjashtë vendkalimet kufitare mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, projekt ky i financuar dhe mbikëqyrur nga Bashkimin Evropian). Gjithashtu zëvendëskryeministrja Tahiri ka theksuar arritjen e marrëveshjes për energjinë dhe lëvizjen e lirë, ndërsa ka thënë se tashmë janë shënuar hapa edhe në drejtim të arritjes së marrëveshjes për telekomunikacionin.
Kryeministri Hashim Thaçi ka vlerësuar dhe ka shprehur falënderim për angazhimin e zëvendëskryeministres Edita Tahiri dhe ekipit të saj në procesin e dialogut në Bruksel.
