Qeveria e Republikës së Kosovës mori vendim për themelimin e Universitetit Publik të Prizrenit


Image

Prishtinë, 9 tetor 2009

Qeveria e Republikës së Kosovës nën drejtimin e kryeministrit Hashim Thaçi, në mbështetje të nenit 92 dhe 93 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, si dhe duke u bazuar në Objektivat e Strategjisë së Zhvillimit të Arsimit të Lartë 2005-2015, sot mori vendim për themelimin e Universitetit të Prizrenit, si institucion publik i arsimit të lartë.

Universiteti i Prizrenit do të ofroj grada universitare dhe diploma të arsimit të lartë. Sipas vendimit të qeverisë obligohet MASHT dhe MEF që të emërojnë një Këshill Drejtues, i cili merret me implementimin e këtij vendimi për themelimin e Universitetit publik të Prizrenit. Po ashtu MASHT obligohet që të bëjë të gjitha parapërgatitjet që Universiteti i Prizrenit të regjistrojë studentët e parë në vitin akademik 2010/2011.

Kryeministri Hashim Thaçi ka thënë se që nga fillimi çështja e edukimit ka qenë prioriteti kryesor i Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe se në këtë drejtim gjërat janë duke lëvizur në drejtim të duhur.

Janë bërë hapa të rëndësishëm në koordinimin e mekanizmave për sigurimin e cilësisë së lartë në arsim, përmirësimin e kushteve për studentë, rritjen dhe modernizimin e hapësirës për studim dhe akomodim, dhe, së fundmi, ka ndodhur rritja e pagave në nivel të dinjitetshëm për punëtorët universitarë, është shprehur kryeministri Thaçi.

“Qeveria e Republikës së Kosovës, përmes Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë ka ndërmarrë hapa të guximshëm duke rritur numrin e studentëve në UP.

Duke u bazuar në këto rrethana është mbështetur vendimi për themelimin e  Universitetit të Prizrenit si institucion publik i arsimit të lartë”, theksoi kryeministri Thaçi.

Duke e përshëndetur vendimin e Qeverisë për hapjen e Universitetit të Prizrenit, ministri i Arsimit, Enver Hoxhaj ka theksuar se arsimi i lartë është ndër sektorët më të fuqishëm për zhvillimin ekonomik të një vendi, dhe kjo vlen edhe për Republikën e Kosovës edhe në rrafshin afatshkurtër dhe në rrafshin afatgjatë. Viti 2009 ka qenë i definuar si prioritet për rritjen e cilësisë në arsimin e lartë përmes procesit të akreditimit, i cili ka përfshirë edhe Universitetin publik të Prishtinës.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors