Prishtinë, 27 gusht 2009
Në fjalën e hapjes, në mbledhjen e 79-të të Qeverisë së Republikës së Kosovës, kryeministri Hashim Thaçi ka folur lidhur me gjendjen aktuale politike në vend, për progresin e arritur dhe të vlerësuar nga qytetarët dhe nga komuniteti ndërkombëtar, si dhe për disa raste të veçuara, të cilat siç theksoi kryeministri Thaçi kanë kërkuar dhe kërkojnë përgjigje shtetërore.
Qëndrimi i institucioneve të Republikës së Kosovës për të gjitha këto zhvillime ka qenë shumë i qartë, shumë i vendosur dhe plotësisht në përputhshmëri me Kushtetutën e Republikës së Kosovës – u shpreh kryeministri Thaçi.
Më tej, kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka folur për zhvillimet e fundit në pjesën veriore të vendit.
Ngjarjet penguese dhe të dhunshme në Mitrovicë kanë qenë, janë dhe do të jenë vazhdimisht të papranueshme për Qeverinë e Republikës së Kosovës dhe do të punohet maksimalisht që ato skena të parandalohen me të gjitha mjetet që lejon Kushtetuta e Republikës së Kosovës, dhe ligjet tona në fuqi dhe që duhet të vlejnë e që do të vlejnë për gjithë territorin e Republikës së Kosovës.
Qytetarët e Mitrovicës pavarësisht përkatësisë së tyre etnike kanë të drejtë themelore, të garantuar me Kushtetutë dhe me ligj që të jetojnë të qetë, të lirë, të sigurt në pronat dhe shtëpitë e tyre, kudo që ndodhet ajo brenda territorit të Republikës së Kosovës – është shprehur kryeministri Thaçi.
Në mbledhjen e sotme qeveria ka miratuar dy projektligje, Projektligjin për Organizimin Sindikal në Kosovë dhe Projektligjin për Masat Doganore për Mbrojtjen e të Drejtave të Pronësisë Intelektuale.
Po sot Qeveria ka marrë vendim për themelimin e Qendrës Nacionale për Grumbullimin e të Dhënave mbi vetëvrasjet dhe sjelljet e vetëlëndimit në nivel kombëtar. Qeveria e Republikës së Kosovës po bën përpjekje për të krijuar një bazë të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse të dhënash në nivel nacional, për të grumbulluar informata relevante të ndërlidhura me sjelljen vetëvrasëse dhe sjelljen vetë dëmtuese të adoleshentëve dhe të rriturve. Qendra për Grumbullimin e të Dhënave mbi Vetëvrasjet dhe sjelljet Vetë-lënduese në nivel kombëtar, të vendoset në Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik në Prishtinë.
Sipas kërkesës së Ministrisë së Shëndetësisë Qeveria ka ndarë mjeteve financiare në vlerë prej 4 milionë euro, më qëllim të blerjes së 500.000 vaksinave kundër gripit A – H1N1. Po sot i është lejuar rialokimi i mjeteve për Ministrinë e Forcës së Sigurisë së Kosovës me vlerë totale prej 1.070.000 euro.
Qeveria ka ndarë 13 mijë euro për mbulimin e shpenzimeve të vendosjes së bustit të ish presidentit të SHBA-ve, Bill Klinton në Prishtinë.
Kryeministri Hashim Thaçi në mbledhjen e sotme ka ritheksuar mbështetjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe të gjitha institucioneve kosovare për mbajtjen e zgjedhjeve të lira, demokratike, fer dhe të pranueshme, zgjedhje këto lokale, që do të mbahen më 15 nëntor të këtij viti.
Ky është një provim i madh, të cilin ne duhet ta japim me sukses të plotë të gjithë, një provim për rendin demokratik, për demokracinë, por edhe për të ardhmen tonë euroatlantike. E gjithë bota do të na shikojë se si do ta kalojmë edhe atë sfidë, në mënyrën më të mirë të mundshme – u shpreh kryeministri Thaçi.
Dua të theksoj se pas shpalljes së Kosovës shtet, këto zgjedhje janë prej ngjarjeve më të rëndësishme për Kosovën, ku do të maten dhe do të vlerësohen kapacitetet tona shtetformuese, si dhe vizioni ynë, vizioni i të gjithëve për të ardhmen – tha kryeministri Thaçi dhe shtoi se “Qeveria e Republikës së Kosovës i jep përkrahje të plotë organizimit sa më të mirë, sa më profesional, rritjes së transparencës në këtë proces dhe përkushtimeve profesionale të Komisionit Qendror Zgjedhor”.
Me këtë rast, kryeministri Thaçi ka falënderuar ministrin e Administratës Publike, Arsim Bajrami për punën që ministria që drejton ai ka bërë në këtë drejtim dhe ka kërkuar nga ai që të punohet edhe më tepër që të krijohen kushte edhe më të mira për organizimin e zgjedhjeve të lira të nëntorit.
Kryeministri Thaçi ka ripërsërituar angazhimin e qeverisë për krijimin e hapësirave shumë më të përshtatshme dhe krijimin e kushteve ideale për punë, por edhe plotësimin e të gjitha kërkesave të KQZ-së.
