Prishtinë, 25 mars 2010
Në hapje të mbledhjes së Qeverisë së Republikës së Kosovës, të drejtuar nga kryeministri Hashim Thaçi, ministri i Ekonomisë dhe Financave, Ahmet Shala ka njohur kabinetin qeveritar me zhvillimin punimeve të Konferencës së Investitorëve për Participimin e Sektorit Privat në Postën dhe Telekomin e Kosovës, më 24 mars 2010. Ai ka vlerësuar se konferenca ka pasur sukses dhe është dëshmuar se Kosova është duke u bërë atraktive për investitorët e huaj dhe vendorë.
Qeveria ka aprovuar vendimin për ndarjen e mjeteve financiare për projektin “Avokimi për programin Edukimi i Hershëm për Fëmijët me Aftësi të Kufizuara“. Ky është një projekt i organizatës Doën Syndrome Kosova, i cili do të bashkëfinancohet edhe nga Instrumenti Evropian për Demokraci dhe të Drejta të Njeriut. Qeveria e Kosovës do ta mbështes projektin me 23.420,00 euro.
Projekti “Të përfundojmë diskriminimin institucional, duke promovuar zërin e personave me aftësi të kufizuar në media“ do të mbështetet me mjete financiare prej 22.394 nga Qeveria e Kosovës. Edhe ky projekt i shoqatës “Handicap Kosova”, do të bashkëfinancohet edhe nga Komisioni Evropian.
Me kërkesën e Ministrisë së Administratës Publike, Qeveria e Republikës së Kosovës ka marrë vendim për transferimin e mjeteve financiare për inventarizim dhe pajisje elektronike të objektit të ri të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës.
Në mbledhjen e sotme, Qeveria ka miratuar disa amandamentime të neneve të marrëveshjes së Qeveris së Kosovës me Fondin Monetar Ndërkombëtarë. Amandamentimi i këtyre neneve sqaron disa përkufizime në këtë marrëveshje dhe nuk ndryshon përmbajtjen e saj.
Qeveria ka aprovuar Projektligjin për Metrologji. Me këtë ligj rregullohet sistemi i njësive matëse, etalonët për matje, procedurat e vlerësimit të konformitetit të mjeteve matëse, kërkesat meteorologjike për produktet e parapaketuara, autorizimet në fushën e metrologjisë, mbikëqyrjen meteorologjike si dhe përgjegjësitë e Departamentit të Metrologjisë. Ky ligj zbatohet në fushat që kanë të bëjnë me mbrojtjen e shëndetit të njerëzve dhe kafshëve, mbrojtjen e konsumatorit, mjedisit dhe sigurisë së përgjithshme teknike, si dhe transaksionet e mallrave dhe shërbimeve.
Edhe Projektligji për Konfliktet Administrative, është miratuar në mbledhjen e sotme të Qeverisë së Kosovës. Ky ligji përmbledh rregullat procedurale, që synojnë të garantojnë ligjshmëri, efikasitet, përgjegjshmëri, integritet dhe transparencë në marrëdhëniet e autoriteteve administrative me palët në procedurë. Ky ligj iu ofron palëve më shumë garanci procedurale dhe eliminon ligjet e aplikueshme, që tani, në këtë nivel të zhvillimit, janë të pazbatueshme në Kosovë.
Është miratuar edhe Projektligji për Tatimin në Pronën e Paluajtshme. Ligji vendos tatimin mbi pronën e paluajtshme në Kosovë dhe përcakton standardet dhe procedurat të cilat duhet t’i respektojnë komunat në administrimin e tatimit në pronë. Të hyrat e vjela nga tatimi mbi pronën derdhën në llogari të komunës përkatëse dhe përdoren nga ajo në përputhje me Ligjin nr. 03/L-049, për Financat e Pushtetit Lokal.
Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale ka iniciuar zgjidhjen e çështjes së parëses së rrymës për kategoritë që ndodhen në skemën sociale. Në këtë temë, kabineti qeveritar ka diskutuar edhe për shkyçjet kolektive nga rrjeti i furnizimit me energji elektrike. Është konstatuar përkushtimi i Qeverisë së Kosovës që të mos ketë shkyçje kolektive nga rrjeti elektrik, dhe në të ardhmen të sillet një strategji për zgjidhjen kësaj çështjeje nga ana e Ministrisë së Energjisë dhe Minierave.
Në mbledhje, kryeministri Hashim Thaçi ka përshëndetur aktin e kthimit spontan të 11 familjeve serbe në komunën e Istogut. Qeveria e Kosovës mbetet e përkushtuar që të ndihmojë dhe të inkurajojë të gjithë të zhvendosurit të kthehen në shtypit dhe në pronat e veta, – theksoi kryeministri Thaçi.
