Prishtinë, 18 shkurt 2015
E drejtuar nga kryeministri Isa Mustafa, Qeveria e Republikës së Kosovës ka zhvilluar mbledhjen e saj të rregullt, të katërmbëdhjetën me radhë. Në mbledhje janë marr vendime të fushave të përgjegjësive kushtetuese dhe ligjore të Qeverisë së Kosovës.
Vendimi i parë i miratuar në mbledhjen e sotme ka qenë për ndarjen e mjeteve financiare, në vlerë prej 141.700,00 euro, për mbulimin e shpenzimeve të punës së Sekretarisë së Komisionit Qeveritar për njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Dëshmorit të Kombit, Invalidit, Veteranit, pjesëtarit apo të internuarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për vitin 2015.
Këto ndahen nga shpenzimet e paparashikuara të rezervave të Qeverisë, dhe barten te Zyra e Kryeministrit.
Qeveria e Kosovës ka emëruar Sekretarin e Përgjithshëm në Ministrinë e Punëve të Jashtme. Me vendimin e miratuar sot, nga kabineti qeveritar, z.Kreshnik Gashi emërohet në këtë pozitë për një mandat trevjeçar.
Në mbledhjen e sotme është miratuar edhe vendimi për ndarjen e mjeteve financiare për kompensimin e dëmit të shkaktuar nga zjarri në Stadiumin “Riza Lushta” në Mitrovicë. Sipas këtij vendimi, për këtë qëllim janë ndarë mjete në vlerë prej 100,000 euro.
Në mbyllje të mbledhjes, kryeministri Isa Mustafa, ka kërkuar nga anëtarët e kabinetit qeveritar, që me prioritet të lartë të trajtojnë dhe përgatisin përgjigjet në pyetësorin për Konferencën e Berlinit për Ballkanin Perëndimor, që sivjet do të mbahet në Vjenë. Ministritë duhet të evidentojnë projektet zhvillimore nga fusha të caktuara, dhe të bëjnë prezantimin dhe argumentimin e tyre.
