Qeveria e Republikës së Kosovës, e drejtuar nga kryeministri Isa Mustafa, ka zhvilluar mbledhjen e saj të rregullt, të 50-tën me radhë, në të cilën ka miratuar politika dhe vendime të fushave të përgjegjësive të saj ligjore dhe kushtetuese.
Qeveria e Kosovës, pas shqyrtimit ka miratuar Koncept dokumentin për transfuzionin e gjakut, kontrollin e gjakut dhe produktet e tij i cili synon rregullimin e dhurimit të gjakut, grumbullimin, testimin, përpunimin, hemovigjilencën, kontrollin e cilësisë, ruajtjen, menaxhimin, shpërndarjen e gjakut dhe produkteve të tij sipas legjislacionit dhe standardeve evropiane.
Qeveria ka emëruar drejtorët në Bordin e Ndërmarrjes Publike Kompania për Menaxhimin e Deponive.
Është miratuar në parim nisma për lidhjen e marrëveshjes mbi bashkëpunimin për reforma në mes të Suedisë dhe Kosovës. Marrëveshja përbën kornizën e bashkëpunimit në mes të dy vendeve në procesin e integrimeve evropiane, fuqizimin e demokracisë dhe administratës publike, avancimin e të drejtave të njeriut dhe sundimin e ligjit.
Në mbledhjen e sotme janë miratuar në parim nismat e lidhjes së marrëveshjeve për transport rrugor ndërkombëtar të udhëtarëve dhe mallrave, veç e veç, ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Mbretërisë së Danimarkës, Qeverisë së Mbretërisë së Holandës dhe Qeverisë së Dukatës së Madhe të Luksemburgut.
Kabineti qeveritar ka miratuar vendimin për ndarjen e mjeteve financiare për shënimin e ditës së komunitetit boshnjak në Kosovë.
Është miratuar edhe vendimi për miratimin në parim të nismës për Marrëveshjen Financiare të Instrumenteve të Para Anëtarësimit (IPA) për vitin 2012 dhe për vitin 2013 me ndryshime, ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian.
Qeveria e Kosovës i ka rekomanduar Presidentes së Republikës së Kosovës që të autorizojë Ministrin e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë për nënshkrimin e marrëveshjes për themelimin e “Qendrës së Ballkanit Perëndimor për hulumtime dhe inovacione”
Kabineti qeveritar i ka dhënë aprovimin edhe vendimit përfundimtar për shpronësimin për interes publik të pronave të paluajtshme të pronarëve dhe zotëruesve të interesit të cilat preken nga ndërtimet e Qendrës Turistike në Brezovicë, në zonat kadastrale të Komunës së Shtërpcës.
Qeveria e Kosovës ka miratuar vendimin për përcaktimin e shumës së pensioneve për veteranët luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Kryeministri Isa Mustafa, me këtë rast, vlerësoi rëndësinë që ka ky vendim i Qeverisë për përmbylljen e këtij procesi. Kryeministri Mustafa theksoi se për këtë çështje janë zhvilluar disa takime edhe me zëvendëskryeministrin e parë, Hashim Thaçi, dhe me kryetarin e Komisionit, ku kanë qenë prezentë edhe disa ministra, e ku janë marrë vesh që kjo çështje të përfundohet. Kryeministri po ashtu bëri të ditur se Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale e ka përgatitur Udhëzimin Administrativ dhe se tashmë i ka bërë shkresë Ministrisë së Financave që të përcaktoj shumën e cila do të paguhet, e që është në harmoni me Buxhetin.
“Unë mendoj se është një veprim i rëndësishëm i Qeverisë sot, që të përmbyllim këtë proces, që njerëzit të fillojnë dhe t’i realizojnë të drejtat e tyre që iu takojnë me ligj. Ndërkaq, proceset tjera që janë procese të ankesave tjera, mbesin procese të cilat vazhdojnë edhe më tutje dhe duhet të përmbyllen. Mirëpo, me këtë, prej ditës së sotme hapet mundësia që të gjithë përfituesit e kësaj të drejte, nga radhët e veteranëve të UÇK-së, të fillojnë të realizojnë të drejtën e tyre”, u shpreh kryeministri Mustafa. Kryeministri Isa Mustafa po ashtu bëri të ditur se do të zhvillohet një mbledhje e Qeverisë edhe të premten, ku ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, do të njoftojë lidhur me procedurat tjera që janë të përcaktuara me Udhëzimin Administrativ rreth shfrytëzimit të së drejtës së veteranëve të UÇK-së.
Ministri i Administratës Publike ka informuar kabinetin qeveritar për procesin e hartimit të Strategjisë së Reformës së Administratës Publike dhe për akomodimin e institucioneve të pavarura të Avokatit të Popullit dhe Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.
Ministri i Financave ka informuar për situatën në buxhetin e planifikuar për shpronësimet për interes publik, i cili për këtë vit është shpenzuar dhe vendimet e ardhshme duhet të vlerësohen dhe shqyrtohen me vëmendje.
Lidhur me këtë çështje, kryeministri Isa Mustafa theksoi se është e domosdoshme që të zbatohet disiplina për të cilën është përcaktuar Qeveria sa i përket shpenzimeve, duke kërkuar masa konkrete për respektim maksimal të disiplinës financiare.
