Prishtinë, 2 korrik 2009
Nën drejtimin e zëvendëskryeministrit Hajredin Kuçi, është zhvilluar mbledhja e radhës e Komisionit Ndërministrorë për Reformën e Administratës Publike në të cilën janë prezantuar gjetjet dhe rekomandimet për rishikimin funksional në disa prej ministrive dhe agjensioneve në Qeverinë e Kosovës.
Prezantimet e rishikimit funksional për gjetjet dhe rekomandimet në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë kanë evidentuar një lidership të përkushtuar për të zbatuar reformat dhe ka evidentuar edhe mungesat në zhvillimin e panevojshëm dhe të pa balancuar të burimeve njerëzore në këtë ministri.
Në gjetjet dhe rekomandimet për rishikimin funksional të Ministrisë së Shëndetësisë, janë evidentuar vështirësitë që ndërlidhen me kufizimet buxhetore, niveli i diskutueshëm i menaxhimit dhe mangësitë në furnizimin me barna.
Në takimin e sotëm është prezantuar edhe rishikimi horizontal i e-Qeverisjes, ku janë prezantuar zhvillimet e deritashme në këtë fushë, si dhe nevojën që në Planin e Veprimit për Implementimin Strategjisë së e-Qeverisjes 2009-2015 të adresohen një varg çështjesh.
Edhe në fushën e luftës kundër korrupsionit, janë prezantuar rishikimet sipas të cilave do të duhej përcaktuar qartë institucionet bartëse të luftës kundër korrupsionit dhe masat që duhet të ndërmerren në këtë angazhim.
Në takim, Ministria e Punëve të Brendshme ka prezantuar Planin e Zhvillimit Strategjik të kësaj ministrie.
