Prishtinë, 1 shtator 2026
Zyra e Kryeministrit të Republikës së Kosovës dhe Ministria e Ekonomisë organizuan punëtorinë konsultative për themelimin e institutit kombëtar kërkimor për energjinë, i cili mendohet të funksionojë në Parkun për Inovacion dhe Trajnim (ITP) në Prizren.
Në këtë punëtori, ku morën pjesë përfaqësues të Qeverisë, shoqërisë civile, sektorit privat, profesorë, ekspertë dhe partnerë ndërkombëtar, u prezantua koncepti për themelimin e institutit, i përgatitur me mbështetjen teknike të qeverisë gjermane nëpërmjet Agjencisë Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar – GIZ.
Në fjalën hyrëse, kryeministri Kurti foli për rëndësinë e forcimit të kapaciteteve kombëtare për kërkim, hulumtim, inovacion dhe hartim të politikave të mirinformuara.
“Kur diskutojmë për tranzicionin energjetik, zakonisht mendojmë për termocentrale, panele solare, turbina ere dhe linja transmisioni. Megjithatë, asnjëra nga to nuk mund të ndërtohet pa njohurinë që i paraprinë. Para se të ndërtohen kapacitete të reja, dikush duhet bëjë matje, të bëjë llogari dhe të mendojë thellë. Kjo njohuri nuk shfaqet vetvetiu. Ajo duhet të krijohet, mirëmbahet dhe të ruhet ose do të humbasë. Ia vlen të theksojmë çfarë në të vërtetë do të thotë kërkimi dhe zhvillimi, sepse termi shpesh përdoret me lehtësi të tepruar. Ndërkombëtarsisht, kërkimi dhe zhvillimi definohen si punë kreative dhe sistematike me qëllim të rritjes fondit të njohurive”, tha ai mes tjerash.
Ai shtoi se qëllimi i institutit për energji duhet të jetë krijimi i një hapësire ku ruhet njohuria, një institucion me kujtesë, jo një projekt që fillon dhe mbaron me një grant apo ndonjë raport që mbetet në sirtar pas prezantimit.
Fjala hyrëse e Kryeministrit Kurti:
E nderuar znj. Artane Rizvanolli, Ministre e Ekonomisë,
E nderuar znj. Mimoza Kusari-Lila, Ministre e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit,
Shkëlqesia Juaj, z. Rainer Rudolph, Ambasador i Gjermanisë në Kosovë,
I nderuar Dr. Zoran Morvaj,
Të nderuar ekipet e GIZ-it dhe ITP-së,
Të nderuar përfaqësues të institucioneve tona, universiteteve, bizneseve dhe shoqërisë civile,
Të nderuar studiues,
Zonja dhe zotërinj,
Ju faleminderit që jeni këtu sot.
Kur flasim për tranzicionin energjetik, zakonisht përfytyrojmë termocentrale, panele diellore, turbina të erës dhe linja të transmetimit.
Megjithatë, asnjëra prej këtyre infrastrukturave nuk ndërtohet pa njohurinë që i paraprin. Përpara se të ndërtohet ndonjë kapacitet i ri, dikush duhet ta masë, ta llogarisë dhe ta analizojë me kujdes. Kjo njohuri nuk shfaqet vetvetiu. Ajo duhet të krijohet, të mirëmbahet dhe të ruhet, përndryshe do të humbasë.
Ia vlen të rikujtojmë se çfarë nënkupton në të vërtetë kërkimi dhe zhvillimi, pasi ky term shpesh përdoret lirshëm. Ndërkombëtarisht, K&Zh-ja përkufizohet si punë kreative dhe sistematike që ndërmerret për të rritur fondin e njohurive. Për t’u cilësuar si e tillë, ajo duhet të përmbushë pesë kritere: të jetë novatore, kreative, me rezultat të pasigurt, sistematike dhe që rezultatet e saj të jenë të transferueshme ose të riprodhueshme.
Dëshiroj ta vë theksin te kriteri i tretë: pasiguria e rezultatit. Pasiguria nuk është dobësi e kërkimit; ajo është pjesë e përkufizimit të tij. Një qeveri që financon kërkimin financon punë, rezultatet e së cilës nuk mund të garantohen paraprakisht. Kjo është e pakëndshme për çdo ministri financash kudo në botë dhe pikërisht për këtë arsye kërkimi nuk financohet, përveçse kur një vend vendos, në mënyrë të vetëdijshme, ta financojë atë. Së shpejti, ne kemi nevojë dhe duam të marrim vendime të tilla.
Në dekadat që nga lufta, Kosova shumë shpesh është varur nga analizat e porositura ose të prodhuara gjetkë. Studimet për sektorin tonë të energjisë shpesh janë hartuar nga njerëz që e njohin vendin tonë më mirë përmes tabelave të të dhënave sesa përmes terrenit.
Analizat e jashtme kanë qenë të dobishme dhe u jemi mirënjohës partnerëve tanë për to. Megjithatë, një vend që nuk arrin të prodhojë njohuritë e veta, herët a vonë do ta gjejë veten duke marrë vendime jetike mbi bazën e supozimeve dhe prioriteteve të dikujt tjetër.
Prandaj, kërkimi dhe zhvillimi nuk mund të trajtohet si një luks i rezervuar vetëm për vendet e pasura. Pjesa më e madhe e teknologjisë që kërkon tranzicioni i gjelbër nuk do të shpiket në Kosovë dhe as nuk ka pse të shpiket. Por importimi i teknologjisë nuk është e njëjta gjë me krijimin e kapaciteteve. Një vend mund ta përdorë në mënyrë efektive vetëm atë që mund ta kuptojë, përshtatë dhe zbatojë në kushtet e veta të veçanta. Ekonomistët e quajnë këtë kapacitet absorbues: aftësinë jo vetëm për të përvetësuar teknologjinë, por për të mësuar prej saj dhe për ta vënë atë në funksionin tonë. Ky kapacitet nuk vjen bashkë me pajisjet. Ai duhet të ndërtohet këtu dhe duhet të ruhet këtu.
Qëllimi i një instituti kombëtar për tranzicionin energjetik duhet të jetë pikërisht ky: të krijojë një vend ku njohuria mbetet. Jo një projekt që fillon dhe përfundon me një grant. Jo një raport që mbledh pluhur në një sirtar pas prezantimit. Por një institucion me kujtesë, i cili i tejkalon si ciklin e projektit, ashtu edhe ciklin politik. Dhe ai nuk mund të funksionojë i izoluar. Vlera e tij do të varej nga lidhja e tij me universitetet, bizneset dhe institucionet publike, si dhe nga aftësia e tij për ta shndërruar kërkimin në njohuri që Kosova mund ta përdorë.
Ka edhe diçka tjetër që dua ta them këtu, sepse e kam gjithmonë në mendje. Ne kemi një pasuri që priremi ta harrojmë kur hartojmë politika të reja dhe përqendrohemi vetëm te njerëzit që jetojnë dhe punojnë brenda Kosovës: njerëzit tanë jashtë vendit. Në Gjermani, Zvicër, Austri, vendet nordike dhe përtej Oqeanit Atlantik, ka inxhinierë, doktorantë, profesorë dhe specialistë të energjisë me origjinë nga Kosova. Një pjesë e madhe e njerëzve tanë jeton jashtë këtij vendi dhe ata përfaqësojnë një rezervuar të pashfrytëzuar të dijes. Dhe shumë prej tyre duan të kontribuojnë.
Diaspora jonë duhet të ftohet jo vetëm për pushime dhe për verë, por edhe për të punuar. Një institut si ai për të cilin kemi ardhur të diskutojmë sot do të duhej të ofronte pikërisht këtë: një laborator, një projekt, një kontratë, një ekip. Bashkëpunimi mund të jetë i përhershëm ose i përkohshëm, në distancë ose këtu, në terren, por para së gjithash, ai duhet të jetë i mundur. Nuk dua të kemi një institut që kryen kërkim dhe zhvillim pa diasporën tonë. Po humbasim shumë potencial dhe ende nuk e kemi kuptuar plotësisht gamën e mundësive që njerëzit tanë jashtë vendit mund të hapin për ne.
Dhe së fundi, vendndodhja. Instituti propozohet të vendoset në Parkun për Inovacion dhe Trajnim në Prizren. Kjo nuk është thjesht një zgjedhje teknike. Ajo duhet të pasqyrojë përkushtimin tonë ndaj zhvillimit gjithëpërfshirës rajonal. Dijа, investimet dhe mundësitë nuk duhet të mbeten të përqendruara vetëm në kryeqytet. Prizreni ka studentë, ka traditë, ka hapësirë dhe ka një ekosistem që tashmë po funksionon.
Më lejoni të falënderoj Qeverinë e Gjermanisë dhe GIZ-in për mbështetjen e tyre teknike në përgatitjen e këtij koncepti, Ambasadorin Rudolph për partneritetin që vazhdon të japë rezultate, si dhe Ministren Rizvanolli dhe ekipin e saj për punën e përkushtuar që na ka sjellë deri në këtë pikë.
Pres me kënaqësi të dëgjoj përfundimet në të cilat do të arrini sot dhe hapat e ardhshëm që propozoni. Shpresoj për një diskutim të hapur dhe kritik.
Ju faleminderit shumë!
























