Platforma për Çështje të Komuniteteve i dorëzohet Qeverisë

Prishtinë, 29 shtator 2026

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në ceremoninë e dorëzimit të Platformës për Çështje të Komuniteteve te Qeveria e Republikës së Kosovës, platformë që është zhvilluar nga IOM-i në vitin 2024, me mbështetjen e Mbretërisë së Bashkuar dhe të Zvicrës.

Në fjalën hyrëse, kryeministri Kurti tha se platforma u mundëson qytetarëve nga të gjitha komunitetet joshumicë: serb, boshnjak, turk, rom, ashkali, egjiptian, goran, por edhe malazez e kroat, të gjejnë në një vend të vetëm informacionet që u nevojiten.

“Së pari, ofron informata për politikat e Qeverisë, si dhe për mundësitë më të fundit për grante, subvencione, punësim, trajnime dhe punë praktike dhe, e dyta, u mundëson qytetarëve ta raportojnë drejtpërdrejt diskriminimin, duke krijuar kësisoj komunikim të dyanshëm ndërmjet Qeverisë dhe komuniteteve”, tha kryeministri.

Kryeministri Kurti njoftoi se platformën do ta menaxhojë Zyra për Çështje të Komuniteteve, në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, dhe i ftoi të gjitha komunitetet që ta përdorin, promovojnë dhe që të ndihmojnë që ajo të përmirësohet vazhdimisht.

Fjala e plotë e Kryeministrit Kurti:

I nderuari z. Fikrim Damka, zëvendëskryeministër për Çështje të Pakicave dhe Bashkëpunim,

I nderuari z. Lulëzon Jagxhiu, ministër i Digjitalizimit dhe Administratës Publike,

I nderuari z. Nenad Rashiq, ministër për Komunitete dhe Kthim,

I nderuari z. Jonathan Hargreaves, ambasador i Mbretërisë së Bashkuar në Republikën e Kosovës,

I nderuar përfaqësues i Ambasadës së Zvicrës,

Të nderuar përfaqësues të Organizatës Ndërkombëtare për Migracion (IOM), të komunave dhe të komuniteteve,

Zonja dhe zotërinj,

Të nderuar të pranishëm,

Kam kënaqësinë t’ju uroj mirëseardhje në ceremoninë e dorëzimit të Platformës për Çështje të Komuniteteve.

Ajo është zhvilluar nga IOM-i në vitin 2024, me mbështetjen e Mbretërisë së Bashkuar dhe të Zvicrës, për çka u shpreh mirënjohjen time. Ministria e Digjitalizimit dhe Administratës Publike e ka përshtatur me sistemet tona qeveritare. Kështu, nga një projekt, tani po bëhet shërbim publik i Qeverisë.

Platforma u mundëson qytetarëve nga të gjitha komunitetet joshumicë: serb, boshnjak, turk, rom, ashkali, egjiptian, goran, por edhe malazez e kroat, ta gjejnë në një vend të vetëm informacionin që u nevojitet. Kjo ka rëndësi, sepse qytetarët mund të ushtrojnë të drejtat dhe t’i shfrytëzojnë mundësitë vetëm atëherë kur janë mirë të informuar për to. Platforma i ka dy funksione kryesore:

Së pari, ofron informata për politikat e Qeverisë, si dhe për mundësitë më të fundit për grante, subvencione, punësim, trajnime dhe punë praktike dhe,

E dyta, u mundëson qytetarëve ta raportojnë drejtpërdrejt diskriminimin, duke krijuar kësisoj komunikim të dyanshëm ndërmjet Qeverisë dhe komuniteteve.

Kosova ka njërën ndër kornizat ligjore më të avancuara për komunitetet joshumicë, e plotësuar me masa afirmative dhe mundësi të shumta.

Këtë vit, Zyra e Zëvendëskryeministrit ka organizuar një varg punëtorish me komunitetet joshumicë. Shumë nga pjesëmarrësit kanë theksuar se e kanë të vështirë të orientohen se ku dhe si t’i kërkojnë të drejtat e tyre, meqë informatat janë të shpërndara në shumë vende.

Ndërkohë, para rreth një muaji, më saktësisht me 31 gusht, unë u takova me Zyrat Komunale për Komunitete dhe Kthim, ku diskutuam për nevojën e një koordinimi më të mirë ndërmjet institucioneve qendrore dhe atyre lokale, sepse shumë nga çështjet që prekin komunitetet shfaqen pikërisht në nivel lokal dhe shpesh kërkojnë përfshirjen e më shumë se sa një institucioni. Me këtë platformë, i trajtojmë të dyja këto çështje, duke i bashkuar në një vend informatat e institucioneve qendrore dhe të komunave.

Megjithëkëto, platforma është ende në fillimet e saj. Suksesi i saj varet nga të gjitha institucionet, pra edhe qendrore, po ashtu edhe lokale, që duhet ta furnizojnë rregullisht me informata të sakta dhe të përditësuara. Por, varet edhe nga të gjithë qytetarët e shtetit tonë të përbashkët, nga komuniteti shumicë dhe nga ato joshumicë, të cilët mund të ndihmojnë që informatat e saj të arrijnë tek ata që kanë më së shumti nevojë.

Kjo platformë është pjesë e politikave tona më të gjera për komunitetet joshumicë, të cilat udhëhiqen nga katër parime: gjithëpërfshirja dhe solidariteti, drejtësia socio-ekonomike, revitalizimi kulturor dhe të drejtat gjuhësore, si dhe përfaqësimi demokratik.

Mbi këto parime, Kosova është bërë njëra ndër demokracitë më të fuqishme në Ballkanin Perëndimor dhe jo vetëm. Këtë e dëshmojnë edhe indekset ndërkombëtare për demokracinë, sundimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit. Sipas Institutit V-Dem, për shembull, Kosova renditet ndër vendet me rezultatet më të mira si në indeksin e demokracisë liberale, ashtu edhe në atë të demokracisë egalitare. I pari, pra demokracisë liberale, indeksi matë se sa mbrohen të drejtat dhe liritë, ndërkaq i dyti, indeksi i demokracisë egalitare i Institutit V-Dem, tregon se sa në mënyrë të barabartë i gëzojnë ato liri dhe të drejta grupet e ndryshme të shoqërisë.

Krahas përparimit në demokraci, Kosova po shënon edhe rritje të vazhdueshme ekonomike, me 5,4 për qind të bruto produktit vendor në çerekun e parë sivjet dhe me 4,1 për qind në çerekun e dytë, në tremujorin e dytë, rritje nga e cila përfitojnë qytetarët e të gjitha komuniteteve. Papunësia për pesë vjet është zvogëluar nga 26 në 10 për qind. Programet sociale, nga mbështetja për nënat e reja dhe shtesat për fëmijë e deri te përkrahja për arsimin, punësimin dhe bizneset, u dedikohen të gjithë qytetarëve pa dallim. Vetëm në skemën e ndihmës sociale, një e katërta e familjeve përfituese, pra 25 për qind, vjen nga komunitetet joshumicë.

Përveç këtyre politikave të përgjithshme, kemi ndërmarrë edhe masa të veçanta. Nga viti 2021 deri në vitin 2025, kemi ndarë 1 milion euro për qendrat mësimore, të cilat kanë mbështetur rreth dymijë fëmijë. Rreth dymijë nxënës rom, ashkali dhe egjiptianë në shkollat e mesme kanë përfituar bursa, ndërsa për studentët nga komunitetet joshumicë, universitetet publike ndajnë çdo vit bursa të posaçme. Që nga viti 2023, kemi verifikuar 721 diploma të Universitetit të Mitrovicës së veriut, në mënyrë që të diplomuarit të mund të punësohen në sektorin publik.

Njëkohësisht, përmes fushatave të shënjestruara të rekrutimit, po e rrisim përfaqësimin e komuniteteve në institucionet tona. Gjatë këtyre viteve, kemi financuar edhe 400 projekte në fushën e arsimit, kulturës, sportit, shëndetësisë dhe manifestimeve fetare, ndërkohë që vazhdojmë t’i mbështesim rregullisht organizatat joqeveritare të komuniteteve.

Për mandatin qeverisës në vijim, fokus do të jetë rritja më cilësore e vendeve të punës e që paguhen më shumë, por edhe rritja e pjesëmarrjes së rinisë dhe grave në tregun e punës, e kjo edhe përmes zgjerimit të programit “Superpuna për Gratë” dhe sistemit dual të arsimit.

Nga njëra anë, Qeveria ofron politika, fonde dhe programe. Në anën tjetër, për t’i shfrytëzuar ato sa më shumë dhe sa më mirë, nevojiten vullneti, pjesëmarrja dhe angazhimi i secilit qytetar. Ajo që i lidh këto të dyja është informacioni, dhe kjo platformë e bën më të lehtë për secilin që të dijë ku dhe si t’i gjejë këto mundësi.

Platformën do ta menaxhojë Zyra për Çështje të Komuniteteve, këtu në Zyrën e Kryeministrit. Unë ju ftoj të gjithëve që ta përdorni, ta promovoni në komunitetet tuaja dhe të na ndihmoni që ta përmirësojmë atë vazhdimisht.

Ju faleminderit për pjesëmarrjen dhe vëmendjen.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors