Përurohet objekti i ri i Zyrës së Punësimit në Gjakovë

Gjakovë, 28 tetor 2026

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me ministrin për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, Andin Hoti, dhe zëvendësministrin Agon Dobruna, përuruan objektin e ri të Zyrës së Punësimit në Gjakovë. 

Objekti, investim i Qeverisë së Republikës së Kosovës në vlerë të gjithmbarshme prej afër 200 mijë euro, ka për synim modernizimin e infrastrukturës së shërbimeve të punësimit në kuadër të Agjencisë së Punësimit të Republikës së Kosovës.

“Ky objekt i ri, i cili ka ndriçim të përshtatshëm, pastaj punimet janë cilësore, ka sipërfaqe diku 506 metra katror, dhe është projektuar e ndërtuar sipas standardeve evropiane, për të evituar çfarëdo barrierash për qytetarët. Ofron qasje edhe për personat me nevoja të veçanta dhe ka salla të posaçme për trajnime. Ndërtesa e re e kthen Zyrën në një qendër aktive të tregut të punës, teksa ajo ofron ndërmjetësimin direkt me bizneset, përmes këshillimit në karrierë, trajnimeve të profilizuara dhe menaxhimit të Masave Aktive të Tregut të Punës”, tha kryeministri.

Ai tregoi se nga muaji janar deri në shtator të këtij viti, nëpërmjet ndërmjetësimit të rregullt janë punësuar 2,285 persona, prej tyre 1,274 gra dhe 1,011 burra. Ndërkaq, nga ndërmjetësimi përmes Masave Aktive të Tregut të Punës, 1,698 persona, prej tyre 1080 gra dhe 618 burra.

Duke theksuar përkushtimin e Qeverisë për të ofruar shërbime sa më cilësore dhe që janë lehtë të qasshme për punëkërkuesit dhe për punëdhënësit, kryeministri Kurti tha se “do të vazhdojmë të angazhohemi në uljen e papunësisë në përqindje njëshifrore”.

Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:

Atëherë, jam këtu bashkë me Andin Hotin, ministër për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare dhe zëvendësin e tij, Agon Dobruna, me Blerim Hasanin, Ushtrues Detyre i Drejtorit Ekzekutiv të Agjencisë së Punësimit të Republikës së Kosovës, me znj. Violeta Osmani, Ushtruese e Detyrës së Udhëheqëses së Zyrës së Punësimit në Gjakovë, dhe me Arbër Zhubin, Udhëheqës i Qendrës për Aftësim Profesional në Gjakovë

Të nderuar punonjës të Zyrës dhe Qendrës,

Të nderuar të pranishëm,

Po e përurojmë objektin e ri të Zyrës së Punësimit, një investim i Qeverisë së Republikës së Kosovës në vlerë të gjithmbarshme prej afër 200 mijë euro, me synim modernizimin e infrastrukturës së shërbimeve të punësimit në kuadër të Agjencisë së Punësimit të Republikës së Kosovës.

Ky objekt i ri, i cili ka ndriçim të përshtatshëm, pastaj punimet janë cilësore, ka sipërfaqe diku 506 metra katror, dhe është projektuar e ndërtuar sipas standardeve evropiane, për të evituar çfarëdo barrierash për qytetarët. Ofron qasje edhe për personat me nevoja të veçanta dhe ka salla të posaçme për trajnime. Ndërtesa e re e kthen Zyrën në një qendër aktive të tregut të punës, teksa ajo ofron ndërmjetësimin direkt me bizneset, përmes këshillimit në karrierë, trajnimeve të profilizuara dhe menaxhimit të Masave Aktive të Tregut të Punës.

Gjatë vitit të kaluar, përmes Zyrës për Punësim janë ndërmjetësuar në punësim të rregullt dhe masa aktive të tregut të punës mijëra punëkërkues. Pra, ne kemi shërbyer si urë ndërmjetësimi midis bizneseve të sektorit privat dhe qytetarëve të Republikës që duan punë. Por, njëkohësisht edhe janë certifikuar të rinj në Qendrat e Aftësimit Profesional.

Nga janari e në shtator, sivjet 2026, nëpërmjet ndërmjetësimit të rregullt janë punësuar 2,285 persona, prej tyre 1,274 gra dhe 1,011 burra. Ndërkaq, nga ndërmjetësimi përmes Masave Aktive të Tregut të Punës, 1,698 persona, prej tyre 1080 gra dhe 618 burra. Pra, në të dyja rastet, më shumë gra se burra.

Kurse, nga fillimi i vitit 2025, Zyra në Gjakovë ka kryer 340 ndërmjetësime në punë të rregullta dhe 166 përmes Masave Aktive të Tregut të Punës.

Afërsia që keni këtu me një oborr të përbashkët me Qendrën e Aftësimit Profesional, është një përparësi tjetër në Gjakovë, sepse lehtë e shpejt kalohet nga njëra në tjetrën sa i përket shërbimeve që u nevojiten qytetarëve, e të cilat shpesh herë edhe janë të ndërlidhura për nga natyra e tyre.

Qendra e Aftësimit Profesional në Gjakovë ofron trajnime profesionale dhe certifikim në 11 programe të ndryshme, prej asistentit administrativ, kontabilitetit, menaxhimit të ndërmarrjeve mikro dhe të vogla (themelues të biznesit), pastaj rrobaqepës, elektroinstalues, mirëmbajtje e instalimeve të sistemeve solare, ndihmës kuzhinier, metalpunues, saldues, e deri te parukeria dhe grimi.

Në mbarë vendin këtë vit, në aftësimin profesional kanë marrë pjesë 1,877 kandidatë, prej tyre 817 gra. Ndër ta, 3 ishin persona të riatdhesuar, 14 persona me aftësi të kufizuara dhe 78 persona nga komunitetet joshumicë.

Qeveria është e përkushtuar të ofrojë shërbime sa më cilësore dhe që janë lehtë të qasshme për punëkërkuesit, por edhe për punëdhënësit, dhe vazhdojmë të angazhohemi në uljen e papunësisë në përqindje njëshifrore. Për pesë vjet në Republikën e Kosovës papunësia ka rënë nga 26 në diç më shumë se 10 për qind, po më pak se 11 për qind. E këtë mision, synojmë që me Zyrat e Punësimit si adresë e parë, sikurse edhe Qendrat e Aftësimit Profesional, të krijojmë një shërbim të integruar për qytetarët, të cilët kanë nevojë për trajnime e për punësime.

Edhe njëherë e gëzofshi ndërtesën e re dhe ju faleminderit shumë për punën, angazhimin e kontributin që bëni, për atë që dihet, por sidomos për atë që s’dihet, veçse qytetarët i gëzojnë frutet e asaj pune.

Urime!

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors