Prizren, 10 qershor 2025
Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti dhe ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia, së bashku zëvendëskryeministren në detyrë, Emijla Rexhepi, deputetë të kuvendit, dhe stafin drejtues të Spitalit të Përgjithshëm të Prizrenit përuruan renovimet në Repartin e Pulmologjisë të këtij spitali.
Vlera e përgjithshme e investimit është 142 mijë euro. Nga ky investim 16% përfshin furnizimin me shtretër dhe inventar të ri, kurse pjesa tjetër është aspekti infrastrukturor i repartit.
“Ky repart tashmë do të ofrojë kushte dhe pajisje moderne si për trajtimin e pacientëve, ashtu edhe për performancën e mirë të personelit shëndetësor, duke siguruar komoditet për pacientët, nisur prej pastërtisë, rregullsisë, ndriçimit, ajrit të klimatizuar e kështu me radhë, e deri tek puna e palodhshme që e bën stafi mjekësor”, u shpreh kryeministri Kurti.
E konsideruar si një qendër e rëndësishme për trajtimin e sëmundjeve respiratore dhe për mbrojtjen nga tuberkulozi, ky repart i cili vitin e ardhshëm shënon 80-të vjetorin e funksionalizimit, ka ofron shërbime mjekësore çdo ditë, jo vetëm për pacientët nga Prizreni, por edhe për ata nga Suhareka, Rahoveci, Dragashi, Sharri, Malisheva, Mamusha e madje edhe Kukësit të Shqipërisë
Nga Spitali i Prizrenit, kryeministri u shpreh përzemërsisht mirënjohës për punën, përkushtimin dhe angazhimin e mjekëve, infermierëve dhe të gjithë stafit të Spitalit të Prizrenit, e në veçanti falënderues ndaj repartit të Pulmologjisë.
Prononcimi i plotë i kryeministrit Kurti:
Së pari, urime të gjithëve 10 Qershori, Dita e Lidhjes së Prizrenit! Ne po vijmë nga kompleksi i Lidhjes së Prizrenit atje, ku ishim bashkë edhe me Presidentin e Republikës së Shqipërisë, Shkëlqesinë e tij, Bajram Begaj, dhe me ministrin e Kulturës, Hajrulla Çeku, kryetarin e Komunës, Shaqir Totaj, e kështu me radhë.
Jemi të gëzuar që jemi këtu në spitalin e Prizrenit, përkatësisht në repartin e Pulmologjisë, në një qendër të rëndësishme për trajtimin e sëmundjeve respiratore dhe për mbrojtjen nga tuberkulozi, e cila vitin e ardhshëm e shënon praktikisht 80-të vjetorin e këtij institucioni shumë të rëndësishëm për Prizrenin, por jo vetëm për Prizrenin si komunë, por për Prizrenin si rajon, meqenëse këtu gravitojnë edhe Suhareka, Rahoveci, Dragashi, Sharri, Malisheva, Mamusha e që besa edhe Kukësi i Shqipërisë prej nga vijnë pacientë përditë.
Renovimi i gjithmbarshëm këtu si totali i investimit ka qenë afër 142 mijë euro, prej të cilëve 16% përafërsisht është furnizimi me shtretër dhe inventar të ri, ndërkaq pjesa tjetër është aspekti infrastrukturor i repartit. 38 shtretër janë këtu, 6 mjekë specialistë pulmologë, 11 infermierë, sivjet kanë ardhur 130 shtretër në një vlerë të gjithmbarshme prej 67 mijë euro, prej këtyre 130 shtretërve, 38 janë për repartin e Pulmologjisë.
Trajtimi i pacientëve këtu bëhet në rast të pneumonisë, pastaj bronkitit, tuberkulozës, patologji të tjera pulmonare e deri tek kanceri i mushkërive.
Tjetër që duhet theksuar është se në vitin 2024 janë hospitalizuar 669 pacientë dhe këtu ka pasur gjithsej 5803 ditë qëndrimi prej tyre. Ndërkaq, në periudhën janar-prill sivjet, kemi pasur gjithsej 195 pacientë të hospitalizuar, prej të cilëve 1289 ditë qëndrimi.
Nga ajo çfarë pamë, kushtet, pajisjet janë moderne si për trajtimin e pacientëve, ashtu edhe për performancën e mirë të personelit shëndetësor dhe pa dyshim që ka edhe komoditet për pacientët, duke përfshirë prej pastërtisë, rregullsisë, ndriçimit, ajrit të klimatizuar e kështu me radhë, e deri te puna e palodhshme që e bën stafi mjekësor, e të cilëve u jemi pafundësisht e përzemërsisht, mirënjohës – pra mjekëve, infermierëve të Spitalit të Prizrenit në përgjithësi, e veçanërisht repartit të Pulmologjisë.
Faleminderit!



















