Malishevë, 7 maj 2026
Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga ministri në detyrë i Infrastrukturës dhe Transportit, Dimal Basha, mori pjesë në ceremoninë e nisjes së punimeve për projektin “Rikonstruktimi i rrugës rajonale R119, segmenti Kijevë – Malishevë”.
“Me rindërtimin e rrugës Kijevë-Malishevë, si Qeveri e Republikës së Kosovës po e bëjmë një investim tejet të rëndësishëm për banorët e Malishevës dhe të mbarë zonës së Llapushës, e më gjerë”, tha kryeministri në detyrë.
Kryeministri në detyrë Kurti theksoi se, përtej lidhjes së pesë fshatrave përgjatë segmenti Kijevë – Malishevë, rruga u shërben në baza ditore 18 fshatrave të zonës. Ai shtoi se kjo rrugë e zhbllokon potencialin zhvillimor dhe e ndihmon turizmin, sepse krahas banorëve do të përdoret edhe nga qytetarët jo vetëm nga Kosova që shkojnë për t’i vizituar Ujëvarat e Mirushës.
Prononcimi i kryeministrit Kurti:
Të dashur qytetarë,
Të nderuar gazetarë,
Mirë se po takohemi për fillimin e punimeve në rindërtimin e një rruge tejet të rëndësishme, të një projekti infrastrukturor jetik për banorët e kësaj zone dhe jo vetëm.
Ju e dini që janë bërë shumë përpjekje për t’na e ndalë e ndaluar mandatin që populli na e dha në masën më të madhe në Kosovën e pasluftës, por ne nuk i ndalim punët e reja, të mira, e gjithsesi të dobishme për qytetarët e Republikës.
Me rindërtimin e rrugës Kijevë-Malishevë, si Qeveri e Republikës së Kosovës po e bëjmë një investim tejet të rëndësishëm për banorët e Malishevës dhe të mbarë zonës së Llapushës, e më gjerë.
Kjo rrugë në tërësi ka gjatësi mbi 11 kilometra dhe është lidhje kyçe për Malishevën dhe 5 fshatra përgjatë kësaj rrugës. Me ç’rast projekti përfshin rindërtimin e tërësishëm nga baza e deri te asfaltimi final.
Edhe para luftës, edhe pas luftës ka pasur vetëm arnime të kësaj rrugës, vetëm mirëmbajtje deri në prishjen e radhës, deri në dëmtimin e ardhshëm, por tash ne po e bëjmë rindërtimin e tërësishëm të kësaj rruge fort të vlefshme.
Punimet që nisin përfshijnë një segment prej 8.5 kilometra, ndërkaq për pjesën e mbetur do të procedohet me aktivitetin e prokurimit së shpejti.
Unë po i përmendi jo vetëm këto 5 fshatra, po 18 fshatra gjithsej, të rrugës Kijevë–Malishevë, që në baza ditore e përdorin këtë rrugë: Mirusha, Gurbardhi, Lumishta, Turjaka, Panorci, Rudi, Damaneku, Qypeva, Bubli, pastaj Llapqeva, Drenoc, Bubavec, Kijevë, Balincë, Vërmicë, Mleqan, Plloqicë dhe Golluboc, por gjithashtu edhe e lidh Malishevën me rrugën nacionale që çon për Pejë.
Kjo rrugë e zhbllokon potencialin zhvillimor dhe e ndihmon turizmin, sepse do të përdoret edhe nga banorët këtu, por edhe nga qytetarët jo vetëm nga Kosova që shkojnë për t’i vizituar Ujëvarat e Mirushës.
Ka shkaktuar vështirësi të mëdha në qarkullim deri më tani, rruga e këtillë, por me këtë investim ne synojmë që sa më parë ta rregullojmë. Na u tha nga operatori ekonomik që janë gjithsej 225 ditë pune deri në përmbylljen e këtij investimi, në mënyrë që qarkullimi të jetë sa më i shpejtë dhe sa më i sigurt.
Tash në zonat e banuara, aty ku mungon trotuari – do të ndërtohet ai, ndërkaq aty ku tashmë ekziston trotuari do të funksionalizohet, rregullohet, e gjithashtu edhe stacionet e autobusëve. Por, pa harruar edhe sinjalizimin modern, në mënyrë që qarkullimi të jetë sa më i sigurt për të gjitha kategoritë e shfrytëzuesve të kësaj rruge.
Me kujdes do të trajtohet edhe kanalizimi i ujërave atmosferik, sepse rrugën që po e rindërtojmë nuk mund ta mirëmbajmë pa kujdes për kanalizimin e ujërave atmosferik, në mënyrë që ajo rrugë te jetë e qëndrueshme.
Do të rritet qarkullimi padyshim por edhe siguria. Do të ulen kostot e bizneseve dhe ne do të vazhdojmë me implementim e këtij projekti dhe të tjerëve të ngjashëm.
…
Krahas këtij projekti, si Qeveri e Kosovës, jemi duke e financuar edhe rrugën nga fshati Llapqevë deri te Ujëvarat e Mirushës, me 700 mijë euro, e që tash është në realizim, ndërkaq tenderimi është bërë nga komuna. Gjithashtu, ju njoftoj që proceset tenderuese janë duke u zhvilluar edhe për rrugën Malishevë–Arllat, me vlerë prej 2.6 milionë euro.
Pra, për një periudhë të shkurtër, mbi 5.6 milionë euro po investohen për rrugët në Malishevë.
Dhe të dashur qytetarë e të nderuar gazetarë, këto nuk janë veprime para-zgjedhore, por janë zbatim, përmbushje e zotimeve tona të zgjedhjeve të 28 dhjetorit të vitit të kaluar, kur e morëm besimin e madh qytetar. Pra, Qeveria i vazhdon punët e mira dhe jo thjeshtë në një kuptim formal e juridik, por praktik e konkret, është Qeveri në detyrë, përherë në detyrë për qytetarët e Republikës së Kosovës, të cilëve ju shërbejmë pa pushim e pa kursim.
Faleminderit e gëzuar të gjithëve edhe njëherë!











