Prishtinë, 22 korrik 2009
Zëvendëskryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Hajredin Kuçi, ka kryesuar takimin e radhës të Komisionit Ndërministror për Reformën e Administratës Publike, në të cilën janë prezantuar gjetjet dhe rekomandimet e rishikimit funksional në Ministrinë e Ekonomisë dhe Financave, në menaxhimin e financave publike dhe në prokurimin publik.
Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi ka vlerësuar se procesi i Rishikimit funksional të administratës publike është bërë pjesë integrale e punës së Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe ky proces e ka dhe do të vazhdojë ta ketë përkrahjen e plot të qeverisë.
“Qeveria e Republikës së Kosovës beson në procesin e Reformës së Administratës Publike dhe shpreh falënderimin e saj për të gjithë ata që janë angazhuar në zhvillimin dhe mbarëvajtjen e këtij procesi” ka thënë me këtë rast zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi.
Ekspertët e projektit të Rishikimit funksional, FRIDOM, kanë prezantuar gjetjet dhe rekomandimet e tyre në fushën e organizimit dhe funksionimit të financave publike në administratën e Kosovës.
Prezantimi i parë është përqendruar në strukturën organizative të institucionit qendror për menaxhimin e buxhetit, Ministria e Ekonomisë dhe Financave. Prezantimi rekomandon që kjo ministri të delegojë përgjegjësin e saj në një ministri të re e cila do të përqendrohej tërësisht në çështjet financiare.
Prezantimi i rishikimit horizontal për menaxhimin e financave publike, ka vlerësuar lartë kornizën ligjore në Kosovë për menaxhimin e financave publike. Rekomandohet rritja e kapaciteteve dhe përkushtimit më të theksuar politik për dizajnimin e projekteve dhe krijimin e politikave.
Në prezantimin e fundit nga ekspertët e FRIDOM-it, është fokusuar sektori i sistemeve të prokurimit publik në administratën publike. Thjeshtëzimi i kornizave ligjore për prokurim publik dhe centralizimi i prokurimit publik, janë dy nga rekomandimet kryesore të ekspertëve të FRIDOM-it.
