Prishtinë, 10 nëntor 2009
Nën drejtimin e kryeministrit të Qeverisë së Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi është mbajtur sot takimi i radhës i Këshillit të Sigurisë së Kosovës, në të cilin është vlerësuar gjendja e përgjithshme e sigurisë në vend, është prezantuar drafti i Strategjisë për Sigurinë dhe i është dhënë drita e gjelbër themelimit të Komisionit për Inteligjencë.
Në hapje të takimit kryeministri Hashim Thaçi ka vlerësuar të qëndrueshme dhe stabile gjendjen e përgjithshme të sigurisë në Republikën e Kosovës.
“Situata e përgjithshme e sigurisë është e qetë dhe shumë stabile”, theksoi z. Thaçi, duke falënderuar të gjithë mekanizmat e sigurisë për punën e shkëlqyeshme gjatë periudhës së kaluar.
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka vlerësuar bashkëpunimin e mirë midis KFOR-it, EULEX-it, Policisë së Kosovës, FSK-së dhe AKI-së, duke inkurajuar që ky bashkëpunim të vazhdojë edhe në të ardhmen.
Më tutje z. Thaçi ka vlerësuar punën lidhur me demarkacionin e kufirit me Maqedoninë si dhe bashkëpunimin shumë të mirë të Kosovës me vendet fqinje për çështjet e luftës kundër kontrabandës, trafikimit dhe krimit të organizuar.
Duke folur lidhur me procesin zgjedhor, kryeministri Thaçi ka thënë se Kosova është duke kaluar nëpër një proces historik dhe shumë të rëndësishëm dhe ka përgëzuar për fushatën e qetë dhe demokratike që po zhvillohet në Kosovës. Kryeministri Thaçi shprehu bindjen se këto do të jenë zgjedhje model për rajonin.
Në këtë takim është prezantuar edhe Drafti i Strategjisë për Sigurinë e Kosovës. Është vlerësuar se Grupi Punues i përbërë nga ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë ka hartuar një dokument shumë të mirë dhe se ai është në përfundim e sipër. Pas një afati të shkurtër ky dokument do të plotësohet edhe me komentet eventuale të anëtarëve të Këshillit për Siguri dhe pritet të miratohet nga Qeveria e Republikës së Kosovës.
Këshilli i Sigurisë i Kosovës, në takimin e sotëm i ka dhënë dritën e gjelbër edhe themelimit të Komisionit për Inteligjencë. Sipas ligjit krahas Sekretariatit dhe Qendrës së Situatave si dy organe mbështetëse të Këshillit të Sigurisë, duhet të themelohet edhe Komisioni për Inteligjencë që e përbëjnë përfaqësuesit e lartë nga institucionet e Republikës së Kosovës. Ky komision do të përkujdeset që politikat e qeverisë janë duke u koordinuar dhe zbatuar.
