Ministrja Edita Tahiri takoi ambasadorin italian Andreas Ferrarese


Image

Prishtinë, 15 mars 2016

Ministrja për Dialog, Edita Tahiri, priti sot në takim ambasadorin e Republikës së Italisë në Kosovë, Andreas Ferrarese.

Në këtë takim, ministrja Edita Tahiri vlerësoi lartë marrëdhëniet bilaterale mes Republikës së Kosovës dhe Italisë, duke shprehur gatishmërinë e Qeverisë së Kosovës për thellimin e mëtejmë të marrëdhënieve mes dy vendeve në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë.

Ministrja Tahiri theksoi se Kosova është e përkushtuar në rrugën euroatlantike të saj për të cilën po punon duke bërë reforma të gjithanshme dhe zbatimin e MSA, ndërsa potencoi se liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës po vonohet pa bazë nga ana e BE-se. Më tej, ministrja Tahiri foli edhe për gjendjen aktuale politike në vend duke konsideruar se për tejkalimin e kësaj gjendjeje nevojitet një dialog i brendshëm politik i cili do të mund të ofrojë zgjidhje përmes një marrëveshje politike për çështjet e interesit nacional për vendin tonë.

Ministrja Tahiri e njoftoi Ambasadorin me procesin e binjakëzimit të cilin e kishte iniciuar ajo gjatë qëndrimit në Itali, përkatësisht mes komunës së Frascinetos në Kalabri dhe Fushë Kosovës e Lipjanit në Kosovë.

Nga ana e tij, ambasadori Ferrarese vlerësoi lartë marrëdhëniet bilaterale me Kosovën dhe njëherësh rikonfirmoi mbështetjen për perspektivën euroatlantike të Kosovës dhe po ashtu angazhimin dhe përkrahjen për procesin e liberalizmit të vizave duke shtuar se Kosova po bënë përpjekjet e saja maksimale në përmbushjen e kritereve për këtë proces.
Të dy bashkëbiseduesit u pajtuan se dialogu i Brukselit kontribuon për fqinjësi të mirë dhe stabilitet rajonal dhe se zbatimi i marrëveshjeve ka rëndësi qenësore.
 

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors