Mesazhi i Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi për Festën e Vitit të Ri 2013


Image

Në mesazhin e Kryeministrit të Republikës  së Kosovës, Hashim Thaçi,   drejtuar qytetarëve të Kosovës, thuhet:

Prishtinë, 30 dhjetor 2012

Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës,

Viti që po lëmë pas ishte ndër vitet më të suksesshme të Kosovës, duke shënuar mbylljen e fazës së Pavarësisë së Mbikëqyrur Ndërkombëtare  dhe hyrjen në një fazë te re të perspektivës euroatlantike.

Kosova ka hyrë në vitin e pestë të pavarësisë si shtet i lirë, demokratik, sovran dhe me një shkallë të lartë të përparimit në të gjitha drejtimet, si në planin e brendshëm ashtu edhe atë ndërkombëtar.

Shteti i Pavarur i Kosoves  është afër dhe pranë njohjes së njëqindtë, që rrumbullakon më shumë se gjysmën e shteteve anëtare të OKB-së, dhe është krenar që njihet  e përkrahet nga shtetet më të fuqishme të botës në krye me Shtetet e Bashkuara të Amerikës nga shtete të Bashkimit Evropian si dhe  shtete tjera të fuqishme në të gjitha kontinentet.

Shteti i ri i Kosovës ka demonstruar me korrektësi dhe përgjegjësi të lartë politikë paqësore dhe të fqinjësisë së mirë me të gjitha shtetet përreth, duke treguar gatishmërinë e përmirësimit të marrëdhënieve edhe me shtetin e Serbisë fqinje.

Kosova këtë vit me dinjitet ka shënuar 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë, duke u dhënë shkëlqim ngjarjeve dhe personaliteteve që kanë kontribuar në krijimin e ndërgjegjës kombëtare dhe të shtetit shqiptar, me të cilin kultivon marrëdhënie të shkëlqyera.

Në planin ekonomik, Kosova ka shënuar zhvillim dhe përparim të dukshëm, duke përmirësuar mirëqenien e të gjitha kategorive shoqërore, me rritjen e pagave në arsim, shëndetësi, shërbime civile, në rritjen e pagave për pjesëtarët e Shërbimit Policor, të FSK-së, zjarrrfikësve, familjeve të dëshmorëve, invalidëve, pensionistëve.

Kosova ka përfunduar me sukses nje pjesë të segmentit të Autostradës  së  Kombit me nivel evropian dhe ka përmirësuar infrastrukturën e përgjithshme në çdo cep të Kosovës, duke krijuar kushte për jetë më cilësore për të gjithë qytetarët e saj, pa dallim etnie.

Qeveria e Republikës së Kosovës do të angazhohet që të përmbush të gjitha parakushtet që Kosova të jetë sa më parë pjesë e integrimeve euroatlantike, institucione  të cilave ajo ju përket jo vetëm si aspiratë, por edhe si orientim i natyrshëm gjeografik, politik, ekonomik dhe kulturor.

Në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe në emrin tim, të gjithë bashkëqytetarëve të Kosovës, bashkatdhetarëve tanë në botën e jashtme, qytetarëve që punojnë në institucionete ndërkombëtare të pranishme në Kosove, u shpreh  urimet më të mira për suksese dhe të arritura edhe më të mëdha në Vitin e Ri 2013.

Gëzuar!

Hashim Thaçi
Kryemnistër i Republikës së Kosovës

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors